Bota e gjuhës sonë

Çdo gjuhë është pasuri dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Në gjuhë ruhet fryma e kombit.

“Në gjuhë ruhen përvojat, njohuritë dhe besimet e një kombi”, tha Fernando Lazaro Carreteri.

Botën e gjuhës sonë e kemi kudo me vete. Në gjuhë është ngjeshur përvoja e paraardhësve tanë. Gjuha na lidh jo vetëm me të gjallët, por edhe me të vdekurit; jo vetëm me të tashmen, por edhe me të kaluarën.

“Asgjë nuk na lidh më shumë emocionalisht me të vdekurit sesa gjuha”, tha Benedikt Andersoni.

Për shqiptarët gjuha ka qenë element bashkues. Shkrimtarët dhe mendimtarët shqiptarë e theksuan rolin parësor që ka gjuha në krijimin e ndjenjës së përkatësisë.

“Nëpër gjuhë shqype bota mbarë / ka me ju njoftë se ç’fis ju kini”, shkroi Fishta.

Për Faik Konicën, gjuha është thesari ynë dhe shënimi i parë që e rrëfen kombësinë.

Në faqet e historisë sonë janë shënuar edhe martirë të gjuhës, si Petro Nini Luarasi dhe Papa Kristo Negovani.

SKENARË QË PËRSËRITEN. Mjerisht, sot në Maqedoninë e Veriut ka protagonistë politikë e shoqërorë, të cilët mëtojnë që gjuha shqipe të ketë përdorim të kufizuar zyrtar, megjithëse shqiptarët janë popull ndenjëtar.

Këto qëndrime nxisin tensione ndëretnike, që çojnë në polarizime politike e etnike, ngecje ekonomike (sepse investitorët e huaj ikin nga vendet ku ka të tilla tensione) dhe krijohet mosbesim ndaj institucioneve.

SIMBOLIKA E KULLËS SË BABELIT. Miti i Kullës së Babelit e shpjegon domosdoshmërinë dhe bukurinë e shumësisë së gjuhëve dhe kulturave, por ksenofobët shohin vetëm një botë njëngjyrëshe. Ata duan një botë të amullt, pa ngjyra, pa zëra, pa ngjyresa etnike, kulturore e gjuhësore.

Ksenofobia është mbyllje dhe varfërim. Tolstoi tha: “Ai që e do kombin e vet duke urryer tjetrin, i vë flakën shtëpisë së vet”.

Qëndrimet ksenofobe kufizojnë bashkëpunimin ndëretnik. Pikërisht ksenofobëve u pengon përdorimi i gjuhës shqipe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.