Filloi ndërtimi i rrugës Shkup-Bllacë, punimet pritet të përmbyllen brenda katër vitesh
Sot në praninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, drejtuesve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të BE-së e BERZH-it u vendos gurthemeli për dhjetë kilometrat e fundit të rrugës Shkup-Bllacë. Punimet për këtë segment pritet të përmbyllen brenda katër vjetësh, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e vlerësoi si moment historik, duke nënvizuar se projekti po fillon të realizohet pas më shumë se 20 vjetësh.
“Pas pak më shumë se 20 vitesh ky projekt po bëhet realitet. Realitet i Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, një premtim që u dha në fillim të kësaj Qeverie, ishte pjesë e prioriteteve kryesore të punës së kësaj Qeverie dhe pres që shumë shpejt nga sot të shohim progres të ndjeshëm të punimeve në terren dhe, kuptohet, në kohë rekorde ky projekt të realizohet. Po ashtu, në kuadër të këtij mesazhi të parë, do të dëshiroja të shpreh kënaqësinë time që një kompani nga Maqedonia do t’i kryejë punimet ndërtimore në këtë projekt. Kjo do të thotë se do të kemi vlerë të shtuar shtesë në ekonominë e vendit, më shumë vende pune për qytetarët tanë — diçka që paraqet një nga prioritetet kryesore të kësaj Qeverie”, tha Mickoski.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se aksi i ri do t’i afrojë edhe më shumë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe qytetarët e të dyja vendeve. Ai vlerësoi se rëndësia e projektit shkon përtej përmirësimit të infrastrukturës.
Sipas Kurtit, autostrada Shkup-Bllacë, me pesë tunele, tetë ura dhe tetë galeri, do ta fuqizojë lidhjen infrastrukturore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ai tha se rruga do ta bëjë më të lehtë lëvizjen dhe do të krijojë mundësi të reja për qytetarët e të dyja shteteve.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore në Maqedoninë e Veriut, Koce Trajanovski, bëri të ditur se terreni i vështirë ka kushtëzuar përfshirjen e pesë tuneleve dhe tetë urave në vetëm 10.5 kilometra rrugë.
Trajanovski tha se vendosja e gurthemelit nuk shënon vetëm nisjen e një autostrade, por edhe hedhjen e bazave për një Maqedoni më të shpejtë, më të sigurt dhe më të lidhur me fqinjët, rajonin dhe Evropën. Sipas tij, fillimi i ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, nga kryqëzimi i Stenkovecit deri te pika kufitare e Bllacës, në një gjatësi prej rreth 10.5 kilometrash, përbën një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të kësaj lidhjeje strategjike rajonale.
Ai sqaroi se përzgjedhja e kompanisë “Granit” si kontraktuese krijoi kushtet konkrete për nisjen e projektit. Trajanovski e cilësoi investimin si veçanërisht të rëndësishëm, pasi përmes Kosovës siguron lidhje me portin e Durrësit, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Financimi i projektit, sipas Trajanovskit, është siguruar nga një kredi e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerën 167.6 milionë euro, një grant prej 30.82 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, mjete të buxhetit të PESR-së për shpronësimet dhe fonde granti për projektuesit Hill International dhe ADT Omega.
Trajanovski tha se autostrada do të përbëhet nga dy korsi, secila me nga dy korsi trafiku dhe një korsi ndalimi. Gjerësia e përgjithshme e saj do të jetë rreth 27.5 metra.
Sipas tij, bëhet fjalë për autostradën më të ndërlikuar dhe më të vështirë, pasi në një segment të shkurtër prej vetëm 10.5 kilometrash do të ndërtohen tunele, viadukte, ura dhe galeri të shumta, duke paraqitur sfidë si për projektuesit, ashtu edhe për kontraktorët. Për shkak të terrenit kompleks kodrinor dhe malor, projekti parashikon pesë tunele me tuba majtas dhe djathtas, tetë ura, 11 nënkalime, katër galeri dhe nëntë mure mbajtëse. Afati i ndërtimit është katër vjet.
BDI ndërkohë tha se Qeveria VMRO-DPMNE–VLEN promovon fillimin e ndërtimit të fazës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë projekt që sipas tyre ishte kriminal, koruptiv dhe i pa realizueshëm.
“Edhe, ky projekt nuk fillon nga zero në vitin 2026. Përgatitjet, projektimi, sigurimi i financimit dhe procedurat janë zhvilluar më herët, në periudhën kur BDI ishte pjesë e Qeverisë. Për 10.5 kilometrat, kontrata e raportuar është rreth 222 milionë euro. Bëhet fjalë për mbi 220 milionë euro para publike. Në tetor 2024, qeveria dhe eksponentët e saj , e kritikuan ashpër këtë projekt.
