Edhe pse me rëndësi globale, në nivel lokal bëhet pak për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit

Në muajin shkurt një grup ekspertësh ndërkombëtar të UNESCO-s pritet të inspektojë në terren gjendjen e pasurisë natyrore dhe kulturore në Rajonin e Ohrit. Organizata Botërore vazhdimisht ka shprehur shqetësim të thellë për ndërtimin e objekteve shumëkatëshe në bregun e liqenit, kontrollin e dobët arkitektonik të ndërtesave të reja në zemrën e qytet, por edhe në pjesën tjetër të rajonit, si dhe përdorimin joadekuat dhe të tepruar të bregut të liqenit me infrastrukturë të papërshtatshme turistike që ka ndikim shumë negativ mbi pasurinë e mbrojtur. Ekspertët vendorë thonë se kjo pasuri vazhdon të mbetet në rrezik, shkruan portalb.mk.

Liqeni i Ohrit është një thesar natyror i përbashkët i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me një rëndësi të madhe globale. Ndër vite Rajoni i Ohrit, po përballet me një numër të madh problemesh. Pakujdesia e qytetarëve dhe neglizhenca e autoriteteve ka sjellë paralajmërime që ky rajon të hiqet nga lista e pasurive botërore të mbrojtura natyrore dhe kulturore të UNESCO-s. Në vitin 2021 UNESCO kërkoi nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që deri më 1 shkurt 2023 t’i paraqesin Qendrës së Trashëgimisë Botërore një raport të përbashkët të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së zonës së mbrojtur. Raporti në fjalë duhet të konfirmojë rrezikun e mundshëm për listimin e Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Nga Ministria e Kulturës thonë për Portalb.mk se raporti i kërkuar është përgatitur nga institucionet relevante dhe se do të dorëzohet në UNESCO brenda afatit.

“Raporti për gjendjen e mbrojtjes dhe progresin në zbatimin e rekomandimeve të Misioneve Monitoruese Reaktive është përgatitur në bashkëpunim me të gjitha ministritë, institucionet dhe pushtetet vendore kompetente që ofrojnë progres sipas kompetencave të tyre. Duke marrë parasysh që Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit që nga viti 2019 është pasuri ndërkufitare, Raporti për Gjendjen Mbrojtjes këtë vit është përgatitur së bashku me Republikën e Shqipërisë dhe paraqet një raport të përditësuar të Raporteve të dorëzuara në vitin 2022 nga shtetet anëtare RMV dhe Shqipëria (që rrjedh nga Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore 44СОМ 7В.77 i vitit 2021). Pas miratimit të Raportit nga autoritetet në të dy vendet, ai do të dorëzohet në Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s brenda afatit të përcaktuar. Raporti mbi gjendjen e ruajtjes pas pranimit të tij nga Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s do të publikohet në faqen e tyre të internetit dhe do të jetë në dispozicion të publikut”, deklaroi Zoran Pavlov, Kryetar i Komisionit për Menaxhimin e Trashëgimisë Natyrore dhe Kulturore Botërore të Rajonit të Ohrit.

Nga ana tjetër sektori civil shprehet pesimist me progresin pozitiv në përmbushjen e rekomandimeve të UNSECO. Me një letër të përbashkët Organizatat Joqeveritare ekologjike nga RMV dhe nga Shqipëria drejtuar deri tek institucionet relevante kanë kërkuar shtyrjen e përkohshme të miratimit të Planit Strategjik të Rimëkëmbjes për Trashëgiminë Botërore.

“Plani Strategjik i Rimëkëmbjes së Trashëgimisë Botërore është padyshim një nga dokumentet kyçe të rëndësishme për Liqenin e Ohrit dhe Galiçican. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për detyrimin që ju keni, për t’ia dërguar këtë plan të përbashkët organeve këshillimore dhe Komitetit të Trashëgimisë Botërore, në muajin shkurt 2023, por gjithashtu merrni parasysh sa vijon:

  • Maqedonia e Veriut është gjithashtu e detyruar të zbatojë Vendimin e Konventës së Bernës që nënkupton shtyrjen e miratimit të këtij dokumenti deri sa te përfundojë Vlerësimi ne Terren (planifikuar për në prill 2023);
  • OSA (vlerësimi ne Terren) mund të përfshijë përfaqësues nga UNESCO (dhe Konventa Ramsar) si vëzhgues;
  • Termat e punës për ekspertet e OSA përfshijnë mbledhjen e informacionit mbi Planin Strategjik të Rimëkëmbjes (dhe rrjedhimisht do I përfshijnë konkluzionet në rekomandimet dhe ne planin e monitorimit për zbatimin e rekomandimeve)”, thuhet mes tjerash në letrën e përbashkët të OJQ-ve në RMV dhe Shqipëri.

