Hulumtimi i Metamorfozis: Trend shqetësues i dezinformatave, qytetarët kërkojnë që të merren masa

Përhapja e dezinformatave nga viti në vit po shënon një trend alarmant. Qytetarët i detektojnë  dezinformatat, por po e humbasin besimin tek mediat dhe kërkojnë nga autoritetet që të marrin masa për parandalimin e tyre, raporton Portalb.mk.

Këto janë vetëm disa nga konkluzionet e hulumtimit të fundit të Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, të titulluar si “Efekti i dezinformatave dhe ndikimeve të huaja ndaj proceseve demokratike në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023″.

Ajo që është një trend interesant është fakti se informimi përmes kontakteve dhe komunikimit personal gjatë vitit të fundit ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme. Nëse vitin e kaluar vetëm 36 përqind e qytetarëve informoheshin çdo ditë për zhvillimet dhe ngjarjet përmes komunikimit të drejtpërdrejtë gjatë marrëdhënieve të tyre personale, këtë vit kjo përqindje është rritur në 64 përqind dhe madje tejkalon përqindjen e qytetarëve që informohen nga stacionet televizive në vend.

Sa shpesh informoheni nëpërmjet këtyre kanaleve të informimit?

Rezultati i hulumtimit
Rezultati i hulumtimit “Efekti i dezinformatave dhe ndikimeve të huaja ndaj proceseve demokratike në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023”

Gjetjet e këtij hulumtimi tregojnë për një ndryshim të rëndësishëm në shprehitë e informimit të qytetarëve krahasuar me vitin e kaluar 2022. Nga kanalet mediatike të informimit më të përfaqësuara janë televizionet vendore (61 përqind), ndërsa menjëherë pas tyre radhiten mediat sociale (58 përqind). Një ndryshim evident krahasuar me vitin e kaluar ka sa i përket portaleve në internet. Vitin e kaluar nga portalet janë informuar 37 përqind e qytetarëve, ndërsa këtë vit kjo përqindje është rritur në 51 përqind.

“Përqindja më e madhe e qytetarëve kanë besim të plotë në informacionet që i marrin nga kontaktet personale (24 përqind), ndërsa vetëm 4 përqind kanë besim të plotë tek stacionet televizive vendore, si kanali mediatik më i përdorur. Informacioneve të marra nga portalet në internet dhe mediat sociale plotësisht u besojnë më pak se 2 përqind, gjë që tregon se edhe pse qytetarët për çdo ditë informohen nga këto media, ata kanë shumë pak besim në to”, thuhet në gjetjet e hulumtimit.

Filip Stojanovski, drejtori për partneritete dhe zhvillim të resurseve në Fondacionin “Metamorfozis”, theksoi se problemi me dezinformatat nuk konsiderohet vetëm si problem mediatik, por ai është një problem që e prek të gjithë shoqërinë.

“Para së gjithash, ky është një problem i sigurisë. Ai i prek të gjitha aspektet e jetës së qytetarëve. Një nga qëllimet e këtij hulumtimi ishte përcaktimi i shkallës së ekspozimit të bashkëqytetarëve tanë ndaj dezinformatave. Ne deshim ta mbulojmë problemin përmes nivelit të perceptimit të qytetarëve me ndihmën e anketës, por edhe të bëjmë një krahasim me rezultatet e anketave tjera, për të përcaktuar lidhshmëritë dhe për të ofruar propozime të caktuara për zgjidhje”, theksoi Stojanovski.

Rezultatet duhet të na shërbejnë si material në procesin e krijimit të zgjidhjeve sistematike të cilat janë të domosdoshme për shoqërinë tonë, tha Filip Stojanovski.

Ai përkujtoi se “Metamorfozis” i kushton një rëndësi shumë të madhe verifikimit të fakteve.

“Këto hulumtime janë të domosdoshme për punën gazetareske, që të mund të demistifikohen paragjykimet dhe qëndrimet e pranuara gjerësisht që nuk bazohen në fakte, si dhe veçanërisht që të përcaktohet përhapja e dezinformatave në narrativat populiste. Ne kishim për qëllim që rezultatet të na shërbejnë si material në procesin e krijimit të zgjidhjeve sistematike që janë të domosdoshme për shoqërinë tonë. Ato mund të na shërbejnë për Strategjinë nacionale kundër dezinformatave, e cila është në krijim e sipër me iniciative të sektorit qytetar”, shtoi Stojanovski, dhe theksoi se dezinformatat e rrënojnë lirinë e shprehjes dhe se ato janë keqpërdorim i potencialit komunikues.

Hulumtuesi Gjorgi Mitrevski e prezantoi në detaje hulumtimin dhe anketimin e realizuar. Ai tha se gjetjet kanë treguar se informimi nga televizionet vendore është më i përfaqësuar tek popullata e moshuar, ndërsa pjesa tjetër, pra nga rrjetet sociale dhe portalet në internet, më i përfaqësuar tek popullata më e re.

“Më interesante është gjetja sipas të cilës informimi bëhet përmes kontakteve personale. Këtë vit kjo përqindje është dy herë më e lartë. Një tjetër ndryshim sa i përket shprehive të informimit të qytetarëve është rritja e ndjeshme e informimit nga portalet në internet. Ka një tendencë për ndryshimin e zakoneve të qytetarëve”, tha ai.

