Arsovska sot do të promovohet kryetare e partisë “Alternativa e Re”

Për sot në mbrëmje në Shkup është paralajmëruar konventë për promovimin e kryetares së Shkupit, Danela Arsovska, kryetare e re e partisë politike Alternativa e Re, transmeton Portalb.mk.

“Kemi nderin t’ju ftojmë në konventën për promovimin e kryetares së re të partisë politike Alternativa e Re, zonjës Danela Arsovska. Kongresi do të mbahet nesër, më 17 janar 2024 (e mërkurë) në orën 18:00”, thuhet në ftesën për media.

Themelimi i partisë ishte paralajmëruar gjatë nga Arsovska.

“Kjo do të thotë se jemi në proces që t’u tregojmë qytetarëve se është e mundur ndryshe nga këto 30 vitet e fundit kur këto dy elita politike vetëm ndryshojnë qëndrimet e tyre, por mbeten me të njëjtat pikëpamje dhe mezi presin të marrin karrigen dhe të vazhdojnë duke bërë të njëjtën gjë kundër të cilës paraprakisht thanë se do të luftonin. Le t’u tregojmë qytetarëve tanë se dikush mund të vijë dhe t’i bëjë gjërat ndryshe. Për sa kohë që bëhen gjërat për të kënaqur nevojat individuale të ndonjë prej politikanëve nga kjo elitë politike e korruptuar, nuk do të ketë përparim. Nëse vetëm unë si individ mund të tregoj se është e mundur ndryshe, besoj se me gjithë njerëzit që më përkrahin dhe numri i atyre qytetarëve është i madh, do të mund të tregoj shumë më tepër”, tha Arsovska në një intervistë televizive.

Ajo u bë kryetare komune me mbështetjen e VMRO-DPMNE-së.

Paraprakisht nëpër media u tha se partia e saj do të quhet Pravda, ndërsa selia do të jetë në rrugën Gjorçe Petrov nr.49, adresë e cila sipas të dhënave të biznis-rrjetit, është e lokalizuar aty ku janë kompanitë e bashkëpunëtorit të saj më të afërt në hije Dragan Mitkovski.

Sipas raportimeve të “Fokus”, në partinë e saj do të jetë sekretari i përgjithshëm i Qytetit të Shkupit, Zoran Gligorov, si dhe Mitkovski, i cili është i afërt me babain e kryetares së Qytetit, Vanço Jovanovski.

Kjo do të jetë partia e parë e re politike në kampin maqedonas, por e katërta në skenën politike pas formimit të tre partive të tjera shqiptare nga Izet Mexhiti i dalë nga radhët e BDI-së, Arjanit Hoxhës, i dalë nga radhët e Lëvizjes Besa dhe Skender Rexhepi Zejdi, dalë nga Alternativa.

Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit u formua më 13 gusht të vitit 2023, ku po të njëjtin ditë mbajti kuvendin themelues.

Ndërsa në ditën paraprake, 12 gusht, u formua Partia Demokratike Evropiane me në krye Arjanit Hoxhën.

Partia e deputetit të pavarur Skender Rexhepi – Zejdi, quhet Lëvizja Populli dhe u shpalos më 9 shtator 2023.