Një shtetas sllovak deshi të transportojë 126 litra prekursorë droge, u kap në “Tabanoc”

Në veturën e një shtetasi sllovak, inspektorët e ekipeve mobile doganore nga Sektori për kontroll të hetimeve gjatë kontrollit në hyrje të pikës kufitare “Tabanovc”, gjetën dhe konfiskuan një sasi të madhe të prekursorëve për prodhim të drogës, njoftoi Drejtoria doganore, transmeton Portalb.mk.

“Me datë 10.12.2023, në vendkalimin kufitar “Tabanovc” për hyrje në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjatë kontrollit të një automjeti të udhëtarëve me targa sllovake, janë gjetur katërmbëdhjetë kanaçe me gjithsej 126 litra prekursorë të drogës, nga të cilat 10 kuti teneqeje me afishe TOLUEN LAKARSKY me peshë 9 litra secila dhe katër kanaçe me afishe ACETON me peshë nga 9 litra. Pas ekspertizës së mallit është konstatuar se janë prekursorë që përdoren për prodhimin e disa llojeve të drogave si kokainë, heroinë dhe droga të llojit amfetaminë”, thonë nga Drejtoria doganore.

Nga aty thonë se kundër personit është parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike kompetente për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve, të dënueshme nga neni 215 i Kodit Penal.