Pothuajse 70 përqind e të anketuarve besojnë se dezinformatat paraqesin një kërcënim për sigurinë

Hulumtimi nxori në pah se qytetarët e kuptojnë mirë natyrën e dezinformatave. Rreth 75 përqind mendojnë se dezinformatat e nxisin gjuhën e urrejtjes dhe ndarjet në shoqëri, ndërsa 68 përqind pajtohen se dezinformatat janë një kërcënim për sigurinë. Në të njëjtën kohë, një përqindje e madhe e qytetarëve (pothuajse 40 përqind) besojnë se shteti nuk ka kapacitet për t’u përballur me kërcënimet nga dezinformatat dhe format e tjera të luftës speciale.

“Qytetarët, në një masë të madhe, janë të ndjeshëm ndaj dezinformatave dhe teorive konspirative. Këtë e vërtetojnë edhe gjetjet e hulumtimit, i cili evidentoi një përqindje të lartë të qytetarëve që besojnë në narrativat e dezinformative. Kështu, rreth 62 përqind e qytetarëve besojnë se “globalistët apo elitistët i kontrollojnë ngjarjet në botë”, ndërsa 66 përqind e qytetarëve besojnë se “Covid-19 është krijuar qëllimisht”. Një përqindje e madhe besonin edhe në dezinformatat kundër vaksinimit – gjegjësisht 28 përqind e qytetarëve besojnë se “sëmundjet për të cilat bëhet vaksinimi, mund të kalohen me ndihmën e imunitet natyror”, thuhet në hulumtim.

“E majta” kryeson listën e promotorëve të interesave ruse

Kur bëhet fjalë për narrativat pro-ruse, rezultatet treguan se ato janë shumë të përhapura në hapësirën mediatike. Rreth 30 përqind e qytetarëve mendojnë se në vendin tonë nuk ka subjekte që i promovojnë interesat ruse. Edhe më e rëndësishme është që të përmendet se pothuajse 50 përqind e qytetarëve nuk kanë një mendim të tyre për këtë çështje.

Sa i përket asaj se cilat burime/entitete i promovojnë interesat dhe qëndrimet ruse në vendin tonë, për dallim nga viti i kaluar kur kryesisht përmendeshin shërbimet sekrete të vendeve të tjera (11%), mediat (10%) dhe partitë politike (9%), këtë vit përqindja më e madhe i takoi partisë politike E majta (15%). Kjo shënon një ndryshim të rëndësishëm të opinioneve krahasuar me vitin e kaluar, kur vetëm 4% e qytetarëve besonin se interesat ruse në vendin tonë promovohen në mënyrë aktive nga E majta si burim i këtyre interesave.

Qëndrimet e qytetarëve për proceset eurointegruese nuk kanë ndryshuar dukshëm me ato të vitit të kaluar. Përqindja më e lartë e qytetarëve (48 përqind) mendojnë se vendi duhet të bëhet anëtar i BE-së, por pa lëshime ndaj Bullgarisë. 50 përqind nuk janë dakord me idenë e ndryshimit të Kushtetutës, si kusht për anëtarësimin e vendit në BE.

“Me përjashtim të Serbisë, sipas mendimit të qytetarëve të gjitha vendet fqinje kanë ndikim negativ dominant në vendin tonë. Serbia, nga ana tjetër, konsiderohet si vendi me ndikimin më të madh pozitiv në vendin tonë. Qytetarët e anketuar besojnë se Bullgaria ka ndikimin më negativ në vendin tonë – 77 përqind e tyre janë të këtij mendimi”, thuhet në hulumtim.

Në pjesën e rekomandimeve thuhet se e nevojshme është një qasje sistematike për ndërtimin e kulturës së opinionit kritik dhe dialogut social në të gjitha nivelet, duke filluar nga roli proaktiv i institucioneve shtetërore në nivel të ndërtimit të politikave publike, rritjes së cilësisë së mbulimit mediatik të temave të nxehta. Edukimi mediatik dhe digjital duhet të përforcohet si përmes sistemit arsimor edhe përmes programeve edukatie në media, ashtu edhe përmes reformimit të marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe palëve të interesuara nga të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet.

“Mediat duhet të angazhohen për transmetimin e përmbajtjeve të verifikuara nga shërbimet e verifikimit të fakteve apo media të tjera, si dhe nga organizatat civile që ekspozojnë rregullisht dezinformata dhe narrativa dezinformative në kuadër të punës së tyre. Rritja e përdorimit të mediave online, duke filluar nga portalet në internet e deri te rrjetet sociale, të cilat qytetarët i konsiderojnë ndër burimet kryesore të dezinformatave, e imponon nevojën për zgjidhjen e problemeve të shtresuara që lidhen me mungesën e rregullimit të kësaj fushe, nëpërmjet ndryshimit dhe plotësimit të ligjeve dhe të rregulloreve, me qëllim ruajtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes, në përputhje me standardet e BE-së”, thuhet në rekomandimet.

Gjithashtu, në mesin e rekomandimeve ka edhe nga ato për institucionet shtetërore dhe publike, kompanitë private dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat duhet t’i avancojnë kodet etike, që ta inkorporojnë luftën kundër dezinformatave si vlerë themelore dhe zhvillimin e mëtejshëm të procedurave të duhura të punës dhe kritereve për veprim gjatë proceseve të prokurimit të shërbimeve mediatike.

Hulumtimi i plotë tashmë është publikuar në ueb-faqen e “Metamorfozis” dhe është në dispozicion në gjuhën maqedonase, shqipe dhe atë angleze.

Hulumtimi u realizua në kuadër të projektit “Ndërtimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe gazetarëve përmes trajnimeve”, i cili zbatohet nga “Metamorfozis” me mbështetjen e IFEX – Rrjeti Global për Promovimin dhe Mbrojtjen e Lirisë së Shprehjes. (IFEX – The Global Network Promoting and Defending Free Expression).