Banorët e fshatit Konjare kërkojnë ndalimin e gërmimeve të rërës, deputeti Snopçe thotë që kompania po i bën trysni

Banorët e fshatit Konjare të Komunës së Petrovecit të Shkupit, sot para Kuvendit të RMV-së kërkuan ndalimin e koncesionit të gërmimeve të rërës, sepse sipas tyre, dëmton mjedisin jetësor dhe cilësinë e jetës në rajon, raporton Portalb.mk.

Banorët e fshatit të Konjares për mediat thanë se ky problem është i njohur për të gjithë që nga viti 2008-2009 kur u miratua koncesioni për gërmime në këtë rajon dhe që atëherë kanë reaguar për këtë, mirëpo, nuk kanë pasur përgjigje deri në vitin 2016. Edhe pasi është konstatuar nga inspektorati se ka pasur shkelje të rregullores së punës dhe pas ndërprerjes së gërmimeve për një periudhë, gjykata sërish e ka rikthyer koncesionin e gërmimeve me po të njëjtën kompani.

“Aty ka shkelje të marrëveshjes nga ana e koncesionerit, bëhen më shumë gërmime dhe dëme sesa që është e lejuar”, tha kryetari i bashkësisë lokale të Konjares, Senad Samiq.

Me këto banorë sot ishte edhe deputeti i partisë “Aleanca për Shqiptarët”, Halil Snopçe.

“Në këtë fshat më përpara ka pasur fusha pjellore, janë kultivuar prodhime bujqësore dhe që tash janë kthyer në toka të shkatërruara, këndi i lojërave për fëmijë tani është shndërruar në një kodër prej rëre, nxjerrja e rërës në këtë zonë shkatërron mjedisin dhe cilësinë e jetës të popullsisë vendase dhe për këtë arsye konsideroj se koncesioni për gropim duhet përsëri të ndërpritet, pa mos më interesuar fare se kush është koncesioneri dhe si ato i perceptojnë deklaratat e mia” tha Snopçe.

Ai gjithashtu informoi se pas një deklarate që ai e ka dhënë për Agjencinë e Informimit, MIA më 10 gusht, ditën kur banorët e këtij fshati kanë qenë të thirrur në polici në lidhje me gërmimet në fshatin Konjare, kompania “Europrogress DOOEL” i ka dërguar letër duke e akuzuar atë për fyerje dhe shpifje ndaj tyre dhe i kanë kërkuar që në afat prej 48 orëve të kërkojë falje përndryshe do të përballen në gjykatë.

Në deklaratën e tij, Snopçe thotë se ka kërkuar nga organet kompetente të ndërmarrin masa për shkak të dëmeve që gërmimet shkaktojnë ndaj mjedisit jetësor, ankesa këto që banorët i kanë bërë ndaj kompanisë.

“Në deklaratën time nuk ka pasur asnjë fyerje apo asnjë shpifje ndaj asnjë personi fizik apo juridik. Unë vetëm se jam përgjigjur ndaj brengosjes së qytetarëve  duke e përmbushur obligimin tim si deputet.” tha Snopçe në konferencë.

Ai shtoi se në asnjë deklaratë të tij nuk e ka përmendur kompaninë në fjalë dhe se që në fillim të mandatit të tij ai ka qenë i angazhuar në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi në favor të banorëve dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre.