RMV, shkollat, kompanitë dhe institucionet do të paguajnë 35 përqind fatura më të lira për ngrohje

Çmimi i ngrohjes qendrore për shkollat, kompanitë dhe institucionet në Shkup u lirua për 35%. Komisioni Rregullator i Energjetikës (KRRE) miratoi çmim të ri të ngrohjes qendrore për kompanitë për shkak të uljes së çmimit të gazit natyror, njofton Portalb.mk.

Rreth 1200 konsumatorë të kyçur në ngrohjen qendrore të Shkupit do të marrin fatura më më të lira për ngrohje.

“Këta shfrytëzues konsumojnë 20 përqind të sasisë së nevojshme të energjisë termike në nivel të qytetit të Shkupit, e në mesin e tyre janë institucionet arsimore, shfrytëzuesit e biznesit: shitoret e vogla, kompanitë, bankat”, thuhet në njoftimin nga KRRE.

Gjithsej 65 mijë konsumatorë janë furnizuar me energji termike dhe vetëm nga fillimi i sezonit të ngrohjes e deri më tani janë kyçur rreth 1000 konsumatorë të rinj.

Analizat e KRRE-së tregojnë se për shkak të uljes së çmimit të gazit natyror ka kushte që të miratohet vendim i jashtëzakonshëm për faturat e ngrohjes qendrore.

“Rezultatet treguan se në periudhën e kaluar çmimi i gazit natyror në bursë ishte më i ulët se sa pritej, gjë që plotëson kushtet për të marrë një vendim të favorshëm për kategorinë e këtyre përdoruesve, të cilët në periudhën e trazuar të krizës energjetike, morën fatura me çmim të lartë për dallim nga amvisëritë të cilat gjatë gjithë periudhës së kaluar të krizës energjetike kanë marrë fatura me subvencione”, tha Marko Bislimoski, kryetar i KRRE.

Nëse amvisëritë do të marrin fatura më të ulëta nga sezoni i ardhshëm i ngrohjes do të varet prej trendit, nga çmimi i gazit në bursë, por edhe nga ajo nëse do të vazhdojë subvencionimi nga buxheti shtetëror.

Çmimi i ngrohjes qendrore në Shkup këtë sezon të ngrohjes u shtrenjtua për 4,51%. Sipas përllogaritjeve të KRRE-së, fatura mesatare mujore prej 1.800 denarë është shtrenjtuar për 80 denarë.