Artistët nga shtetet e Ballkanit zbërthejnë me art të vërtetën dhe gënjeshtrën

Pesë artistë nga vende të ndryshme ballkanike do të mblidhen në “Galerinë 17” për të shpalosur perceptimin e tyre mbi të vërtetën e të rremen. “Visibility Horizon” e kuruar nga maqedonasja Ana Frangovska synon të hapë diskutime mbi historinë, politikën, komunikimin, mediat, e çka jo tjetër, raporton Koha.net. Mbi të gjitha të bëhen të dukshme vizionet. Me këtë ekspozitë “Galeria 17” e hap programin për sivjet.

Artistët Kristina Janjiq nga Serbia, Sofia Dimova nga Bullgaria, Gjorgji Despodov nga Maqedonia e Veriut, Elia Kaloganni nga Greqi dhe Valdrin Thaqi nga Kosova bëhen bashkë me vepra arti në Prishtinë për të eksploruar edhe problemet e transmetimit të informacionit e njohurive. Sipas tekstit kuratorial, ata përballen me realitetin dhe flasin për konsumimin e së “vërtetës së rreme ose të riformuar”.

Kuratorja Frangovska vlerëson se politika është e mbuluar me bindje të rreme dhe se e vërteta e politika duket e vështirë për t’u përmbushur. Krahas politikës ajo shënjestron edhe lajmet e rreme si produkte të medias moderne.

“Audienca sot bombardohet me burime, informacione dhe metoda me autenticitet të ndryshëm, duke e bërë të vështirë dallimin e faktit nga trillimi. Lajmet e rreme kanë qenë gjithmonë pjesë e peizazhit global. Besueshmëria e informacionit dhe lajmet e rreme kanë formësuar kulturën dhe politikën globale. Kjo fsheh dështimet e partive politike pas të vërtetës. Prevalenca e mediave sociale ka përkeqësuar përhapjen e gënjeshtrave. Kjo lejon një komunitet virtual ku anëtarët e rrjetit social mund të mbështesin sjelljen e individëve. Keqinformimi ka pasoja të rënda”, ka shkruar kuratorja maqedonase Ana Frangovska për ekspozitën.

Konceptin e ka ndërlidhur edhe me romanin distopik “1984” të shkrimtarit George Orwell që portretizon shoqërinë ku regjimi totalitar pohon kontrollin e tij në të gjitha fushat. Gjithashtu, manipulon ngjarjet historike dhe i shtyp ata që i rezistojnë pushtetit.

“Visibility Horizon” e bën të dukshëm horizontin e vizioneve, duke treguar se si artistët ndryshojnë mënyrën e përjetimit dhe të ndjenjës së informacionit. I bën ata të mendojnë se çfarë duan të shohin dhe çfarë jo.

“Kjo kërkon dhe përfshin krijimin e një vizioni të ri, shikimin e formave të reja dhe marrjen pjesë dhe ndërtimin e momenteve që shkojnë përtej dhe kundër mënyrave të gjykimit që zakonisht organizojnë botën, duke na detyruar të rikonfigurojmë qëndrimet tona në kundërshtim me mënyrën se si gjërat janë. Kjo përfshin mendime që japin një pamje të freskët dhe të plotë të pjesës që luan arti, e cila në rastet më ekstreme çon në ‘një kolaps të paradigmës përfaqësuese’, që nuk do të thotë vetëm fundi i një hierarkie adresash, por edhe fundi i një sistemi të tërë kuptimor”, shkruhet në tekstin kuratorial për ekspozitën “Visibility Horizon”, që do të hapet të martën mbrëma në “Galerinë 17”.

Derisa ka shpjeguar punët e artistëve, ka vlerësuar se “puna e imazheve lëvizëse të Elia Kalogiannit prek shumë nivele të konceptit të së vërtetës ose të pas-vërtetës, horizontin e dukshmërisë përmes thjerrëzave të të mundurve, javëve, të shtypurve, duke treguar nivelet e shumta të kontrollit, fuqisë, burgosjes dhe dukshmërisë kufizuese”.

