Prishtina bëhet skena e filmit të ri “Zbardhje” të Kaltrina Krasniqit
Ka nisur në Prishtinë xhirimi i filmit të ri artistik “Zbardhje”, me regji të Kaltrina Krasniqit, një nga projektet më të reja filmike që sjell në qendër dy figura të njohura të kinemasë shqiptare, Adriana Matoshin dhe Arta Dobroshin, shkruan Portalb.mk.
Filmi prodhohet nga Vera Films dhe ribashkon ekipin kryesor krijues të filmit “Vera Andrron Detin”, vepra e parë me metrazh të gjatë e Krasniqit, e cila pati premierën në garën Orizzonti të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venedik.
Përveç Matoshit dhe Dobroshit, në kastin e filmit paraqiten edhe Kosovare Krasniqi, Agron Shala, Aurita Agushi, Art Pasha dhe Blerta Ismaili.
E vendosur në Prishtinën bashkëkohore, drama ndjek historinë e dy grave nga botë të ndryshme. Fatimja, që vjen nga periferia, punon si mirëmbajtëse, ndërsa Elvira drejton një kompani marketingu në qendër të qytetit. Rrugët e tyre kryqëzohen në një realitet urban që ndryshon çdo ditë, mes prishjes, rindërtimit dhe zhdukjes së kujtesës.

Sipas konceptit të filmit, “Zbardhje” e trajton zbardhjen si një logjikë sociale, kulturore dhe zhvillimore, ku hapësirat, trupat dhe historitë pastrohen e fshihen në emër të aspiratave shoqërore.
Filmi ka skenar të Doruntina Bashës, ndërsa producent është Ares Shporta. Projekti mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe nga institucione dhe fonde ndërkombëtare nga Bullgaria, Shqipëria, Mali i Zi, Holanda dhe Zvicra, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Qendrës Kinematografike të Kosovës.
“Zbardhje” vjen si bashkëprodhim i Vera Films (Kosovë), Portokal (Bullgari), Papadhimitri Productions (Shqipëri) dhe Code Blue Production (Mali i Zi).
Xhirimet do të zhvillohen në Prishtinë dhe Ulqin gjatë periudhës mars-prill 2026.
