Arsovska ka dorëzuar iniciativë në Këshillin e Qytetit për rikthimin e bustit të figurës kontroverse Andon Qose

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, ka dorëzuar iniciativë në Këshillin e Qytetit të Shkupit për rivendosjen e bustit të Andon Lazov Janev – Qoseto, personalitet kontrovers historik i cili ka shkaktuar edhe më parë shumë reagime në opinion, transmeton Portalb.mk.

Përmendorja, siç thonë nga Qyteti i Shkupit, do të ketë lokacion të ri, i cili do të vendoset në udhëkryqin mes bulevardit “Aleksandar Makedonski” dhe bulevardit “Bellasica”.

“Kjo është një figurë historike jashtëzakonisht e rëndësishme dhe një nga revolucionarët më të mëdhenj maqedonas, monumenti i të cilit u hoq padrejtësisht dhe ilegalisht nga udhëheqja e mëparshme e qytetit. Nuk do të lejojmë që përmendorja e revolucionarit maqedonas të ndryshket nëpër depo, prandaj apelojmë që kjo pikë të futet në rend dite në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe të votohet menjëherë. Kjo është një mënyrë tjetër për të korrigjuar padrejtësinë dhe për t’u shpërblyer njerëzve që dhanë jetën për Republikën e pavarur dhe sovrane të Maqedonisë, për të kujtuar dhe nderuar heronjtë, asnjëri prej të cilëve nuk duhet të harrohet”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Ky bust u vendos mbrëmjen mes 6 dhe 7 shtator të vitit 2014 përpara Gjykatës Supreme të Shkupit, si pjesë e projektit “Shkupi 2014” dhe si donacion i shoqatës për bashkim shpirtëror të Stinëve, Popadinëve dhe Krushoradëve nga Lerini, për tu larguar më pas mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 2018, ku u dërgua në depot e Fabrikës së Metalit Tito. Largimi i këtij busti u bë me urdhër të Qytetit të Shkupit.

Bëhet fjalë për personalitet kontrovers historik i cili ka shkaktuar shumë reagime në opinion, Qosja është i njohur si likuidues i VMRO-së.

Grupi i atëhershëm punues i Ministrisë së Kulturës, paraprakisht konstatoi një sërë shkljesh ligjore gjatë vendosjes së këtij busti, në mesin e të cilëve ishte edhe ligji për vendosjen e përkujtimoreve. Prokuroria Speciale Publike hapi hetim për bustet të cilat u vendosën si donacion nga shoqata, e cila ka donuar përmendoren e Qoses.