Nis gjuetia e Hungarisë për miliardat e sistemit Orbán
“Rimarrja e pasurisë” — ky term tingëllon burokratik edhe në hungarisht, por fsheh një nga premtimet kryesore të fushatës së qeverisë së re. Kryeministri Peter Magyar dhe Partia e tij Tisza duan t’i rikthejnë shtetit ato para dhe pasuri që u shpërndanë padrejtësisht gjatë sundimit të Viktor Orbánit. Përfituesit ishin oligarkët, miqtë e partisë, ndërmjetësit ose vetë familja e autokratit. Qeveria e re dëshiron edhe t’i ndjekë ligjërisht këta përfitues të paligjshëm, raporton Dojçe Vele (DW).
Bëhet fjalë për një operacion të gjerë kundër korrupsionit. Kjo është pikërisht ajo që shumica e hungarezëve presin para së gjithash nga qeveria e re: miliarda të grabitura t’i kthehen shtetit. Jo pak prej tyre duan edhe të “dëgjojnë tingullin e vënies së prangave” dhe t’i shohin përfituesit e sistemit Orbán pas hekurash, siç lexohet shpesh në rrjetet sociale.
Sipas shumë vëzhguesve, suksesi ose dështimi i rimarrja së pasurisë do të përcaktojë të ardhmen politike të Magyarit dhe të partisë së tij. Kjo s’është për t’u habitur, sepse bëhet fjalë për shuma gjigande, të përvetësuara padrejtësisht — sipas dyshimeve — gjatë kohës së Orbánit. Në fushatë, Magyari foli për rreth 60 miliardë euro. Tani qarkullojnë shifra që arrijnë deri në trefishin e kësaj shume.
Etje për ndëshkim dhe drejtësi
Në ndërgjegjen publike të vendit, këto shuma lidhen me imazhet e luksit dekadent të sistemit Orbán. Familja e ish-kryeministrit, miqtë e tij të partisë dhe oligarkët e afërt me të jetojnë në rezidenca luksoze. Ata udhëtojnë me avionë privatë, kalojnë pushimet në jahte dhe fitojnë vazhdimisht tendera publikë me vlerë miliarda.
Por natyrisht bëhet fjalë për më shumë se kaq. Një kastë e tërë kuadrosh të Fidesz-it dhe rrethit të tij u mbajt me bujari nga pasuria publike për vite me radhë. Kjo vlen edhe për sipërmarrës, artistë, akademikë e gazetarë të afërt me Orbánin. “Kualifikimi” i tyre kryesor ishte thjesht besnikëria ndaj tij.
Përballë kësaj qëndrojnë varfërimi i shumë hungarezëve dhe ikja masive e të rinjve nga vendi. Infrastruktura publike është lënë pas dore, në disa raste ka degraduar plotësisht, ndërsa shkollat dhe spitalet përballen me kushte të vështira. Deficiti buxhetor arrin sot 7,5 për qind të PBB-së. Përballë këtij kontrasti, etja për ndëshkim dhe drejtësi në Hungari është shumë e madhe.
Kompetenca jashtëzakonisht të gjera
Pothuajse katër muaj pas ardhjes në pushtet të qeverisë Magyar, operacioni antikorrupsion ka nisur tashmë edhe në praktikë. Në fund të korrikut, me ligj, u themelua Autoriteti Kombëtar për Rimarrjen dhe Mbrojtjen e Pasurisë (NVVH). Ai do të ndërtohet dhe organizohet plotësisht në javët e ardhshme. Një gjë tashmë dihet: do të jetë një “super-institucion” me kompetenca jashtëzakonisht të gjera dhe pavarësi maksimale.
Një institucion si NVVH-ja nuk ka ekzistuar në Hungari që nga ndryshimi i sistemit në 1989/90, edhe pse vendi do të kishte pasur nevojë për të. Privatizimi i pasurisë publike dhe shtetërore, e trashëguar nga diktatura komuniste, u zhvillua në Hungari kryesisht në mënyrë mashtruese — njësoj si pothuajse kudo në ish-bllokun lindor. Vetëm në pak raste pati pasoja. Kur Viktor Orbáni erdhi në pushtet në vitin 2010, u bë një përpjekje e dobët për të hetuar korrupsionin e njohur të qeverisë së mëparshme socialiste-liberale, të udhëhequr nga Ferenc Gyurcsány. Përpjekja mbeti pa rezultat.
