E keqja bie mbi kurrize pakurrizorësh

Bota po tollovitet ashtu siç nuk e mbajnë mend të lindurit pas Luftës së Dytë Botërore. Një dreq i madh ka hyrë në barkun e njerëzimit. Shtete të tëra po militarizohen, po vënë gjithçka në shërbim të pajisjes me armët më vrasëse, po përgatiten për luftëra pushtuese, gjithnjë me arsyetimin se e bëjnë këtë për mbrojtje nga kanosjet e të tjerëve. Në ankth të veçantë janë shkretishtet e vogla që s’kanë takat të mbrojnë veten pa qenë vasalë të balenave të mëdha.

Shtetet në fjalë drejtohen zakonisht nga parësi të korruptuara, që i shndërrojnë popujt në rajë dhe i detyrojnë të marrin frymë, të qeshin e të qajnë në ritmin që u shkon për hoshafi. Ata janë satrapë ndaj të vetëve, po e çojnë mirë me të fortit dhe s’bëjnë asgjë pa lejen e tyre. Ata gjithë pisllëqet i arsyetojnë me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.

Madje edhe dhurimet e copëzave të Atdheut, shitjen me çmime qesharake të aseteve kombëtare, varfërimin dhe zbehjen e shpresës së njerëzve për një jetë më të dinjitetshme, që ka shkaktuar ekzodin më të paparë të të rinjëve nga trojet e të parëve. Me këso politikash ata sigurojnë garancinë e jetës plot luks në kohë paqe dhe mbrojtjen e çifliqeve të vjedhura në kohë krizash, si kjo e sotmja, kur seriozisht është rritur rreziku i luftërave apokaliptike për shkak të manisë së hegjemonëve të pangijshëm për ta vënë njerëzimin nën thundrat e tyre.

Kërcënimet e këtilla kanë rritur shqetësimin e shteteve të gjendura para ultimatumeve të superfuqive piromane, të cilat, si përherë, ndërtimin e rendit të ri botëror e nisin me pushtimin e më të vegjëlve. Të rrezikshëm për paqen globale janë dhe jatakët e shteteve balena si Serbia e mbetur në duart e pinjollëve të Kasapit të Ballkanit, të cilët, për të justifikuar pretendimet territoriale ndaj fqinjëve, kanë rivënë në lojë propagandën e vjetër për gjoja rrezikun që i kanoset popullit “të përvuajtur serb”, në Kosovë, Bosnjë dhe Mal të Zi.

Për çudinë e çudirave, betejës së prirë nga Vuçiqi për sendërtimin e Botës Serbe, ia mbajtën ison edhe vëllamët shqipfolës, të cilët, në vend se ta akuzojë para botës si nxitës të sëmurë konfliktesh gjenocidiste, ia siguruan karrigen e nderit në përrallën për Ballkanin e Hapur, pjesë e së cilës nuk mund të ishte gjysma e shqiptarëve, për aq kohë sa vëllami serb i Kryeministrit të Shqipërisë mohoi dhe mohon pa brerje ndërgjegje dhunën dhe krimet monstruoze të bëra mbi popullatën civile të Kosovës, për shkak të të cilave u fut në luftë gjithë bota perëndimore.

Për ta kuptuar mirëfilli marrëzinë shqiptare që e tebdilosi kryeministrin serb në burrështetas të përgjëruar për paqen dhe mirëqenien e Ballkanit, mjafton të ndiqni deklaratat e ditëpërditshme të parisë së tij luftënxitëse, e cilia nuk e fsheh fare se pret momentin e volitshëm për pushtimin e sërishëm të Republikës së Kosovës, që mund dhe ta realizojnë, ashtu siç e kanë realizuar mentorët e tyre, sa herë që ramë në grackën e tre mëzetërve, të cilëve ua ha kokën ujku, pasi i bën pikepesë me pallavra dashamirëse.

Kështu e shohin havanë të mallkuarit e botës pise, që nuk e kuptojnë se e keqja bie një dajm mbi kurrize pakurrizorësh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.