U zgjodh kompania që do të ndërtojë autostradën Shkup – Bllacë, planifikohen pesë tunela dhe 12 ura

Në takimin ndërmjet ministrit të transportit, Aleksnadar Nikolloski, dhe drejtorit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fatih Turkmenoglu, u theksua që kompania ndërtuese Granit do të ndërtojë fazën e radhës në autostradën Shkup – Bllacë, transmeton Portalb.mk.

“Kontraktori i autostradës është konsorciumi i udhëhequr nga kompania maqedonase e ndërtimit Granit. Pas një periudhe të gjatë kohore, një kompani vendase e ndërtimit do ta ndërtojë plotësisht autostradën”, njoftoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Ministria sqaroi që punimet në terren do të fillojnë posa të kryhen procedurat administrative, ndërsa u premtua se punimet do të përfundojnë për tre vjet e gjysmë, ndërsa u theksua që autostrada do të ketë pesë tunele, dy galeria dhe 12 ura.

Në lidhje me zhbllokimin e punimeve në autostradën Shkup – Bllacë ka reaguar sot edhe lideri i VLEN-it, Izet Mexhiti.

“Shkupi tashmë më afër Prishtinës. 200 milionë euro për rrugën Shkup–Bllacë–Prishtinë”, deklaroi Mexhiti.

Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoskimë 8 qershor premtoi se punimet e rrugës Shkup – Bllacë do të rifillojnë në muajin qershor ose korrik.

Pjesa e dhjetë kilometrave të ardhshëm në autostradën Shkup – Bllacë pritej të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2022, kështu kishte premtuar drejtori i atëhershëm i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi.

Pastaj nga qeveria e re VMRO-VLEN u paralajmërua se punimet për autostradën Shkup-Bllacë do të nisin në fund të dhjetorit të vitit 2025, megjithatë kjo nuk ndodhi. Punimet nuk kanë nisur, jo për shkak kushteve klimatike, por siç sqarojnë nga kabineti i zëvendësministres Kaltrina Zekolli – Shaqiri, arsyet e vonesës janë procedurat burokratike të institucionit financiar dhe periudhës së festave të fundvitit.