Profile të rreme në rrjetet sociale i targetojnë protestuesit në Shqipëri

Pas disa javësh protesta në të cilat kërkohet dorëheqja e tij, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i ka akuzuar algoritmet e rrjeteve sociale se “i kanë hedhur benzinë zjarrit” në të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”, shkuran Prizma, transmeotn Portalb.mk.

“Sa më shumë shikime keni, aq më shumë ndikim keni. Sa më shumë ndikim keni, aq më shumë pushtet keni. Pushtet mbi kë? Mbi skllevërit e algoritmeve – mbi të gjithë ne”, u tha Rama deputetëve nga Partia e tij Socialiste në pushtet.

Disa ditë më vonë ai sërish iu kthye temës së manipulimeve në rrjetet sociale pas vizitës në fshatin piktoresk malor të Thethit, ku vitin e kaluar qeveria shembi dhjetëra shtëpiza turistike të ndërtuara ilegalisht, gjë që i nxiti banorët lokalë të protestonin.

Rama postoi pamje të ekranit të telefonit me, siç pretendoi ai, më shumë se dhjetë profile të rreme në Facebook që kanë komentuar në postime që i kritikonin planet e tij për zhvillimin e turizmit në rajonet malore të Shqipërisë.

“Shikoni se si po i fyejnë, mallkojnë dhe nënçmojnë tani gjithë këta njerëz në Theth”, shkroi ai.

Por, të dhënat të cilat i siguroi BIRN sugjerojnë se teknikat e manipulimit në rrjetet sociale në fakt janë përdorur në mbështetje të Ramës pas shpërthimit të protestave “Flamingo” në fillim të qershorit, të nxitura nga planet për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz në një pjesë të mbrojtur të vijës bregdetare të lidhur me dhëndrin e Donald Trump-it, Jared Kushner.

Në qershor dhe në fillim të korrikut përderisa dhjetëra mijëra njerëz kishin dalë në rrugë, platformat e rrjeteve sociale u përmbytën me qindra profile të rreme të cilët në të njëjtën kohë i përforcuan mesazhet qeveritare dhe realizuan sulme të koordinuara ndaj mbështetësve të protestave.

Ekspertët thonë se mekanizmi duket pothuajse identik me atë që supozohet se është përdorur nga administrata publike nën kontrollin e socialistëve të Shqipërisë: video të prodhuara nga shërbimet qeveritare të marrëdhënieve me publikun dhe meme të parapërgatitura shpërndahen njëkohësisht nga një ushtri sekrete digjitale që vepron pas profileve të rreme.

Kjo teknikë përdoret edhe për të krijuar një përshtypje të rreme të mbështetjes së gjerë publike, edhe për t’i sulmuar kundërshtarët politikë.

“Kur veprohet në numër të madh dhe në mënyrë të sinkronizuar, algoritmet e rrjeteve sociale mund ta interpretojnë këtë aktivitet si angazhim të vërtetë organik, duke i dhënë përmbajtjes një shtrirje më të madhe”, thotë eksperti i TI-së Besmir Semanaj.

Zyra e marrëdhënieve me publikun e kryeministrit shqiptar i quajti “absurde” akuzat për një lidhje mes profileve të rreme dhe punonjësve të administratës publike.

“Nuk ka asnjë urdhër apo koordinim nga qeveria që e udhëzon administratën publike të angazhohet në aktivitete të tilla”, tha një këshilltar për media i Ramës.

Sjellje joautentike e koordinuar?

Teknikën me të cilën një numër i madh i profileve e shpërndajnë njëkohësisht të njëjtin material ose mesazhe të njëjta hulumtuesit e quajnë “sjellje joautentike e koordinuar”.

Në një punim shkencor të vitit 2025 hulumtuesit Richard Rogers dhe Nicola Righetti sugjerojnë se qëllimi kryesor i kësaj sjelljeje është që t’i mashtrojë algoritmet e rrjeteve sociale duke imituar “angazhim organik”.