*Letrën e plotë mundet ta lexoni KËTU.

Përveç aspektit kulturor rrezik i madh i kanoset edhe aspektit mjedisor në rajonin e Liqenit të Ohrit. Janë rreth 10 pika në anën e RMV ku është konstatuar nivel i lartë i ndotjes së liqenit e cila rrezikon biodiversitetin dhe botën endemike në liqen. Rreth kësaj teme si institucion i rëndësishëm relevant u kontaktua edhe Ministria e Mjedisit Jetësor megjithatë nga kjo Ministri nuk iu përgjigjen kërkesës sonë për informacion.

Zonat më të ndotura në Liqenin e Ohrit, pjesa e Maqedonisë së Veriut (Burim i informacionit "Lake Ohrid Heritage"
Zonat më të ndotura në Liqenin e Ohrit, pjesa e Maqedonisë së Veriut (Burim i informacionit “Lake Ohrid Heritage”

Armiku më i madh i liqenit konsiderohen objektet ilegale dhe aksionet që ndërmerren për krijimin e hapësirave të reja në liqen për ndërtime të egra. UNESCO kërkon heqjen e menjëhershme të objekteve të paligjshme në bregun e liqenit të Ohrit dhe Strugës. Në Ohër, 50 metra nga bregu, janë regjistruar 414 objekte të paligjshme. Nga 15 mijë kërkesa për legalizim të paraqitura në komunën e Ohrit dy vjet më parë – 11,000 ishin shtëpi familjare, 420 ndërtesa dhe 28 hotele. Në Strugë, nga ana tjetër, numri i përgjithshëm i kërkesave të paraqitura për legalizim është 10,639. Të refuzuara, të paplota pa shtjellime janë 4,470. 3,127 raste janë zgjidhur. 3,038 janë në proces. Nga ata 3,038, 65 janë 50 metra larg liqenit. Gjysma e tyre u refuzuan.

KE: Trashëgimia kulturore e vendit nuk mbrohet sa duhet

Komisioni Evropian për këtë çështje në raportin e fundit nënvizoi: “Ekziston një reagim i dobët institucional dhe bashkëpunim ndërinstitucional në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje dhe shkombëtarizimin e trashëgimisë kulturore me “status të rëndësisë së veçantë”, si Ohri dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit.

“Në gusht 2021, Komiteti i Trashëgimisë Botërore i dha vendit dy vjet shtesë për të zbatuar rekomandimet e UNESCO-s për Trashëgiminë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit. Zbatimi i rekomandimeve mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon angazhim dhe reagim më të fuqishëm nga autoritetet kombëtare dhe lokale. Në dhjetor 2021, Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës miratoi një vendim për hapjen e një çështjeje për vendet e Emerald të Liqenit të Ohrit dhe Parkut Kombëtar të Galiçicës, si rezultat i shqetësimeve të ngritura për ndikimin nga projektet e pakontrolluara të infrastrukturës mbi vendet”, theksohet mes tjerash në Raportin e Progresit.

Ndryshe, Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979. Një vit më vonë edhe Qyteti i Ohrit iu shtua listës së vlerave të mbrojtura kulturore dhe historike, kështu që rajoni i Ohrit u bë një nga vetëm 38 zonat e përziera natyrore dhe kulturore në botë të njohura dhe të mbrojtura nga UNESCO. Në vitin 2009, nisi një iniciativë për të përfshirë edhe anën shqiptare të liqenit dhe bregdetin nën kujdesin e UNESCO-s, kështu që dhjetë vjet më vonë në vitin 2019, rajoni u zgjerua në të dy anët e liqenit duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 94,7 hektarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button