Në Maqedoni po rriten edhe kreditimi edhe kursimet: 4,86 miliardë euro borxhe dhe 7,49 miliardë euro depozita
Edhe kreditimi, edhe kursimet në Maqedoni kanë shënuar rritje edhe në gusht, me ç’rast kreditë e përgjithshme janë rritur për 13,6 përqind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa depozitat kanë shënuar rritje vjetore prej 9 përqind, tregojnë të dhënat më të fundit të Bankës Popullore, shkruan Portalb.mk.
Në nivel mujor, kreditë e përgjithshme në gusht janë rritur për 0,7 përqind. Rritje ka si te kreditë e qytetarëve, ashtu edhe te kompanitë, por në nivel vjetor kontribut më të madh në rritjen e përgjithshme ka sektori korporativ.
Kreditë e kompanive brenda një viti janë rritur për 15,1 përqind, ndërsa krahasuar me korrikun rritja shënon 0,6 përqind. Sipas Bankës Popullore, rritja e kreditimit korporativ në gusht buron tërësisht nga kreditë në denarë. Vazhdon të rritet edhe borxhi i popullatës. Kreditë e qytetarëve janë rritur për 12,3 përqind në nivel vjetor dhe për 0,7 përqind në nivel mujor. Rritjen më të madhe mes kategorive më të shpeshta e shënojnë kreditë banesore – 16,2 përqind brenda një viti. Ndërkaq, kreditë konsumatore janë rritur për 12,2 përqind.
Borxhi i përgjithshëm i qytetarëve kap shifrën prej 4,86 miliardë eurosh, ndërsa pjesa më e madhe e rritjes buron nga kreditë e miratuara në denarë.
Njëkohësisht po rriten edhe paratë që qytetarët dhe kompanitë i mbajnë në banka. Depozitat e përgjithshme në gusht ishin për 9 përqind më të larta se para një viti, ndërsa krahasuar me korrikun u rritën për 1,6 përqind. Rritja mujore kryesisht buron nga sektori korporativ. Depozitat e popullatës në fund të gushtit kanë arritur në 460,38 miliardë denarë, përkatësisht 7,49 miliardë euro.
Depozitat e kompanive janë rritur për 6,2 përqind brenda një muaji dhe për 6,1 përqind në nivel vjetor. Te popullata pasqyra është ndryshe – në gusht depozitat janë ulur për 0,4 përqind krahasuar me korrikun, por në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar janë ende më të larta për 10,2 përqind.
Depozitat me afat të amvisërive, pa mjetet në llogaritë e transaksionit, janë rritur për 0,6 përqind në baza mujore dhe për 5,8 përqind në baza vjetore, me ç’rast Banka Popullore thekson se rritja vjen kryesisht nga depozitat me afat afatgjatë.
Në nivel vjetor ato janë rritur për 10,2 përqind, me rritje në të gjitha komponentët. Megjithatë, krahasuar me korrikun, kursimet e qytetarëve kanë rënë për 0,4 përqind, gjë që vjen si pasojë e zvogëlimit të gjendjes së parasë depozitë.
Gjysma e këtyre mjeteve janë me afat. Ose, depozitat me afat të amvisërive, pa mjetet në llogaritë e transaksionit, kanë arritur në 3,75 miliardë euro. Janë rritur për 0,6 përqind në nivel mujor dhe për 5,8 përqind në nivel vjetor, kryesisht për shkak të rritjes së depozitave me afat afatgjatë.