Asnjë bretkosë apo gjarpër të gjallë s’mund ta gjeni në lum për shkak ndotjes nga “Drislla”, thonë banorët e Batincës

Deponia “Drislla” në Shkup është kapur në flagrancë duke e ndotur mjedisin jetësor, ndërkaq qytetarët i vuajnë pasojat shëndetësore dhe ekologjike, por edhe pasojat në bujqësi. Nga ana tjetër, autoritetet nuk ndërmarrin kurrfarë masa. Kështu shprehen para objektivit të Portalb.mk, disa prej banorëve të fshatit Batincë, i cili ndodhet në afërsi të deponisë. Ata disa herë kanë protestuar dhe kërkesa e tyre është që deponia t’i plotësojë standardet evropiane.

74-vjeçari Destan Rexhepi, shprehet se në lumin “Markova Reka”, i cili së fundmi u ndot nga Drislla me ujë të mbeturinave, nuk mund të gjesh gjallesa, pavarësisht se më herët aty ka pasur shumë bretkosa, gjarpërinj dhe shpezë.

5 hektar tokë i kam lënë atje pa mbjellë sherri i deponisë, erë e keqe, s’mund të shkoj të punoj, sytë të djegin, të vjen me vjellë. Jo vetëm unë, por krejt, e kanë lënë fushën prej erës deponisë, edhe me e mbjellë nuk hahet edhe bereqeti, edhe asaj i vjen era. Ece krejt lumin, s’mund ta gjesh një bretkosë apo gjarpër të gjallë, a këtu më përpara nuk mund të flenim prej bretkosave. Humbën, asnjë shpezë s’ka mbetur. Sorra si të pijë ujë aty, ngordh. Gjynah i madh, pse nuk ja gjejnë qarën atij uji”, shprehet banori Destan Rexhepi.

Një banor tjetër, shprehet se ka qenë i detyruar t’i shet lopët e tij pasi që i kanë ngordhur disa nga uji që kanë konsumuar në lumin “Markova Reka”.

“Ne çka i kemi ruajt kafshët mbi 100 vjet, tani problem kemi pasi që pinë ujë (te lumi i ndotur), na ngordhin. Mua më kanë ngordhur kafshë dhe sebep kësaj i kam shitur 50-60 lopët që i kam pasur. Ujin e përdorim edhe për të vadit, por ajo krejt është helm. Duhet patjetër të marrin masa, ose le ta rregullojnë ose le ta mbyllin. Do të vazhdojmë me protesta”, tha një banor tjetër.

Ka dhe prej atyre që ankohen se shkaku i deponisë, ata kanë probleme shëndetësore. Njëri prej banorëve për Portalb.mk, tregon rrëfimin e tij, i cili si[ thotë, nga ndotja e deponisë është  i sëmurë prej zemrës.

“U sëmura dhe shkova te mjeku, ai më pyeti nëse punoj në deponi, i thash jo nuk punoj, por përballë deponisë shtëpinë e kam. Mjeku më tha shite shtëpinë dhe ik prej andej se shumë i sëmurë je prej deponisë dhe tre herë më kanë bërë operacion. Për zemrën më kanë bërë operacion, krejt deponia këtu në zemër, damarët i ka ndalë, nuk punojnë damarët, tha krejt helm je në bark prej deponisë”, thotë një banor i Batincës.

fillim të këtij muaji deponia “Drislla” ishte në qendër të vëmendjes pasi që banorët e Batincës alarmuan për djegie të mbeturinave dhe ndotje të një lumit në afërsi të fshatit. Pas kontrollit, Inspektorati konstatoi se Drislla e ka ndotur ujin e lumit pasi që ujin e mbeturinave e ka derdhur pa e filtruar, ndërkaq për zjarrin nuk është konstatuar se është shkaktuar me qëllim.

“Nga laborator i akredituar janë marrë mostra nga tre vende për analizë të ujërave nga Markova Reka, bashkë me një mostër shtesë e cila është dorëzuar nga qytetarët e Batincës. Kontrollet laboratorike kanë treguar se një pjesë e parametrave janë në kufij të përqendrimeve maksimale të lejuara, derisa disa parametra kanë qenë mbi të lejuarën dhe nuk janë në pajtueshmëri me Rregulloren për kushtet, mënyrën dhe vlerat kufitare të grimcave për lëshimin e ujërave të ndotura pas pastrimit të tyre”, thanë nga Inspektorati i Mjedisit Jetësor.