Polemikë rreth emërimit
Këtë herë synohet një rrugë tjetër. Nga njëra anë, NVVH-ja do të hetojë me efekt prapaveprues se ku shkuan paratë publike dhe si u përdorën pasuritë, si p.sh. pronat e paluajtshme. Nuk është caktuar një datë kufi, por në thelb do të hetohen ngjarje nga koha e sistemit Orbán, pra raste që nga viti 2010. Nga ana tjetër, autoriteti do të merret edhe me mbrojtjen parandaluese të pasurisë, duke mbikëqyrur nëse paratë dhe pasuritë publike do të përdoren ligjërisht në të ardhmen. NVVH-ja ka kompetenca njëkohësisht policore dhe prokuroriale, pra mund të hetojë dhe të ngrejë akuza. Ajo i jep llogari vetëm parlamentit.
Ashtu si ka ndodhur disa herë që kur qeveria Magyar mori detyrën, edhe rreth themelimit të NVVH-së shpërtheu një polemikë për personelin. Në fund të javës së kaluar, parlamenti emëroi politologen 46-vjeçare Anna Unger në krye të autoritetit të ri. Ajo vjen nga Universiteti Eötvös Loránd i Budapestit dhe është eksperte për sistemet politike, institucionet demokratike dhe financimin e partive. U zgjodh për postin nëpërmjet një procesi me disa faza, nga rreth njëqind kandidatë e kandidate.
E panjohur deri tani
Deri tani, Unger ishte pothuajse e panjohur për publikun e gjerë, prandaj shumë vëzhgues u befasuan. Edhe pse në kërkimet e saj politologia është marrë edhe me korrupsionin politik, ajo nuk është eksperte e dëshmuar për këtë temë dhe as juriste. Shumë prisnin që postin ta merrnin juristë të njohur dhe ekspertë antikorrupsion — si p.sh. Miklos Ligeti, drejtues i departamentit juridik të Transparency International Hungari.
Ligeti kishte paraqitur edhe ai një kandidaturë me shanse; tani përmendet si një nga zëvendësdrejtuesit e mundshëm. Gjithsej, Ungeri do të ketë katër zëvendës me kompetenca të ndryshme. Si zëvendëse për sektorin e hetimeve është emëruar tashmë prokurorja e njohur Katalin Tasnády, që më parë punonte në Prokurorinë Qendrore të Hetimit.
Përfaqësues qeveritarë e arsyetuan zgjedhjen e Ungerit me faktin se, në kandidaturën e saj, ajo kishte paraqitur një vizion politik të gjerë për punën e autoritetit. Vetë ajo kishte thënë gjatë dëgjesës në parlament se në Hungarinë e Orbánit bëhej fjalë për më shumë se korrupsion klasik — se aty kishte mbretëruar në fakt një sistem feudalizmi. Sipas Ungerit, përveç kompensimit dhe rimarrjes së pasurisë, duhet zbuluar në detaje edhe vetë mekanizmi i përvetësimit të saj, që të mos përsëritet një gjendje e tillë.
Sa kohë do të duhet deri te vendimet gjyqësore?
Polemika më e madhe u ngrit rreth një deklarate të Ungerit. Sipas saj, do të ishte “budallallëk” të besohej se, gjatë mandatit të parë gjashtëvjeçar të autoritetit, do të kishte vendime gjyqësore të formës së prerë në raste të mëdha korrupsioni. Video-blogeri dhe publicisti i njohur Pobert Puzsér e cilësoi këtë deklaratë “dërrmuese” në Facebook. Sipas tij, kryeministri kishte marrë në zgjedhje “një mandat të paprecedentë për t’i nxjerrë para përgjegjësisë grabitësit e vendit”. Nëse hungarezët do të duhej të prisnin gjashtë vjet për këtë, kjo do të çonte në dështimin e qeverisë së Partisë Tisza.
Kryeministri Magyar reagoi shumë i acaruar ndaj kritikave të përhapura se në krye të NVVH-së nuk ishte një juriste. “Nuk pati kurrë premtim që populli të votojë, si në një show castingu, se kush do ta drejtojë NVVH-në,” shkroi ai në Facebook. Sipas tij, ekspertët e kishin gjykuar Ungerin të përshtatshme për postin.
Sipas politologut Gábor Török, në një podcast të portalit 24.hu, procesi i ngritjes së autoritetit tregon diçka të qartë: NVVH-ja do të jetë njëkohësisht një “institucion historik” dhe një “institucion i fuqishëm politik”. Qëllimi është rivlerësimi i së kaluarës. Pritshmëria e publikut ndaj Partisë Tisza është një “larje e plotë hesapesh” me sistemin e vjetër. Qeveria mund ta ruajë besimin e dhënë asaj vetëm nëse nuk krijohet përshtypja se “fajtorët e rendit të mëparshëm” po shpëtojnë pa u dënuar.