Ajo bën të ditur se e gjithë puna e artistes greke paraqitet në mënyrë alegorike.

“E gjitha paraqitet në mënyrë alegorike me kafshët, që udhëtojnë në një hark, duke zbatuar konotacionin fetar (duke shpëtuar ose shkatërruar botën), duke diskutuar çështje ekologjike, duke u marrë me politikë etj. E gjitha është e kompletuar me rrëfim intrigues, fokus të madh të kamerës dhe inkuadrim filmi, ndjesi e shkëlqyer për ndryshimin e dinamikës, nga e shpejtë, në të ngadaltë dhe monotone, e gjitha në favor të temës dhe dramatizimit të saj”, ka shkruar kuratorja e historiania e artit nga Shkupi për punën e artistes Elia Kalogianni.

Frangovska është kuratore e lartë në Galerinë Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga viti 2006 dhe pedagoge në Institutin e Historisë së Artit dhe Arkeologjisë, Fakulteti Filozofik, që nga viti 2016. Ka kuruar dhe organizuar një numër të madh projektesh institucionale dhe të pavarura brenda dhe jashtë vendit, të artistëve vendës dhe ndërkombëtarë.

Ishte bashkëkuratore e Pavijonit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bienalen e 59-të të Venecias (së bashku me Sanja Kojic – Mlladenov), me projektin “Landscape Experience”, të artistëve Robert Jankuloski dhe Monika Moteska në vitin 2022, si dhe kuratore e Pavijonit të Maqedonisë në Bienalen e 55-të të Venecias në vitin 2013 me projektin “Silentio pathologia” nga artistja Elpida Haxhi-Vasileva.

Puna e artistes serbe Kristina Janjić, sipas kuratores, është e ndërlidhur drejtpërdrejt me procesin krijues të eksploruar përmes formave si performanca, dizajni kodet skanuese e librat.

“Projekti transdisiplinor i Kristina Janjić merret me provokimin e një dialogu midis teorisë dhe praktikës në art, vënien në dyshim të përfshirjes së koncepteve teorike në një vepër arti, më pas diskuton rolin e filozofisë ose një teksti në interpretimin e një vepre artistike dhe çështjet nëse ky ndërveprim është një paraqitje sipërfaqësore ose përvoja artistike pasurohet nga teoria”, bën të ditur kuratorja Frangovska për punën e artistes.

Punën e maqedonasit Gjorgji Despodov të ndihmuar nga Inteligjenca Artificiale e ka konsideruar si horizont “në të cilin duam të jetojmë” derisa i është referuar edhe si horizont “ëndërr ose realitet, i vërtetë ose i rremë”.

“Duke përdorur teknologjinë e inteligjencës artificiale, programet video të animuara dhe fjalorin e masmedias, Gjorgji Despodov, krijon një karikaturë bashkëkohore të itinerarit të tij të përditshëm, nga gjumi, zgjimi, përgatitja për ditën, ngrënia, puna, ushtrimet, larja e trurit nga mediat televizive etj. të gjitha të mbushura me një ngjyrë të freskët dhe të gëzueshme popish – barbie që shpjegojnë në mënyrë cinike matricën ekzistenciale në të cilën jetojmë të gjithë, me vetëdije ose pa vetëdije”, shkruhet për punën e artistit Despodov.

Për instalimin e Valdrin Thaqit vlerëson se kthen në çështjet e politikës, pushtetit, e lirisë së kufizuar.

“Ai ndërlidh një model avioni me një konstruksion betoni, që e mban avionin të bllokuar nga kryerja e funksionit të tij famëkeq – fluturimi. Kjo dikotomi midis dy elementeve (statikes dhe dinamikes) krijon një nocion të kushteve të kufizuara, që mund të jetë një akt i sistemeve kontrolluese të dominimit mbi lirinë. Tensioni midis dy horizonteve të kundërta të dukshmërisë është elementi kryesor në këtë paraqitje vizuale të zemërimit të pafuqisë”, bëhet e ditur nga kuratorja në tekstin ku shpjegohet se çfarë do të mund të shohë publiku në ekspozitën që hapet sot.