Ky nuk është një fenomen i ri në Shqipëri. Gjatë fushatës zgjedhore parlamentare të vitit të kaluar, qindra profile me emra përdoruesi që mbaronin me “.2025” u përdorën për të komentuar ose sulmuar kandidatë të ndryshëm. Socialistët e Ramës fituan zgjedhjet me një shumicë dërrmuese, duke i siguruar atij një mandat të katërt radhazi si kryeministër, që është rasti i parë në Shqipëri.

Tani, qindra profile të rreme u shfaqën sërish në rrjetet sociale, këtë herë duke e targetuar protestën.

BIRN identifikoi më shumë se 100 profile të rreme në Facebook dhe Instagram të krijuara nga 28 deri më 30 qershor. Shumë prej tyre u identifikuan duke i ndjekur drejtpërdrejt postimet e Ramës në Facebook dhe duke i analizuar përdoruesit që i shpërndanë ato.

Profilet nuk e fshehin përcaktimin e tyre politik, sepse kryesisht përdorin pseudonime të bazuara në emrat e qyteteve dhe referenca të drejtpërdrejta për vitin e synuar 2030, të cilin Rama e thekson si datën deri në të cilën Shqipëria duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, të tilla si: “Edi Rama për Shqipërinë 2030”, “Kolonja sot 2030” dhe “Bulqiza e të ardhmes 2030”.

Edhe pse profilet kanë emra të ndryshëm, ato e shpërndajnë të njëjtën përmbajtje pro-qeveritare. Megjithatë, për dallim nga profilet autentike që ndajnë postime pozitive në mbështetje të qeverisë, profile e rreme përdoren kryesisht për ta sulmuar ose diskredituar protestën dhe mbështetësit e saj.

Caqe kryesore të tyre janë udhëheqësit e partive më të vogla të opozitës, Agron Shehaj i partisë “Mundësia” dhe Arlind Qorri i lëvizjes “Lëvizja Bashkë”, të cilët kanë luajtur një rol të theksuar në protesta, si dhe ylli i popit Dua Lipa, një këngëtare britanike me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria, e cila kohët e fundit i përshkroi demonstratat si “frymëzuese”.

Postimet, memet dhe fotot e manipuluara që i publikojnë këto profile shpesh janë identike nga njëri profil në tjetrin. Por, përderisa numri më i madh i tyre kanë ngjallur më pak reagime, disa kanë pasur një ndikim të rëndësishëm personal.

Për shembull, deputetja Marjana Koçeku ishte cak i një fushate shpifjeje në internet pasi njoftoi dorëheqjen e saj nga Partia Socialiste për shkak të protestave.

“Këto ishin profile të sapokrijuara dhe përdornin gjuhë ofenduese dhe shpifëse. I ruajta të gjitha. Zgjati për disa ditë”, tha Koçeku për BIRN.

Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj ishte në shënjestër për shkak të përfshirjes së saj në protesta, përmes sulmeve të koordinuara të cilat kryheshin nga profile të rreme, por edhe nga profile autentike të aktivistëve të partisë, të cilët, për shembull, e akuzonin atë se ishte një marionetë e miliarderit dhe financierit amerikan George Soros.

“Në një rast e përmendën edhe partnerin tim“, tha Vatnikaj.

Ajo shtoi se disa nga sulmet online përfshinin fyerje diskriminuese rajonale, si për shembull e quanin “maloke” – një term përçmues për një person nga veriu i Shqipërisë – ose e etiketonin si “të dhunshme”.

Patronazh digjital

Ish-nëpunës të administratës publike për BIRN thanë se partia në pushtet për vite me radhë ka drejtuar një sistem ndikimi mbi mediat digjitale, i cili mirëmbahet përmes një strukture monitorimi të kryesuar nga një “koordinator digjital”.

