Ndryshimet kushtetuese në “qorrsokak”, qeveria është e bindur për shumicë, VMRO mbledh komitetin ekzekutiv

VMRO DPMNE do të riafirmojë qëndrimin e saj për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sonte në komitetin ekzekutiv. Kryetari i partisë Mickovski e mbledh këtë trup pasi të premten u ndërpre seanca për ndryshime kushtetuese në Kuvend. Edhe në fjalimin e fundit, kreu i opozitës theksoi se vendi është në një krizë të rëndë politike dhe ekonomike dhe se të vetmen rrugëdalje nga kjo e sheh në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat, siç tha, pasi të fitonin, ata do të paraqisnin propozim të ri patriotik në mënyrë që vendi të vazhdojë proceset integruese evropiane, por nuk specifikoi se për çfarë formulimi apo zgjidhjeje bëhet fjalë, transmeton Portalb.mk.

Megjithatë, në njoftim thonë:

“Kovaçevski dhe LSDM-ja nuk janë më faktor, e vetmja rrugëdalje janë zgjedhjet. Kovaçevski një vit të tërë gënjeu se VMRO-DPMNE pranoi amendamentet kushtetuese. Të premten e pa e gjithë Maqedonia se Kovaçevski gënjeu, LSDM-ja dhe BDI-ja jo vetëm që nuk kanë legjitimitet dhe jo vetëm që nuk kanë pasur 80 deputetë, por mezi kanë 70 deputetë”.

Ndërkaq, dje në një dalje televizive kryeministri Kovaçevski tha se është i gatshëm të japë dorëheqje, por vetëm pasi të votohen ndryshimet kushtetuese. Ai theksoi se ende nuk e humb shpresën se VMRO DPMNE do të ngrihet në interesa mbipartiake në emër të shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë.

Zgjedhje të parakohshme menjëherë pas ndërprerjes së seancës të premten kërkoi edhe Pavle Trajanov, i cili dje në një konferencë për shtyp tha se do t’i kërkojnë kryetares së Komisionit Evropian Von Der Leyen që t’i kërkojë Bullgarisë zbatimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, dhe të lejohet regjistrimi i shoqatave të maqedonasve në Bullgari.

Ajo që mbetet e ditur është se edhe pas ndërprerjes së seancës për ndryshimet kushtetuese nuk ka 80 vota që të njëjtat të mund të votohen. Matricat dhe pretendimet partiake mbeten të pandryshuara pasi dje Mickovski deklaroi se nuk do t’i nënshtrohen asnjë presioni, ndërsa Kovaçevski është optimist se deri në nëntor ka ende kohë për të siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretave të votave.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orësh. Votimi nuk dihet ende kur do të bëhet, kryetari i Kuvendit paralajmëroi se do të ketë njoftim shtesë për vazhdimin e seancës. Në seancën e djeshme me një pikë të rendit të ditës – Propozim për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila u votua me 70 vota pro dhe 47 kundër, fjalë patën vetëm pak deputetë, nga pushteti dhe opozita. Më pas pati përplasje mes partive pozitë – opozitë.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet në Kushtetutë nënkuptojnë shtimin e kombeve në Preambulë dhe në nenet 49 dhe 78 kur numërohen pjesët e kombeve në shtet, ku përveç maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllahëve, serbëve, romëve dhe të tjerë, do të shtohen bullgarët, kroatët, malazezët, sllovenët, hebrenjtë dhe egjiptianët.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen, mes tjerash edhe të bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Deri tani, Kuvendi nuk ka numrat për të bërë këto ndryshime pasi partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.