BDI: Qeveria i ridestinoi 6 milionë eurot për Bulevardin “Hasan Prishtina”, projekti nuk do të realizohet
Ish-zëvendësministri për Transport dhe Lidhje, Bekim Rexhepi nga BDI, në një konferencë për media akuzoi Qeverinë se ka ridestinuar 6 milionë euro të siguruara për ndërtimin dhe zgjerimin e Bulevardit “Hasan Prishtina”, i njohur edhe si Rruga e Kaçanikut, në Vizbeg, transmeton Portalb.mk.
Sipas BDI-së, bëhet fjalë për një projekt të planifikuar që nga viti 2023, kur Ministria e Transportit dhe Qyteti i Shkupit kishin formuar komision të përbashkët për përgatitjen e planit urbanistik. Nga partia thonë se plani ishte përgatitur, dakorduar dhe miratuar, ndërsa për realizimin e projektit ishin siguruar 6 milionë euro gjatë qeverisjes BDI-LSDM.
BDI pretendon se Qeveria aktuale, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe VLEN, i ka ridestinuar këto mjete për një projekt tjetër – rrugën nëntokësore në Bulevardin Jugor.
“Projekti ishte planifikuar, plani ishte miratuar dhe paratë ishin siguruar. Por sot, Qeveria VMRO-DPMNE–VLEN i ka ridestinuar këto 6 milionë euro për një projekt tjetër”, tha Bekim Rexhepi nga BDI.
Nga partia opozitare shtrojnë pyetjen se si do të funksionojë lidhja Shkup–Bllacë nëse rruga që lidh kryeqytetin me Bllacën mbetet në gjendjen aktuale.
“Çfarë kuptimi ka autostrada drejt Bllacës, nëse rruga që duhet ta lidhë atë me Shkupin mbetet në gjendjen aktuale, me ngushtica, kolona dhe kaos të përditshëm?”, pyet Rexhepi.
BDI i ka kërkuar Qeverisë që t’i rikthejë 6 milionë eurot për projektin e Bulevardit “Hasan Prishtina” dhe të fillojë zgjerimin e Rrugës së Kaçanikut.
Partia gjithashtu i ka bërë thirrje VLEN-it që të reagojë ndaj ridestinimit të mjeteve, duke kërkuar përgjigje se pse janë marrë 6 milionë eurot dhe kur pritet të fillojnë punimet për këtë bulevard.
“Qytetarët nuk kanë nevojë për ceremoni dhe fotografi. Kanë nevojë për rrugë. Kanë nevojë për zgjidhje”, tha Rexhepi.
Akuza të ngjashme nga BDI për ndalimin e ndërtimit të kësaj rruge ka pasur që para dy viteve, ndërsa VLEN pati premtuar se rruga do të ndërtohet.
Ndryshe, katër ditë më parë u vendos gurthemeli për dhjetë kilometrat e fundit të rrugës Shkup-Bllacë. Punimet për këtë segment pritet të përmbyllen brenda katër vjetësh.
Kujtojmë se Qeveria aktuale, e cila gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte projektin e autostradës Shkup–Bllacë, duke e cilësuar si korruptiv, me trasenë më të shtrenjtë. Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë kishte nisur edhe në vitin 2020. Projekti ka një gjatësi totale prej vetëm 12 kilometrash.