Inspektorati për këtë ka propozuar të gjobitet me gjobë deri në 120.000 euro, por Drislla nuk e ka nënshkruar dhe për këtë do të ngritet procedurë në gjykatë ku duhet të caktohet lartësia e dënimit.

Ambientalisti Afrim Osmani, thekson autoritetet nuk ndërmarrin masa për të parandaluar ndotjen nga Drislla, ndërkaq dëm të madh i shkaktohet mes tjerave dhe kulturës bujqësore, pasi që toka bëhet jopjellore si pasojë e ndotjes.

“Gjithashtu, shkakton ndotje të ujërave dhe tokës që janë afër deponisë Drislla, siç është rasti konkret me lumin “Markova Reka”. Kjo drejtpërdrejtë ndikon në problemin e prodhimtarisë bujqësore, kulturat bujqësore. Meqenëse ndotja e tokës është e niveleve më të larta, në nivele që nuk kemi ndonjë pasqyrë se sa mund të jetë dëmi i asaj toke bujqësore, ajo në fakt bëhet jopjellore dhe nuk e jep frytin e duhur. Përveç tokës, ajo popullatë e konsumon edhe ujin, që po ashtu si rezultat i ndotjes së pakontrolluar të deponisë “Drislla” po ashtu konsumon ujë të ndotur. Prodhimtaria, apo frytet bujqësore që prodhohen në atë pjesë me elemente të ndotura, qoftë nga toka e ndotur apo uji i ndotur, padyshim se edhe fryti nuk do të jetë i shëndetshëm për ta konsumuar”, thotë për Portalb.mk ambientalisti Osmani.

Portalb.mk bisedoi dhe me kryetarin e Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku i cili mes tjerash theksoi se komuna nuk ka kurrfarë kompetenca për menaxhimin e kësaj deponie, por edhe ndau shqetësimin deponia nuk i plotëson standardet dhe se banorët me të drejtë janë të revoltuar.

“Ne si komunë përveç pasojat dhe dëmet nga ajo deponi, s’kemi asnjë ingerencë ligjore për të ndërhyrë apo ndërmarrë masa. Si kryetar i komunës padyshim se jam shumë i brengosur se gjithë atë pasoja i kanë qytetarët e komunës sonë, në veçanti të Batincës ku është në një afërsi shumë të madhe të banorëve që jetojnë aty afër Drisllës. Qyteti i Shkupit me deponinë Drislla nuk janë duke menaxhuar si duhet, as për së afërmi nuk i përmbushin standardet ligjore që janë paraparë, duke filluar me selektimin apo mbulimin e mbeturinave, deri te djegia e mbeturinave medicinale”, tha Sadiku.

Ai tha se disa herë ka kërkuar nga autoritetet e Qytetit të Shkupit për të biseduar për çështjen e Drisllës, por megjithatë nuk ka marrë kurrfarë reagimi.

“Apeloj që ata duhet të gjejnë kohë që të ulemi të bisedojmë dhe të na tregojnë cili është plani i Qytetit të Shkupit, a kanë ndërmend që ta modernizojnë apo ndërmarrin diçka dhe të ndalet ky zullum që ju bëhet qytetarëve të komunës tonë”, thotë Sadiku.

Portalb.mk, disa herë nëpërmjet telefonit, e-maileve, sms-porosive, por edhe nëpërmjet qasjes së lirë deri tek informatat me karakter publik ka tentuar të marrë qëndrim nga Drislla për incidentin në fjalë, por as drejtori, e as shërbimet tjera, nuk japin sqarime se si është e mundur që deponia e cila posedon leje ekologjike të integruar A, t’i ndodh incident i tillë katastrofik, gjegjësisht ta lëshojë ujin e ndotur në lum pa e filtruar.

Në ndërkohë, banorët presin të ketë zgjidhje ky problem ose, siç thanë, do të vazhdojnë me protesta.