Autostrada Shkup–Bllacë përplasi partitë politike për meritat: VLEN, BDI dhe Lidhja Shqiptare me akuza për zvarritje

Autostrada Shkup–Bllacë është bërë sot temë diskutimi mes partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. VLEN e cilëson projektin si një arritje të qeverisë aktuale dhe thotë se po kalon nga premtimet e vjetra në realizim konkret. BDI thekson se projekti është i konceptuar, projektuar dhe financuar nga qeveritë e saj të mëparshme dhe se po tentohet të tjetërsohen meritat. Ndërsa Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës akuzon VLEN-in për zvarritje të re të projektit dhe për pranim të afateve të gjata që sipas tyre dëshmojnë dështim, transmeton Portalb.mk.

Sipas VLEN-it, autostrada Shkup–Bllacë po hyn në fazën e realizimit konkret pas përfundimit të procedurës së përzgjedhjes së kontraktorit. Ata thonë se ky projekt, i premtuar për 24 vjet, tani po bëhet realitet brenda 24 muajve të punës së tyre në qeveri.

“Autostrada Shkup–Bllacë po hyn në fazën e realizimit konkret. Me përfundimin e procedurës për përzgjedhjen e kontraktorit, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore dhe strategjike për vendin po merr më në fund drejtimin e duhur. Për 24 vjet me radhë, qytetarëve iu premtua kjo autostradë, por ajo mbeti vetëm në letër. Sot, me VLEN-in në qeveri dhe me angazhimin e përfaqësuesve tanë në institucionet shtetërore, ky projekt po shndërrohet në realitet. Angazhimi i zëvendësministres Kaltrina Zekolli dhe koordinimi me institucionet përgjegjëse dhe partnerët ndërkombëtarë po japin rezultate konkrete. Atë që të tjerët nuk e bënë për 24 vjet, VLEN po e bën në 24 muaj”, thonë nga kjo parti.

BDI nga ana tjetër deklaron se fillimi i punimeve është lajm i mirë, por thekson se projekti është rezultat i punës së qeverive të udhëhequra nga kjo parti. Sipas tyre, ata e kanë konceptuar, projektuar dhe financuar autostradën, përfshirë sigurimin e 20 milionë eurove grant nga BE dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik.

BDI përmend gjithashtu realizimin e studimeve, nisjen e shpronësimeve, tenderimin dhe ndërtimin e 2 kilometrave të parë si garanci strategjike që projekti të mos ndryshohej. Ata akuzojnë qeverinë pasuese për vonesa dhe për tentativa për ndryshimin e projektit, duke theksuar se në fund është rikthyer zgjidhja e tyre fillestare.

“Sot po prezantohet fillimi i punimeve në pjesën e mbetur të autostradës Shkup- Bllacë. Është lajm i mirë për qytetarët dhe për lidhjen strategjike me Kosovën. Por opinioni publik meriton ta dijë të vërtetën: ky është një projekt i konceptuar, projektuar, financuar dhe mbrojtur nga qeveria e udhëhequr nga BDI.  Qeveria e BDI-së kreu edhe procedurat e tenderimit, ku aplikuan 11 kompani, ndërsa qeverisë pasardhëse i mbeti vetëm të zgjidhte realizuesin dhe të vazhdonte punimet. Në vend të kësaj, për dy vite me radhë projekti u bllokua dhe u shoqërua me deklarata kontradiktore, pretendime për ndryshim traseje, ide për reduktimin e tij në rrugë magjistrale dhe tentativa për ta paraqitur si një projekt të ri. Madje u shpenzuan edhe rreth 8.850.000 denarë për analiza dhe ndryshime, vetëm që në fund të riktheheshin te zgjidhja e përgatitur nga BDI. Sot, ata që dikur e kontestonin këtë projekt dhe e vonuan për dy vite, përpiqen të marrin meritat për të. Faktet flasin ndryshe: autostrada Shkup–Bllacë është produkt i vizionit, planifikimit dhe punës së BDI-së. Korridori 8, Korridori 10-D, autostrada Shkup- Bllacë, Rruga e Arbërit, qarkorja e Tetovës dhe projektet për lehtësimin e kalimeve kufitare janë dëshmi të një politike që investoi në lidhjen rajonale dhe zhvillimin afatgjatë”, thonë nga BDI.

Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës ndërkohë, kritikon ashpër VLEN-in, duke thënë se nuk është njoftuar fillimi i punimeve, por zvarritje e re e projektit. Sipas tyre, vetë deklarimet për realizim në 3.5 vite tregojnë se projekti po shtyhet dhe nuk po përfundohet brenda mandatit qeverisës.

Ata akuzojnë VLEN-in për vazhdim të praktikave të qeverive të mëparshme, duke përmendur zvarritje, premtime të pambajtura dhe ndryshime të vazhdueshme. Po ashtu shprehen skeptikë se projekti do të realizohet plotësisht, duke pretenduar se mungon vullneti politik për autostrada që lidhin me Shqipërinë dhe Kosovën.

“Kryetarët dhe ministrat e koalicionit VLEN të cilët dje bënin gara se cili do të bëjë më shumë lajme për rrugën Shkup-Bllacë nuk njoftuan fillimin e ndërtimeve, por në fakt zvarritjen e re të realizimit të këtij projekti mjaft të rëndësishëm. Ata mes tjerash vetë pranuan që ky projekt do të merr 3.5 vite për tu finalizuar, që dëshmon qartë se ata veçse pranuan dështimin dhe shkelën fjalën e tyre se rruga do të ndërtohet brenda mandatit qeverisës. Përfaqësuesit e VLEN dje bënë atë që kanë kritikuar ndër vite qeveritë e kaluara. U bënë të njëjtë, pa asnjë dallim: zvarritje, premtime boshe, mashtrim, prolongim dhe lojë fjalësh. Periudha prej 3.5 vitesh që e pranuan edhe vetë ata fillimisht tregon zvarritjen e radhës, por edhe kjo si periudhë nuk është definitive. Me paralajmërimet e kësaj Qeverie kundër autostradave që lidhin vendin me Shqipërinë dhe Kosovën, do të jemi dëshmitarë se punimet as nuk do të fillojnë”, thonë nga LSH.

Rreth akuzave të BDI-së reagoi VLEN duke theksuar se vetëm një grup njerëzish sot nuk mund t’i gëzohen kësaj arritjeje të VLEN-it. Ata nënvizojnë se vetëm kryesia e BDI-së, në vend që të festojë me të gjithë shqiptarët, ka dy ditë që sikletoset e arsyetohet, sepse siç thonë nga kjo parti “ata nuk e bënë për 24 vjet, ndërsa ne po e bëjmë për 24 muaj”.

“E rikujtojmë BDI-në se shqiptarët po e presin këtë autostradë me dekada. Sipas afateve të premtuara publikisht, ajo duhej të ishte përfunduar afërsisht në kohën kur familja Ahmeti e bleu Soravinë. Pra, kishin prioritete tjera. Nuk e kishin dertin e shqiptarëve e as të autostradave.  Shqiptarët i dinë prioritetet e BDI-së gjatë qeverisjes së tyre. Për çdo ditë kemi parë e po shohim skandale keqpërdorimesh, si me paratë publike, ashtu edhe me fondet IPA. Me rënien e BDI-së nga pushteti, u ndal korrupsioni masiv dhe filloi puna”, reaguan nga VLEN.

Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoskimë 8 qershor premtoi se punimet e rrugës Shkup – Bllacë do të rifillojnë në muajin qershor ose korrik.

Pjesa e dhjetë kilometrave të ardhshëm në autostradën Shkup – Bllacë pritej të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2022, kështu kishte premtuar drejtori i atëhershëm i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi.

Pastaj nga qeveria e re VMRO-VLEN u paralajmërua se punimet për autostradën Shkup-Bllacë do të nisin në fund të dhjetorit të vitit 2025, megjithatë kjo nuk ndodhi. Punimet nuk kanë nisur, jo për shkak kushteve klimatike, por siç sqarojnë nga kabineti i zëvendësministres Kaltrina Zekolli – Shaqiri, arsyet e vonesës janë procedurat burokratike të institucionit financiar dhe periudhës së festave të fundvitit.