“Mos i hidhni mbeturinat inerte në rrugë!”, u promovua numri ku duhet të paraqiteni që NPK “Tetova” t’i mbledhë ato nëpër shtëpi (Video)

Mbeturinat inerte në Tetovë gjenden gjithandej, shpesh duke krijuar deponi në mes të rrugëve dhe trotuareve. Për zgjidhur këtë problem, Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” promovoi numrin e telefonit ku qytetarët mund të telefonojnë dhe ekipi i krijuar për këtë problem do t’i merr mbeturinat inerte nga shtëpitë e tyre, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i NPK-së, Samet Bislimi apeloi që qytetarët mos t’i hedhin mbeturinat inerte nëpër rrugë dhe trotuare, por të paraqiten në numrin e telefonit 044-331-167, çdo ditë pune nga e hëna deri të premten prej ora 07:00 – 15:00.

“Ekipi ynë do kujdeset që mbetjet inerte të vijë t’i marr deri tek banesa apo shtëpia juaj. Me këtë duam që bashkërisht të kontribuojmë në pastërtinë e qytetit, pasi vetëm kështu mund të bëjmë më të mirën për qytetin tonë”, tha Bislimi.

Mbeturinat inerte më pas do të dërgohen nga ekipi i NPK-së në rrugën Tetovë – Falisht te pika e ngarkim shkarkimit.

Kujtojmë që në Tetovë situata me mbeturinat ende nuk po zgjidhet, mbeturinat gjenden të shpërndara nëpër kontejnerë dhe gjithandej shpesh duke krijuar mini deponi.

Mbeturina inerte në rrugën 113 në Tetovë (19.04.2024). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Mbeturina inerte në rrugën 113 në Tetovë (19.04.2024). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndërsa së fundmi në Tetovë aktuale është ndryshimi i çmimores për grumbullimin e mbeturinave, për të cilin qytetarët për çdo ditë kanë ankesa.

Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.