AUV: Domatet dhe kastravecat nuk përmbajnë metale të rënda të dëmshme për shëndetin e qytetarëve

Në domatet dhe kastravecat nuk ka metale të rënda të dëmshme për shëndetin e qytetarëve, tha në konferencën e sotme për media drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) Nikollçe Babovski, duke shtuar se për të nuk është e qartë se për çfarë qëllimi, partia opozitare VMRO-DPMNE po përhap panik në opinion, transmeton Portalb.mk.

“Përhapja e panikut dhe alarmit të rremë është vepër penale dhe nëse AUV do të bëjë kallëzim do të dimë në ditët në vijim”, tha Babovski.

Babovski tha se rezultatet e analizave për prezencën e pretenduar të mbetjeve të metaleve dhe metaleve të rënda janë negative.

“Duket se dikush e ka gënjyer dikë apo dikush ka ngatërruar mikro dhe miligramë”, tha Babovski dhe porositi se kur dilet të thuhet diçka duhet të jetë e saktë dhe e vërtetë.

Çështja e sigurisë së domateve dhe kastravecave është ngritur kohëve të fundit, ndërsa dy ditë më parë Cvetan Tripunovski nga VMRO-DPMNE në profilin e tij në Facebook ka shpërndarë informacion se në domatet dhe kastravecat janë gjetur plumb, kadmium dhe arsenik.

 

Edhe në fillim të muajit maj, VMRO-DPMNE deklaroi se nuk është kryer prokurim publik për testimin laboratorik të sëmundjes së brucelozës.

“Kontrollin primar të gjendjes shëndetësore të kafshëve në ferma e kanë blegëtorët dhe ata kujdesen për këtë. Ata respektojnë detyrimin ligjor për të raportuar çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve tek shoqatat veterinare ose tek veterinerët zyrtarë. Qumështi i papërpunuar që hyn në procesin e prodhimit është domosdoshmërisht i trajtuar termikisht (i sterilizuar/pasterizuar), gjë që eliminon mundësinë që qumështi i infektuar me bakteret e brucelës të hyjë në prodhim. Kjo baktere  zhduket nga trajtimi termik i qumështit. Po ashtu, në bazë të programeve të kontrollit dhe kontrolleve të kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, kontrollohet edhe siguria e çdo produkti të gatshëm”, sqaruan atëkohë nga AUV.