BE: Shëndetësisë së RMV-së i duhet ndërhyrje, infermierët dhe specialistët po ikin jashtë vendit

U krye transplanti i parë i mëlçisë në vend. Por shumë sfida mbeten për t’u zgjidhur në fushën e shëndetit publik, veçanërisht në lidhje me kontrollin dhe qasjen e duhanit, pastaj, duhet të përmirësohet gama e shërbimeve shëndetësore, financimi i kujdesit parësor shëndetësor dhe skriningu i kancerit. Përveç kësaj, harmonizimi i kujdesit shëndetësor të Maqedonisë me legjislacionin e BE-së për kujdesin shëndetësor mbetet i paplotë, transmeton Portalb.mk.

Këto janë vetëm disa nga vërejtjet e raportit të fundit të Komisionit Evropian për progresin e vendit, në pjesën që i referohet shëndetësisë.

“Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të intensifikojë përpjekjet për kontrollin e duhanit duke zbatuar në mënyrë efektive legjislacionin përkatës të BE-së dhe duke ratifikuar Protokollin për Eliminimin e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit. Gjithashtu duhet të sigurohet financim dhe kapacitet adekuat për të siguruar zbulimin e hershëm të kancerit dhe sëmundjeve të rralla në bazë të të dhënave nga regjistrat”, thuhet në pjesën e rekomandimeve për autoritetet e Maqedonisë.

Aty thuhet se kujdesi parësor shëndetësor është falas, por disponueshmëria dhe diapazoni i shërbimeve, si dhe financimi i kujdesit parësor shëndetësor, janë fusha ku duhet punuar.

“Edhe më tek mungojnë specialistë të caktuar. Raporti i mjekëve dhe infermierëve për 100 mijë banorë vazhdon të jetë nën mesataren e BE-së dhe stafi mjekësor, infermierët dhe specialistët vazhdojnë të largohen nga sektori i shëndetësisë publike për të punuar në sektorin privat ose jashtë vendit”, thuhet në raport.

Kostot e kujdesit shëndetësor janë të larta dhe kjo pengon aksesin e barabartë në kujdesin shëndetësor.

“Asnjë progres nuk është bërë në kontrollin e duhanit. Edhe pse kuadri institucional dhe ligjor është në rregull, kontrolli në praktikë mungon, duhani është ende gjerësisht i toleruar dhe i pasanksionuar, veçanërisht në restorante dhe objekte të tjera. Pirja e duhanit në hapësira publike duhet të dënohet. Për Covid-19, disa masa parandaluese mbeten në fuqi. Numri i transplanteve të kryera vazhdoi të rritet, përfshirë transplantin e parë të mëlçisë”, thuhet në raport.

Kujtojmë se procesi joadekuat arsimor mjekësor, procedurat burokratike për hapjen e një ordinance, pagat jo në nivele të lakmueshme dhe mungesa e mbështetjes financiare pas përfundimit të studimeve janë disa nga arsyet kryesore që i bëjnë mjekët dhe specialistët e rinj të largohen nga vendi. Sipas të dhënave të Shoqatës së mjekëve të Maqedonisë, për dhjetë vjet numri i mjekëve në vend është zvogëluar për 2000.

LEXO: LEXO: Dr Koçoski: Ka shumë arsye pse mjekët vrapojnë t’ia mbathin nga Maqedonia e Veriut