Shkupi pret gjigantin e letrave shqiptare: Bashkim Hoxha do të vijë në “Akropoli i Ri”
Një ngjarje e veçantë letrare do të mbahet më 27 mars në Qendrën “Akropoli i Ri”, ku i ftuar do të jetë një nga emrat më të njohur të letërsisë dhe dramaturgjisë shqiptare, Bashkim Hoxha, shkruan Portalb.mk.
Shkrimtari, dramaturgu dhe skenaristi i njohur, me një karrierë të gjatë dhe të vlerësuar si në vend ashtu edhe ndërkombëtarisht, do të sjellë para publikut një përvojë të pasur kulturore dhe intelektuale.
Bashkim Hoxha është fitues i disa çmimeve prestigjioze, ndër të cilat veçohen çmimet “Aleksandër Moisiu” për dramat “Unë dhe Mefistofeli” (1988) dhe “Këngë dashurie me korba” (1997), çmimi “Romani më i mirë” në Panairin e Librit në Fier për veprën “Gruaja e shiut” (2015), si dhe çmimi i parë në konkursin mbarëkombëtar të dramës “Katarina Josipi” në Prishtinë për “Askushi” (2016). Po ashtu, ai është nderuar edhe me titullin e lartë shtetëror “Mjeshtër i Madh”.
Programi i aktivitetit përfshin lexime të përzgjedhura nga krijimtaria e autorit, një panel diskutimi mbi dimensionet filozofike të veprës së tij, si dhe një sesion interaktiv pyetje-përgjigje me publikun, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Qendrës “Akropoli i Ri”.
Ngjarja nis në ora 17:30 dhe pjesëmarrja është e hapur për të gjithë dashamirësit e letërsisë dhe artit.