‘MËHALLA E SHATIT’ 4.0

“Eh mor mik, mjerim, tmerr, zi, s’ka si më keq” – tregon arsimtari. “Në mëhallën tonë s’kemi asnjë të ri të shëndoshë. Të gjithë të sëmurë, jo në kuptimin fizik, fiziologjik e biologjik. Por, të rinj pa ardhmëri. Të batisur deri në veshë në lojërat e fatit. Vizitorë permanentë kazinosh, bastoresh. Luajtës të pasionuar të lojërave të fatit. Harxhues edhe të qindarkës së fundit nga buxheti familjar. Pasivë. Të rinj që s’kanë as profesion e as duan të merren me diçka kreative. Hajdutë. Bile edhe narkomanë. Në një lagje që në kohën tonë punën e kishte ritual. Vërtet puna njeriun e bëka njeri, tamam qenka kjo thënie. Kur i shoh këta kohëhumbës, them ‘h’allall e paçin prindërit tanë që s’na linin kohë të lirë, që gjithnjë na mbanin të angazhuar’”.

Kjo është piktura sociologjike që vizatoi një intelektual si vëzhgues i hapësirës së vet jetike ku vërehen pasojat e manipulantëve nga jashtë që nuk zgjedhin metoda për të fituar, që i ngulin thika shoqërisë. Drita e kuqe e alarmit është ndezur. Gjendje kjo e prodhuar edhe nga shpërfillësit, neglizhentët nga mesi ynë, rrethana tmerri e lemerie, frike për të nesërmen, ndonëse fajin më të madh e kanë të rinjtë që sot janë në moshën madhore, kur duhet të arsyetojnë.  Ky kontekst është për të vënë gishtin në kokë çdokush prej nesh që e ka ndërgjegjen të gjallë dhe që mendon për mirëqenien kolektive. Lista e fajtorëve mund të zgjatet deri në pafundësi: instancat shtetërore, shkolla që e s’e kryejnë funksionin e vet si duhet, por është e kotë. Shteti mund të ndalojë, por ne duhet krijojmë individë që ndonëse kalojnë pranë këtyre lokaleve vrastare, vazhdojnë rrugëndrejt destinacionit të tyre.

Secili individ duhet të përkujdeset për çdo anëtar të familjes së vet, duhet të vigjilojë dhe të rritë dozën e komunikimit, të shoqërimit, të bashkëveprimit, të afrimit me ta. Përndryshe jeta në shndërrohet në ferr. Edukimi, si “ekuivalent i gradës, fisnikërisë dhe pasurisë, është elementi ku çalojmë.” “Detyra kryesore që duhet ta realizojë arsimimi është formimi i karakterit dhe përvetësimi i sjelljeve dhe mënyrave të mira të sjelljes.” (Rosenthal) Edhe familja nuk e luan më atë rol që ka luajtur dikur. As edukimi fetar nuk është më ai që ka qenë më parë, është bërë teknikë, rutinë e kryerjes së ‘vazifes’ (detyrës) pa integrim të mirëfilltë me komunitetin, gjë që brezat e mëparshëm të thirrësve e kanë bërë në mënyrë shumë më efektive.

Moderniteti është kulçedra që vjell zjarrin e vet ndaj çdo njeriu, në këtë ose në atë mënyrë. Sa më tepër që modernizohemi aq më tepër çnjerëzohemi. Kultura që ofrohet si kulturë, shpesh del si kundërkulturë. Andaj, sytë katër! Fëmijëve nuk iu mjafton vetëm buka e gojës, më e rëndësishme për ta është fjala e gojës. S’kryejnë punë vetëm certifikatat, dioplomat. Para së gjithash, edukata, morali, vetënjohja, mësimi i abecedës së jetës. Të kota janë brendet e shtrenjta, metrekatrorët e shtëpisë, banesës, marka e veturës që ua sigurojmë nëse pasardhësit s’i kemi bërë njeri në plotkuptimin e fjalës. Njeriu nuk është vetëm qenie bipedale, dykëmbëshe. Është shumë më tepër se aq. Qenie komplekse, që do kultivim të vazhdueshëm, gjatë gjithë jetës. E faza më kritike është fëmijëria. Kur edhe shumica e njerëzve dhe familjeve rrëshkasin. Kjo ngase nuk dinë të vetëpërmbahen. Nuk dinë ta kufizojnë veten në sigurim të të mirave për ‘zemrat e tyre’, për ‘shpirtin e tyre’. Harrojnë ushqimin spiritual që duhet t’ua japin atyre. Harrojnë se edhe një lule në saksi a në oborr kërkon dashuri jo vetëm pleh e ujë. Hidhi në tenxherë përbërësit e një gjelle pa pasion dhe pa përkujdesje, rezultati një llançburinë që s’hahet. Ekzistenca duhet siguruar – thonë. Po, e vërtetë. Ama ekzistenca nuk është vetëm fizike, satisfaksioni nuk është vetëm material. Nganjëherë gjërat që s’kanë ndonjë vlerë lëndore dhe monetare dalin shumë më të çmueshme se të njehsueshmet. Ne kemi nevojë për atë që grekët e kanë emërtuar si paideia, etikë individuale dhe kolektive, që kulltura klasike mistike e ka quajtur edeb, ndërsa ajo gjermane lebensklugheit, urtësi jetike ose mençuri praktike. Nëse nuk i kemi këto atëherë mëhalla e shatit do shndërrohet në lagjen e kazinoxhive që vjellin vrer mbi të gjithë ne. Që s’njoin as nënë e as babë, as kojshi, as farefis, as shenjtëri e xhami, që nxijnë jetën e vet dhe edhe të të tjerëve. Mëhalla e njerëzve që furnizimin e kërkonin duke gërmuar, prashitur mollën, dardhën, qershinë, vishnjen do të shndërrohet në mëhallën e kërkuesve të fatit përmes pemëve virtuale që frutat i kanë të hidhura dhe helmuese.

Dhe për fund: 4.0. Katra dhe zeroja me pikë në mes simbolizojnë një fazë të re në Revolucionin Industrial që fokusohet në ndërlidhje, automatizim, mësim makinerik dhe të dhëna të kohës reale. Te rasti i lagjes që është objekt trajtimi në këytë ese ka ndodhur hopi marramendës, hapërimi vetëm në kohë, nga shoqëria bujqësore në atë “të avancuar”: te automatët vrastarë. Kemi mbetur as pa shatin e as pa shkathtësitë teknologjike të kohës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.