Barometri IPP Arbën Xhaferi: Shqiptarët nuk përfaqësohen mjaftueshëm në pozitat udhëheqëse të institucioneve në RMV

Prej vitit 2007, është dyfishuar numri i shqiptarëve të punësuar në institucionet e pushtetit qendror dhe lokal, por megjithatë shqiptarët janë në disfavor kur bëhet fjalë për pozitat udhëheqëse. Komuniteti rom vazhdon të jetë më i diskriminuari në shtet. Kështu tha sot Avokati i Popullit Naser Ziberi në promovimin e Barometrit të Përfaqësimit të Drejtë, të cilin e ka punuar Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi duke i shfrytëzuar të dhënat zyrtare të Avokatit të Popullit, raporton Portalb.mk.

Sipas avokatit, institucionet të cilat kanë pasur udhëheqës shqiptar, kanë pasur realizim më të mirë të përfaqësimit, ndërkaq aty ku nuk kanë pasur, përfaqësimi është ende “shumë larg”.

“Në vitin 2007, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e pushtetit shtetëror dhe njësive të administrimit lokal dhe institucioneve tjera publike ka qenë 10.8%, ndërkaq në vitin 2022 është 21.4%. Domethënë ka një zhvendosje në kahje pozitive. Komuniteti turk, ka qenë i përfaqësuar me 1.1%, ndërkaq janë me 2.1%. Komuniteti rom ka qenë 0.8%, ndërkaq janë 1.3%. Kjo është  tabloja e përgjithshme pasi që po të hyhet në analizën e të dhënave, do të shihen anomali tjera të përfaqësimit, gjegjësisht komunitetet joshumicë janë në pozitë të disfavorshme në kuptimin e strukturës së përgatitjes profesionale”, tha Ziberi, duke shtuar se komuniteti rom vazhdon të jetë më i diskriminuari.

Sipas tij, problemi paraqitet në pozitat udhëheqëse, ka vende të cilat kanë një përqindje relativisht të mirë në numrin e përgjithshëm, por janë të disfavorshme në postet udhëheqëse nëpër ato institucione.

“Ende sot, në vend institucione me karakter republikan kanë 0 përfaqësim ose 1% të komunitetit shqiptar”, shtoi Ziberi.

Drejtori ekzekutiv i IPP Arbën Xhaferi , Arben Fetai theksoi se pavarësisht se kanë kaluar mbi dy dekada nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i drejtë ende nuk është realizuar mjaftueshëm. Qëllimi i tyre është që nëpërmjet këtij projekti të rritet transparenca, por edhe përfaqësimi i drejtë.

“23 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, e dimë se ky parim vazhdon të mos zbatohet mjaftueshëm. Madje ka edhe shumë raste ku parimi manipulohet në sektorin publik ku i kemi parasysh deklarimet e rrejshme për përkatësinë etnike. Për herë të parë, bashkë me ekipin dhe ekspertët tonë kemi zbatuar këtë nismë e cila është unike dhe gjithëpërfshirëse. Ne i qasemi si në numra absolut në çdo institucion ashtu edhe në pozitat udhëheqëse. Nisma bazohet tërësisht nga të dhënat zyrtare të Avokatit të Popullit dhe me këtë kemi qëllim rritja e transparencës dhe llogaridhënies, por si cak final është rritja e përfaqësimit të drejtë”, tha Fetai.

Eksperti Robert Nesimi, i cili ka punuar me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, tha se me këtë ueb-faqe qëllimi është që informimi për përfaqësimin adekuat të bëhet më i lehtë.

“Gjatë hulumtimit pamë se ka dy institucione që kanë të dhëna të tilla, Avokati i Popullit dhe MSHIA, duke i krahasuar ato të dhëna për qëllimin që dëshironim ta arrinim, të dhënat e avokatit të popullit ishin shumë më të përshtatshme sepse kanë histori më të gjatë. Të dhënat janë në institucion nacional, ndërkaq ato të nivelit lokal i kemi grumbulluar”, tha Nesimi disa treguar disa shembuj nga platforma.

Barometri llogarit katër indekse, të cilët së bashku përfaqësojnë nivelin e përfaqësimit të drejtë, gjegjësisht, indeksin e përfaqësimit gjinor, indeksin e përfaqësimit gjinor në pozitat udhëheqëse, indeksin e përfaqësimit të komuniteteve dhe indeksin e përfaqësimit të komuniteteve në pozitat e udhëheqëse.

Institucionet notohen me nota prej 1 deri në 10, varësisht se sa i kanë plotësuar parimet e përfaqësimit të drejtë.

Për shembull, Shërbimi Profesional i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka indeks të barazisë së komuniteteve 8.3, ndërkaq të barazisë gjinore 7.2, por nëse e shohim indeksin për pozitat udhëheqëse, Kuvendi për përfaqësimin e komuniteteve notohet me 7.3, ndërkaq për përfaqësim gjinor 7.8.

Indeksi i përfaqësimit etnik dhe gjinor në disa institucione indeksi i përfaqësimit etnik dhe gjinor në disa institucione të RMV-së
Indeksi i përfaqësimit etnik dhe gjinor në disa institucione indeksi i përfaqësimit etnik dhe gjinor në disa institucione të RMV-së

Kabineti i Presidentit është notuar vetëm me 4.2 në indeksin e barazisë së komuniteteve, ndërkaq 8.6 në barazinë gjinore, ndërkaq nota e indeksit të komuniteteve në lidership është edhe më i ulët, vetëm 3.5, ndërkaq në lidership 6.3.

Zyra e kryeministrit ka notë vetëm 5.5 në indeksin e përfaqësimit të komuniteteve, ndërkaq 8.4 në përfaqësimin gjinor, në lidership, vetëm 4.3 në përfaqësimin e komuniteteve, ndërkaq 7.6 në përfaqësimin gjinor.

Gjykata Kushtetuese, i cili duhej të ishte shembulli më i mirë për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ashtu siç parashikon dhe Kushtetuta, është një ndër shembujt më kontradiktorë. Prej notës 10, ajo është notuar me 4 në indeksin e barazisë së komuniteteve, ndërkaq 4.9 në barazinë gjinore.

Barometri i Përfaqësimit të Drejtë zbatohet në kuadër të programit për mbështetjes në natyrë të Mekanizmit të Qëndrueshmërisë Civile të BE-së IPA/2019/413-168/EUCRM, në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja “Asistencë Teknike për përmirësimin e mjedisit të favorshëm për organizatat e shoqërisë civile në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.