Drislla refuzon të nënshkruajë procesverbalin për ndotjen e lumit Markova, do të përballet me gjoba prej 120 mijë dhe 6 mijë euro

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit (IShM) do të paraqesë kërkesë për inicimin e procedurës penale kundër NP Drislla Shkup dhe kundër kryesisë para Gjykatës Themelore Penale në Shkup, për shkak se ndërmarrja refuzon të nënshkruajë Procesverbalin, pas kontrollit të jashtëzakonshëm, njoftoi Qeveria, transmeton Portalb.mk.

Ndryshe, NP Drisla Shkup përballet me gjobë prej 110 mijë deri në 120 mijë euro, ndërsa udhëheqësi me gjobë deri në 6 mijë euro. Ky dënim vjen pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme të Inspektoratit më 4 shtator, pas denoncimit të qytetarëve nga fshati Batincë, për ndotjen e Markovës së Rekës.

“Gjatë vëzhgimit të jashtëzakonshëm vizualisht është konstatuar se ka ndotje të Markova Rekës me lëng kafe të errët, por gjatë vëzhgimit nuk është konstatuar erë”, thuhet në raportin e inspektoratit.

Sipas IShMJ-it, të njëjtën ditë janë marrë mostra nga tri vende për analiza të ujit nga Markova Reka, si dhe një mostër shtesë e dorëzuar nga qytetarët nga Batinca, nga laboratori i akredituar i mjedisit EUROMAK CONTROL Shkup.

Gjetjet e vëzhgimit vizual dhe rezultatet e laboratorit të akredituar që ka analizuar mostrat, konstatuan se ka përqendrime të substancave ndotëse mbi kufijtë e lejuar dhe se ato burojnë nga shkarkimet e deponisë.

“Mbrojtja e mjedisit është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe ne mbështesim çdo veprim që synon mbrojtjen e natyrës dhe jetës së qytetarëve tanë. Përcaktimi ynë i vendosur është aplikimi i standardeve evropiane në të gjitha sferat e shoqërisë, duke përfshirë edhe mjedisin, siç dëshmojnë veprimet tona me aktivitete specifike në drejtim të mundësimit të mjedisit të pastër dhe ruajtjes së ekosistemit natyror”, thonë nga Qeveria.