Sipas tyre, sistemi furnizohet me përmbajtje të prodhuara nga shërbimet qeveritare për marrëdhënie me publikun dhe shtrihet në pothuajse të gjitha degët e administratës publike përmes zinxhirëve hierarkikë të komandës. Zyrtarisht, kjo gjë justifikohet si një mjet për sigurimin e transparencës.

Duke folur në kushte anonimiteti një ish-zyrtare e pushtetit qendror për BIRN tha se ajo ka marrë pjesë në grupet e WhatsApp ku janë shpërndarë postime dhe ku është monitoruar çdo aktivitet.

“Gjithçka monitorohej dhe kishte një sistem vlerësimi të performancës”, tha ajo.

Këtë praktikë e konfirmoi një tjetër ish-nëpunëse e nivelit më të ulët në administratë. Ajo shpjegoi se këto grupe në WhatsApp përdoreshin për të shpërndarë postime që punonjësit pastaj duhej t’i ndanin në profilet e tyre personale në rrjetet sociale dhe tu jepnin “pëlqime”, sidomos gjatë fushatave zgjedhore.

“Nëse dikush në grup nuk ishte mjaftueshëm aktiv, atij i dërgohej mesazh si: ‘Nuk je aktiv’”, tha ajo, duke shtuar se çdo ndërveprim regjistrohej me kujdes dhe ishte pjesë e sistemit të vlerësimit të performancës.

Ish-zyrtarë për BIRN deklaruan se identifikimi i njerëzve që ishin pjesë e këtij sistemi të patronazhit digjital ishte relativisht i lehtë.

“Mund t’i dallosh sepse edhe pse janë profile të vërteta, në to nuk ka asgjë personale , vetëm postime politike”, tha njëri.

“Kjo është edhe më e lehtë në faqet e figurave publike, postimet e të cilëve ndahen më pak”, tha një tjetër.

Duke i ndjekur këto gjurmë BIRN identifikoi profile të tjera të rreme në rrjetet sociale të krijuara në fund të qershorit, si dhe një numër më të madh të punonjësve të administratës publike që ndanin dhe “pëlqenin” rregullisht postime politike nga përfaqësuesit e shumicës në pushtet, duke përfshirë këtu edhe përmbajtje kundër protestave.

Për shembull, një postim nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në të cilin ajo i krahasoi protestat me sulmin e vitit 1998 ndaj zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë, u nda nga shumë punonjës të administratës publike, autoriteteve komunale dhe kompanive shtetërore në rajonet e Fierit, Patosit dhe Lushnjës.

Përderisa i analizonte këto profile autentike, BIRN vuri re se ato nuk ishin të kufizuara vetëm në ndarjen e përmbajtjeve politike. Ata ripostonin edhe materiale jopolitike nga Balluku, përfshirë këtu edhe video të perëndimit të diellit mbi det.

Hervin Çuli pretendon se kjo praktikë daton që nga koha kur ai ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, funksion nga i cili ai është tërhequr në vitin 2022. Në një postim në Facebook të datës 14 korrik Çuli thotë se gjatë kohës që ka qenë në detyrë, ai është udhëzuar të ndajë në rrjetet sociale dhe t’i “pëlqejë” postimet nga Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj vartëse, një praktikë që ai e përshkroi si të përhapur në të gjithë administratën publike.

Ai tha se ministrja e atëhershme e kulturës, Elva Margariti, e paraqiti këtë kërkesë si një udhëzim nga Rama.

“Skema ishte e thjeshtë. U krijua një grup në WhatsApp me të gjithë drejtorët e Ministrisë së Kulturës dhe nga të gjithë pritej të ndanin aktivitetet e ministrisë dhe gjithçka që publikohej atje. Postimet shfaqeshin atje dhe nga ne pritej që t’i “pëlqenim” dhe t’i ndanim”, tha ai.

Margariti nuk pranoi t’i komentonte akuzat e Çulit.