U referua në një letër të kompanisë konsulente SUEZ, të datës 31 maj 2024, dhe deklaroi se kostoja e projektit ishte rritur nga rreth 172 milionë në 240 milionë euro. Me pretendim se kostoja mund të arrinte deri në 300 milionë euro. Sot, i njëjti projekt prezantohet si sukses i Qeverisë”, thonë nga BDI.
Nga projekt korruptiv, në projekt qeveritar
Kujtojmë se Qeveria aktuale, e cila gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte projektin e autostradës Shkup–Bllacë, duke e cilësuar si korruptiv, me trasenë më të shtrenjtë.
“Për këtë është njoftuar Prokuroria Themelore Publike dhe presim procedurat. Popullit pret përgjigje: Nëse qeveria e kaluar ka dashur të përfitojë miliona, përmes njerëzve të afërt? Prokuroria Themelore Publike, të inicojë procedurë dhe të jap përgjigje. Maqedonia s`ka 300 milionë euro për t`i hedhur në autostradën prej vetëm 10 kilometrave . Traseja duhet të riprojektohet dhe të fitohet autostrada me çmim shumë më të ulët.BDI-ja dhe LSDM-ja, nuk kanë punuar që të ketë autostradë, por për të përfituar”, deklaraonte VMRO
Autostrada Shkup – Bllacë është një arterie e rëndësishme rrugore që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovo dhe Malin e Zi. Ndërtimi i saj pritet të mundësojë transport më efikas dhe më të sigurt, të përmirësojë lidhjet me vendet fqinje dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti dhe investime.
Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë kishte nisur edhe në vitin 2020. Projekti ka një gjatësi totale prej vetëm 12 kilometrash.
Për të përshpejtuar ndërtimin, ai u nda në dy segmente: njëri nga pika kufitare e Bllacës deri te nyja e Bllacës, ndërsa tjetri nga nyja pranë aeroportit sportiv “Stenkovec” deri në fshatin Bllacë.
Megjithatë, për gjashtë vjet u ndërtuan vetëm dy kilometra, të cilët nuk u vunë në funksion.
Nga ana tjetër, Kosova ndërtoi pjesën e saj të autostradës Autostrada Arben Xhaferi – nga Prishtina deri te pika kufitare Pika Kufitare Bllacë – me gjatësi prej 65 kilometrash brenda gjashtë vjetësh. Ajo është në funksion prej shtatë vitesh.
Në muajin qershor u vendos që faza e dytë e autostradës Shkup – Bllacë të ndërtohet nga kompania “Granit”, ndërsa të fillojnë në muajin qershor ose korrik të këtij viti.
Pjesa e dhjetë kilometrave të ardhshëm në autostradën Shkup – Bllacë pritej të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2022, kështu kishte premtuar drejtori i atëhershëm i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi.
Pastaj nga qeveria e re VMRO-VLEN u paralajmërua se punimet për autostradën Shkup-Bllacë do të nisin në fund të dhjetorit të vitit 2025, megjithatë kjo nuk ndodhi. Punimet nuk kanë nisur, jo për shkak kushteve klimatike, por siç sqarojnë nga kabineti i zëvendësministres Kaltrina Zekolli – Shaqiri, arsyet e vonesës janë procedurat burokratike të institucionit financiar dhe periudhës së festave të fundvitit.
Ministria i Transportit, Aleksandar Nikollovski, më 13 qershor sqaroi që punimet në terren do të fillojnë posa të kryhen procedurat administrative, ndërsa u premtua se punimet do të përfundojnë për tre vjet e gjysmë, ndërsa u theksua që autostrada do të ketë pesë tunele, dy galeria dhe 12 ura.
- LEXO: Kontrata për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë do të nënshkruhet të hënën
- LEXO: U zgjodh kompania që do të ndërtojë autostradën Shkup – Bllacë, planifikohen pesë tunela dhe 12 ura
- LEXO: Akoma nuk dihet kur do të vazhdojnë punimet në autostradën Shkup – Bllacë
- LEXO: Punimet në autostradën Shkup-Bllacë shtyhen përsëri për shkak të procedurave burokratike
- LEXO: Nikolloski i publikoi kompanitë që kanë blerë parcelat ku kalon traseja e autostradës Shkup – Bllacë
- LEXO: Në pjesën e parë të këtij viti pritet të fillojnë 10 kilometrat tjerë të rrugës Shkup-Bllacë, premtoi Rustemi