Biblioteka “Koço Racin” në Tetovë hapi konkursin komunal “Bibliotekistët e rinj”
Biblioteka e INQK “Koço Racin” në Tetovë për herë të tretë organizon garë në konkursin komunal “Bibliotekistët e rinj”. Gara është e dedikuar për nxënësit e klasave të 8-ta dhe të 9-ta, transmeton Portalb.mk.
Ky konkurs synon të inkurajojë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre në fushën e bibliotekarisë dhe të promovojë rëndësinë e leximit dhe menaxhimit të informacionit.
IN Biblioteka “Koço Racin”- Tetovë, këtë vit për herë të tretë organizon garat komunale “Bibliotekistët e rinj”, gara këto që në nivel republikan organizohen nga Shoqata e Bibliotekistëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe janë të 29-tat me radhë.
Gjulten Ajruli përgjegjëse e projektit për Portalb.mk tha se ideja e organizimit të këtyre garave ka lindur si obligimin moral për ti inkurajuar edhe bibliotekat shkollore në pjesën e Maqedonisë të banuar me shqiptarë.
“Ideja e organizimit të garave të kësaj natyre lindi si obligim moral ndaj përkushtimit të punës dhe dëshirës për të inkurajuar edhe bibliotekat shkollore në pjesën e Maqedonisë të banuar me shqiptarë, që për fat të keq para kësaj kohe angazhimi i tyre ka qenë mjaft i dobët. Ishte biblioteka jonë, respektivisht bibliotekistet Gjulten Ajruli dhe Ganimet Elmazi, njëherit edhe koordinatore të projektit, që morën iniciativë për të filluar bashkëpunim me bibliotekat shkollore të Tetovës me rrethinë duke trajnuar nxënësit e shkollave fillore të ciklit të lartë me procesin e punës në bibliotekë. Viti 2023 ishte viti i parë i këtij angazhimi dhe sigurisht përballjet me sfida dhe probleme të ndryshme ishin të mëdha”, tha Ajruli.
Ajruli shtoi se që në fillim arritën që të zgjojmë kureshtjen te të rinjtë dhe atë vit kishin 25 kandidatë, nxënës pjesëmarrës në gara.
“Fituesja e garave komunale, arriti që në nivel republikan të zë vendin e dytë, gjë që kjo edhe njëherë dëshmoi përkushtimin dhe dëshirën tonë për punë. Vitin tjetër, pra në vitin 2024, numri i konkuruesve u rrit edhe më shumë, nga 25 që kishim në garat e para arriti në 36 kandidatë, ndërsa këtë vit kemi 73 konkurrues edhe atë 52 nxënës nga paralelet shqipe ndërsa 21 nga ato maqedone. Kjo dëshmon se për çdo vit numri i të interesuarve rritet dhe me këtë rritet edhe vlera e bibliotekave në veçanti dhe lënda e bibliotekarisë në përgjithësi. Vlen të theksojmë që pas Bibliotekës së Tetovës vitin e kaluar këto gara i organizoi edhe biblioteka e Kërçovës që edhe morën vendin e parë andaj dhe këtë vit janë edhe nikoqir të garave republikane, ndërsa sivjet edhe biblioteka e Gostivarit iu bashkëngjit kësaj nisme”, tha Ajruli.
Nga mungesa e hapësirave ato detyrohen që garat të organizohen në shkolla të ndryshme.
“Më duhet të theksoj se nga mungesa e hapësirave adekuate në bibliotekën tonë jemi të detyruar që këto gara t’i organizojmë në shkolla të ndryshme. Vitin e parë , stafi i SHFK “Bratstvo-Migjeni” -Tetovë dhe vitin tjetër SHFK “Gjergj Kastrioti-Skenderbeu” në fshatin Poroj, ishin të gatshëm për bashkëpunim dhe mundësuan realizimin me sukses të këtij projekti. Ndërsa vitin e parë projekti u realizua me mjete vetanake të bibliotekës, dy vitet e fundit financuese e projektit është Ministria për Kulturë dhe Turizëm e RMV-së”, tha Ajruli.
Ajruli gjithashtu tha se qëllimi kryesor i këtij konkursi është të promovojnë kulturën e leximit dhe të zhvillojë aftësitë e menaxhimit të informacionit te të rinjtë.
“Qëllimi kryesor i këtij konkursi është të promovojë kulturën e leximit dhe të zhvillojë aftësitë e menaxhimit të informacionit te të rinjtë, duke i përgatitur ata për sfidat e së ardhmes në fushën e bibliotekarisë dhe edukimit. Përmes këtij aktiviteti veç tjerash ne përcjellim edhe mesazhin senzibilizues për rëndësinë dhe vlerën e bibliotekës si thesar i pasur i dijes dhe kulturës. Le të bëjmë çdo ditë një hap të vogël për të mbajtur gjallë këto hapësira magjike të dijes dhe kreativitetit”, tha Ajruli.
Konkursi zhvillohet në disa faza, duke filluar me garat në nivel komunal që këtë vit do të mbahen më 16 prill 2024 përsëri në bibliotekën universitare “Max van der Stoel” në Tetovë.
Fituesi i këtij konkursi do të fitojë të drejtën e pjesëmarrjes në garat republikane “Bibliotekistët e rinj”, të cilat këtë vit do të mbahen më 7 maj 2025 në Kërçovë, në bibliotekën e qytetit “Koço Racin”.