Mexhiti: ‘Çështja Limani’ problem i brendshëm i Besës, modeli i bashkëkryetarëve vlerë evropiane

Izet Mexhiti deklaroi se “çështja Limani” është një problem i brendshëm i Besës dhe se pret që kjo parti ta tejkalojë situatën përmes dialogut dhe unitetit, transmeton Portalb.mk.

“Çështja Limani është brenda problem, dmth është brenda Besës dhe besoj që Besa ka kapacitet së bashku t’i tejkalojnë dhe të ecin bashkë”, u shpreh Mexhiti.

Ai theksoi se tashmë ka nisur një proces i brendshëm vendimmarrjeje dhe se në periudhën e afërt pritet të ketë njoftime zyrtare për opinionin publik. Sipas tij, të njëjtin hap do ta ndërmarrin edhe partitë e tjera që janë pjesë e koalicionit VLEN, duke përfshirë edhe subjektin e tij politik, LD-në.

“Tashmë ka nisur, me vendimin e Besës mendoj se ka nisur ai proces dhe po vijon. Në periudhën e afërt që vijon, do të ketë njoftim para opinionit. Të njëjtën do ta bëjnë edhe partitë e tjera politike brenda në VLEN, duke filluar nga LD-ja ime”, tha ai.

Në deklaratën e tij, Mexhiti foli edhe për idenë e bashkëkryetarëve, të cilën e cilësoi si një koncept kreativ dhe të njohur në demokracitë evropiane.

“Ideja e bashkëkryetarëve d.m.th. është një prej ideve kreative të cilat ndoshta nuk janë karakteristike për këtë nën qiell, mirëpo i njeh bota demokratike. Është vlerë evropiane. E kemi edhe në Republikën e Kosovës. Është Lëvizja Guxo. Mirë po ka edhe modele të tjera. Po debatohet me argumente pro dhe kundër”, theksoi Mexhiti.

Ai shtoi se debatet brenda subjekteve politike janë pjesë e një procesi demokratik dhe se vendimet përfundimtare do të bëhen publike shumë shpejt.

Ndërkohë, ministri për Punë dhe Politikë Sociale dhe Demografi, Fatmir Limani ka reaguar pas vendimit të Lëvizjes Besa për shkarkimin e tërë kryesisë.

Limani përmes një postimi në Facebook thotë se rrugëtimi i VLEN-it kërkon arkitekt dhe jo monark.

“Një grumbull njerëzish, të nisur me qëllime të ndryshme, i mbajti bashkë shpresa se një ditë planet e tyre do të jetësoheshin. Por koha, ky gjykatës i pamëshirshëm, kaloi shpejt. Sot, për shumë përkrahës që shohin nga anash, synimet bëhen çdo ditë e më të largëta dhe loja bëhet gjithnjë e më e qartë. Si Ministër i çështjeve sociale, demografisë dhe rinisë, por mbi të gjitha si njeri që beson te ndryshimi, ndiej detyrimin të them atë që shumë e mendojnë: Besa është shumë më e madhe se interesat e ngushta të disa mendjeve të ngulfatura”, shkroi ai në Facebook.

Paraprakisht, kryetari Kasami paralajmëroi debat për cilësinë e punës së Lëvizjes Besa në qeveri dhe mundësinë e bashkëpunimit me liderët e partive tjera.

Ndryshe Mickoski dje i doli në mbrojtje të ministrit Farmir Limani, për të cilin Kasami tha se mund ta shkarkojnë nga pozita. Kryeministri e quajti atë vlerë të shtuar në Qeveri.

Kur Bilall Kasami të bëhet Kryeministër, ai ndoshta do të thotë se kush do të jetë ministër dhe kush jo. Këtë e deklaroi më 12 shkurt ministri i Drejtësisë Igor Filkov, duke komentuar deklaratën e partnerit të koalicionit nga VLEN, Bilall Kasami, se në rikonstruksionin e Qeverisë të paralajmëruar për këtë pranverë, një nga ministrat që do të zëvendësohet është Filkov.