Banorët në protesta kundër ndotjes, Drislla sërish kërcënon me padi, kësaj here për mbetjet mjekësore

Banorët e Karshiakës kanë protestuar sot para deponisë “Drislla”.  Të revoltuar ata brohorisnin “Duam ajër të pastër” dhe “ Mos na helmoni”. Banorët kërkuan nga institucionet kompetente që të marrin masa dhe këtë deponi ta shndërrojnë në deponi me standarde evropiane sepse siç thonë ata në këtë deponi digjen mbeturina dhe gjësende tjera shumë të dëmshme për shëndetin e njerëzve, raporton Shenja. Organizatorët e protestave thanë se janë thirrur për ditën e sotme në bisedime me disa institucione dhe bënë të ditur se nëse nuk ju ofrojnë zgjidhje të duhur për deponinë ditët në vijim ata do ta bllokojnë rrugën që çon deri te deponia dhe do ta pamundësojnë lëvizjen e kamionëve të kësaj deponie.

Një banor, ankohet se era e keqe ndihet edhe në fshatin Studeniçan.

“Unë jam ish-punëtor i ndërmarrjes publike i komunës së Studeniçanit 10 vite kam punuar në këtë ndërmarrje, 10 vite me radhë kam pa se çfarë mbeturinash hudhen dhe çfarë padrejtësie e madhe i bëhet kësaj popullate jo vetëm Batincës po gjithë Karshiakës”, thotë një banor për TV Shenja.

Një tjetër banor shprehet:

“Kjo deponi nuk ka pasur interes për popull çka jetojnë rreth 5000 banorë në fshatin Batincë ato shohin veç të marrin para, çfarëdo ujëra janë duke na hedh në lum ku dhe fëmijë lahen, ato nuk dinë”.

Banorët e Karshiakës kërkojnë që në afat të shkurtë kohor organet kompetente të zgjidhin çështjen e kësaj deponie sepse përndryshe thonë ata, bllokada të mëdha e presin rrugën për tek deponia “ Drislla”.

15.09.2023, Batincë, protesta kundër ndotjes nga deponia Drislla. Foto: Portalb.mk
15.09.2023, Batincë, protesta kundër ndotjes nga deponia Drislla. Foto: Portalb.mk

Drislla kërcënon me padi

Nga ana tjetër, ndërmarrja Drislla, në vend që të bisedojë me organizatorët e protestës dhe banorët, për të gjetur zgjidhje, ka kërcënuar me padi penale, për siç thonë ata, informacione rreme me përmbajtje të falsifikuar. NP Deponia Drisla mohon se informacionet e publikuara në rrjetet sociale dhe një pjesë të portaleve për trajtimin e pahijshëm të mbetjeve mjekësore.

“NP Drislla nuk prodhon mbeturina, ndërsa mbetjet mjekësore nga qendra klinike dërgohen me automjete speciale në procedurë të veçantë. Mbetjet mjekësore nuk ruhen ose lihen në ambient të hapur, por në të njëjtën ditë futen në autoklave ku trajtohen. Vetëm punonjësit e trajnuar të kompanisë kanë akses në të dhe duke qenë se nuk lihet hapur, qentë apo kafshët e tjera nuk kanë të njëjtën akses”, thonë nga ndërmarrja.

Ata thonë se fotot e publikuara nuk janë nga NP Drislla dhe nuk “mund të lejojmë falsifikimin e këtij lloj skandali, i cili kërcënon institucionet shëndetësore dhe vetë kompaninë, 200 punonjës të së cilës punojnë çdo ditë për trajtimin e duhur të mbetjeve dhe në të vetmen deponi sanitare me A- leje mjedisore që ka një  qëllim të vetëm, mbrojtjen e qytetarëve”.

Deponia NP Drisla bën thirrje që e drejta dhe liria e fjalës, e drejta për tubime publike dhe protesta të mos keqpërdoren, si thonë nga ndërmarrja, si instrument i interesave politike dhe personale dhe për përhapjen e qëllimshme të gënjeshtrave dhe dezinformatave.

“Përdorimi i mjedisit dhe shëndetit të njerëzve si aset për të arritur qëllimet e tyre politike të opsioneve politike që e shohin këtë si të vetmen mënyrë për të ngritur një masë më të gjerë njerëzish dhe për të minuar dhe degraduar funksionimin ligjor të ndërmarrjes me gënjeshtra është e papranueshme. Ndaj personave që përhapin gënjeshtra dhe që publikojnë dezinformata me foto të falsifikuara, që mbjellin frikë dhe panik pa prova, ndërmarrja do të ketë kallëzim penal përkatës”, thonë nga ndërmarrja.

Njëkohësisht Drislla i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Themelore Publike që të hetojnë në detaje këto akte, për t’i dhënë fund përfundimisht, si thonë, manipulimeve të tilla që vihen në funksion të politikës.

Dje nëpër portale, u publikuan pamje të foshnjeve të abortuara që tërhiqen zvarrë nga qentë në deponinë Drislla.

Herën e fundit që deponia e Drisllës, kërcënoi për padi ishte, kur u dogj më 5 shtator, nga ku deklaruan se janë mashtrime informacionet se djegia përbën kërcënim të mjedisit dhe shëndetit të njerëzve.

Edhe atëherë nga kjo ndërmarrje i bënë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Themelore Publike që të hetojnë rastin në detaje dhe autorët të gjenden dhe të dënohen në mënyrë të duhur, ndërsa ndaj personave që përhapin gënjeshtra dhe dezinformata për deponinë Drislla, paralajmëroi se do të ngriten procedura përkatëse nga ndërmarrja.