Shkruan: Remzi Salihu
Ngandonjëherë jeta nuk shkon ashtu siç duam ne, por ajo është në lëvizje e sipër dhe e pandalshme në rrjedhën e saj për ta gjetur kahjen e vet kuptimplote. Jeta e përmbush veten në forma dhe dimensione të ndryshme. Ato dimenzione dhe forma të shumta që veprojnë në rrugë e sipër, saldohen brenda nesh, si sprova jetësore të përjetuara; qoftë ato të jenë raste të hidhura, apo të lumtura. Jeta është një det i thellë, që përballet me baticat dhe zbaticat e veta. Ngritjet dhe zbritjet e njerëzve nëpër kohë trazirash e paqe kanë kuptimin e vetë domethënës.
Njerëzit të kalëruar nëpër këto dallgë jete bartin përvoja të ndryshme. Përvoja që i japin kuptim vetes dhe të tjerëve. Këto ndodhi jetësore kapin efekte relative të përjetimeve të ndryshme. Dhe përjetimet e gjithsecilit gradualisht shndërrohen e kthehen në transformime të ndërgjegjësimeve të veçanta. Jeta nuk është vetëm ndërlidhje e kohës dhe hapësirës, por është edhe përmbajtje që ngërthen në vete shpirtra të shumta njerëzore.
Pikësynimi i arritjes së kuptimësisë së njohjes së vetes, është vetvetja. Vetvetja është prona më sublime që kapërce nëpër labirinteve të rritjes dhe ndryshimit. Ajo e ka fuqinë në thellësinë e qëndresës dhe në drejtpeshimin vertikal të individit. Vetja është ajo vetvete që përjetohet dhe sprovohet nëpër rrugëtimin jetësor, kryesisht për ta gjetur përsosjen e transformuar dhe ndërgjegjen kultivuar.
Jeta është udhëtari që zhytet thellësive të kohës, kurse vetja kalëruesi i saj. Kur kalëruesi e njeh mirë udhëtarin, shtegtimi bëhet më i lehtë nëpër kohë. Vetja plotësohet me të vërtetën dhe i jep kuptim jetës. Atë kahjen e vërtetë të sprovës së jetës së sulmuar nga erërat e ndryshme, të cilat përplasen pa dëshirën tonë nëpër kohë. Dhe njerëzit në këtë rrugëtim jetësor nuk janë udhëtarë të rastësishëm, por janë qenie të kodifikuara mirë e fuqishëm për të derdhur e ndërlidhur mesazhe që vijnë nga brendia e tyre. Dhe jeta e njerëzve përherë atakohet dhe latohet nga afrimet dhe largimet e papritura.
Edhe e mira po edhe e keqja janë të destinuara të manifestojnë në vete rrëzimin dhe ngritjen e njeriut nëpër kohëra dhe etapa të ndryshme. Jeta në univers është vlerë që përsoset nga vetë prania e saj. Ajo zhvillohet dhe kalon provave jetësore të ndryshme. Kurse vdekja nuk është fjala e fundit e vetvetes dhe jetës, por një transformim shpirtëror tjetër që reflekton dimensione të ndryshme të vlerave të qenësisë. Është mënyrë për të kuptuar ekzistencën e pranisë së vlefshme. Dhe tani a thua vallë këto përjetimet e mia qenkan ndëshkim?
Po nëse janë ndëshkim, atëherë çfarë të keqe paskam investuar në vetveten time, që ato të më lëndojnë mua kaq shumë fizikisht e shpirtërisht? Po këto ndëshkime që më atakojnë mua tani, nuk po më duket se janë ndriçimi dhe rrezatimi im i brendshëm. Pse të më ndodhin mua këto të papritura që nuk kanë të bëjnë me unin tim? Çfarë rrugëtimi i shenjtë është ky udhëtimi im nëpër këto labirintet jetësore të mia dhe çfarë kuptimi ka vetëdija ime tani kur të tjerët e anashkalojnë atë? Të tjetër nuk e ndjejnë brendinë e vetvetes sime, sepse ato janë frekuenca të tjera të qëllimeve të tyre që përjetohen e manifestohen ndryshe.
Vetëm ndërgjegjja e pastër të lidh me botën e padukshme të tjetrit. Biseda me vetveten më orientojnë të kuptoj më kthjellët botën e gjallë me atë shpirtërore. Këtë akt e bëj tani në këtë gjendje të thellë të heshtjes dhe të rënduara nga plagët. Në këtë gjendje ku torturat shpalojnë në trup imazhin e dhimbjeve të tatuazhuara në shpirt. Malltretimet dhe vuajtjet e tmerrshme, digjen nëpër plagët e pësimeve të mia të papritura.
Sprovat bëhen qelia e durimit tim. Zemra po më del përbi kokë. Në mua është strehuar golgota e idealeve të burgosura. Çdo gjë ka marrë forcën e qëndresës. Për të arritur në një kuptim më të lartë të njohjes së vetvetes dhe realitetit shpirtëror që gjendet brenda orbitës së dukshme dhe të padukshme jetësore. Prandaj komunikimi me vetveten është akt më i përsosur meditimi që reflekton dhe ndriçon etikë njerëzore, për ta gjetur shtegun më të afërm të energjisë sime, me atë të energjisë universale.
Ku gjendet tani ajo aura ndriçuese që të më mbrojë nga këto prapështi kohe që i thur qenia njerëzore? Ku është ajo vetëdije që do ta sublimojë harmoninë me vetveten dhe gjithësinë? Kuptim i vetvetes kundrejt jetës ekzistuese bëhet përmes marrëdhënieve të njohjes së dashurisë dhe krijimit të vlerave të verifikuara njerëzore.