“Ayal” vë Tetovën dhe Sharrin në ekranin e madh, filmi i Arben Thaçit në mesin e katër produksioneve të reja vendore

Vera e këtij viti po sjell risi në kinematografinë vendore, ndërsa mes katër filmave artistikë që po realizohen, vëmendjen e merr edhe një projekt shqiptar. Regjisori Arben Thaçi po sjell filmin “Ayal”, një produksion me rrënjë shqiptare, i lidhur me Tetovën, Malin Sharr, familjen dhe traditën. Të katër projektet filmike janë mbështetur nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Aktualisht po xhirohen tre filma artistikë, ndërsa në fund të gushtit pritet të nisë edhe realizimi i filmit të katërt.

  • “Ants”, me regji të Marjan Gavrilovskit.
  • “Naked Hill”, me regji të Igor Aleksovit.
  • “Ayal”, me regji të Arben Thaçit.
  • “Third Shift”, me regji të Ana Opaçiçit.

“Ants”-komedi e zezë me elemente trilleri

Filmi “Ants” është realizimi i tretë artistik me metrazh të gjatë i regjisorit Marjan Gavrilovski, sipas skenarit të Nikola Kuzelovit. Producent i filmit është Romir Jakupi, ndërsa drejtor fotografie Fame Daut.

Bëhet fjalë për një komedi të zezë me elemente trilleri, e cila ndjek një dyshe të pazakontë, një inspektor para pensionimit dhe një drag queen, të cilët detyrohen të bashkëpunojnë për të zbardhur një vrasje misterioze.

Rolet kryesore i interpretojnë Senko Velinov dhe Nikola Kuzelov, ndërsa në kast janë edhe Sashko Kocev, Atanas Atanasovski, Vlado Jovanovski, Tanja Kochovska, Vladimir Tuliev, Mimi Tanevska, Dragan Spasov Dac dhe të tjerë.

Xhirimet po realizohen në disa lokacione në Shkup dhe Dibër.

“Naked Hill”-triller-dramë me elemente horror dhe fantazie

Filmi “Naked Hill”, me regji të Igor Aleksovit dhe skenar të Goce Cvetanovskit dhe Alek Rusjakovit, është një triller-dramë me elemente të horrorit dhe fantazisë.

Rolin kryesor e luan Anastasia Lasovska, ndërsa pjesë e kastit janë Tony Naumovski, Simeon Moni Damevski, Zoran Ljutkov, Stefan Vujisic, Filip Trajkovic, Daniela Ivanoska dhe Adem Karaga.

Filmi po xhirohet në Shkup dhe rrethinë. Producent është “City Star Production”, ndërsa projekti realizohet në bashkëprodhim me “OnBros” nga Kosova dhe “Red Production” nga Serbia.

“Ayal”- histori për familjen, rrënjët dhe zgjedhjet morale

“Ayal”, me skenar dhe regji të Arben Thaçit, është një dramë bashkëkohore që trajton përkohshmërinë e jetës, familjen, rrënjët, traditën dhe zgjedhjet morale. Historia është e lidhur ngushtë me Tetovën dhe Malin Sharr, ku po realizohet edhe një pjesë e rëndësishme e xhirimeve. Në film luajnë Arsim Fazlija, Adem Karaga, Ilir Vinca, Osman Ameti dhe aktorë të tjerë nga vendi dhe rajoni. Filmi prodhohet nga “ARBFILM” nga Tetova.

Më 25 gusht nis xhirimi i “Third Shift”

Vala e produksionit filmik do të vazhdojë edhe më 25 gusht, kur është planifikuar të nisë xhirimi i filmit artistik “Third Shift”, me regji të Ana Opaçiçit.