BDI akuzon VLEN-in për ndalimin e ndërtimit të bulevardit “Hasan Prishtina” në rrugën për Kosovë, VLEN: Rruga do të ndërtohet
Bashkimi Demokratik për Integrim e ka konsideruar të papranueshëm dhe të parealizueshëm propozimin e qeverisë që problemet me Qytetin e Shkupit të zgjidhet duke e ndaluar ndërtimin e bulevardit Hasan Prishtina në rrugën për Kosovë si dhe nyjen te semaforët në rrugën “Slovenia”, që gjithashtu e lidh Çairin me rrugën për Kosovë, transmeton Portalb.mk.
“Edhe si zakonisht, asnjë fjalë nga V-aza-LENët ndaj kësaj përbuzjeje, poshtërsimi, nënçmimi të shqiptarëve nga qeveria monoetnike. Qeveria e BDI i ndau 8 milion euro qytetit të Shkupit për bulevardin Hasan Prishtina që e lidh Shkupin me qarkoren në rrugën për Kosovë dhe nyjen që e lidh atë bulevard me Çairin, Butelin dhe Shuto Orizaren”, thanë nga BDI.
Nga VLEN theksojnë se në vend që të kërkojnë falje që lanë thatësirë financiare, BDI dhe Fronti Evropian po manipulojnë.
“Vetëm Liza dhe BDI nga bota e çudirave mund të konfirmojnë që rruga Shkup-Bllacë është e mundshme të realizohet për 4 muaj, pasi që ata në vend që të shtrojnë asfaltimin e rrugës dhe të ofrojnë zgjidhje moderne, atë pjesë e mbushën me objekte kumari në çdo 200 metre. Përndryshe, BDI të mos brengoset për këtë, rruga do të ndërtohet dhe është pjesë e programit të Qeverisë”, thanë nga VLEN.
Nga Qeveria e RMV-së thanë se nuk është biseduar në lidhje me këtë temë në takimin midis kryetares së Shkupit Danella Arsovskës dhe kryeministrit të vendit Hristijan Mickoskit.
“Ju njoftojmë se nuk është biseduar në këtë temë në takimin mes kryeministrit Mickoski dhe kryetares së qytetit të Shkupit, Arsovska”, thanë nga Qeveria.
Megjithatë nga Qyteti i Shkupit për TV21 theksuan se në takim është biseduar se paratë për rrugën “Hasan Prishtina”, të rialokohen për NQP Shkup.
“Nga Qeveria ofruan “zgjidhje” për pagesën e borxhit të tyre ndaj NQP-së në lartësi prej 8 milionë euro, me çka do t’i marrin nga qyteti mjetet e parapara për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina”. Këtë “propozim” e konsiderojmë si shantazh mbi qytetarët e Qytetit të Shkupit, për shkak se për borxh ndaj NQP, duan të shkurtojnë projekt i cili për qytetarët e asaj pjese të Shkupit e presin me dekada”, thanë nga Qyteti i Shkupit.
Ndryshe, dy koalicionet Fronti Evropian dhe VLEN kohëve të fundit janë akuzuar shpesh me njëra tjetrën për tema të ndryshme dhe kanë ashpërsuar tonet. Gjithçka filloi pas zgjedhjeve parlamentare të majit 2024, ku në qeveri hyri koalicioni VLEN të cilët morën 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian i udhëhequr nga BDI mbeti jashtë qeverisë edhe pse ata morën 18 deputetë, apo 4 më shumë se koalicioni VLEN.