Bekteshi: Nuk do të ketë fatura më të shtrenjta të rrymës për amvisëritë nga 1 janari

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka thënë sot se nga 1 janari nuk do të ketë fatura më të shtrenjta të energjisë elektrike për amvisëritë, transmeton Portalb.mk.

Sa i përket kërkesës së kompanive energjetike, Bekteshi thotë se mund të kërkojnë edhe 500% të shpenzimeve që raportojnë, por Komisioni Rregullator i Energjetikës do të ketë vendim se sa nga ato shpenzime do të pranojë.

“27% nuk ​​është pretendim i madh nëse krahasojmë me vitet e kaluara nga MEPSO dhe nga distribucioni i EVN-së dhe EVN Home, ato nuk do të pranohen dhe prandaj deklarova se çmimi për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël nuk do të rritet nga 1 janari, përkundrazi, do të ketë mundësi shtesë që ato të ulen me tarifën e lirë”, thotë Bekteshi.

Dy ditë më parë, kreu i KRRE-së Marko Bislimoski tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike, nëse pranohen kërkesat e kompanive, mund të jetë për 27 për qind. Sipas Bislimoskit, deri më tani MEMO, MEPSO dhe “Elektrodistribucija” kanë dorëzuar kërkesa për çmime, por disa nga ato kërkesa janë jo të plota dhe për këtë arsye nuk mund të thuhet saktësisht se sa kanë kërkuar.

“Tenderi për blerjen e energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në MEPSO duhet të përfundojë deri në fund të kësaj jave dhe po ashtu ‘Elektrodistribucia’ e ka dorëzuar kërkesën para se të zbatojë tenderin e tyre, prandaj kërkesa e tyre nuk përfshin të dhënat për koston e blerjes së energjisë elektrike për të mbuluar humbjet. Prandaj KRRE nuk mund të thotë saktësisht se sa ka kërkuar MEPSO dhe sa ka kërkuar ‘Elektrodistribucia’”, tha Bislimoski në konferencën e sotme për media.

Ai po ashtu tha se nga tenderi për furnizuesin universal ka informacione se EMV ka ofruar çmim dhe tashmë është një çmim që do të realizohet nga 57 euro për megavat orë në vend të 53 eurove të mëparshme për megavat orë dhe në vend që të sigurohet nevojat totale prej 100 për qind për familjet dhe konsumatorët e vegjël, do të jenë 95 për qind.