Arben Fetai do të largohet nga Qeveria, rikonstruimi në fund të majit ose në qershor

Kryeministri Hristijan Mickoski mbrëmë e ka konfirmuar se Arben Fetai nuk do të jetë më zëvendëskryeministër për qeverisje të mirë, si dhe theksoi se rikonstruimi i Qeverisë ka shumë gjasa të ndodhë në fund të majit ose në fillim të qershorit, duke paralajmëruar edhe rotacione të mundshme të resorëve, transmeton Portalb.mk.

“Biseduam personalisht unë dhe ai. Ai vetë më tha se në të ardhmen nuk e sheh më veten në Qeverinë që unë e drejtoj. Kjo ishte ndoshta para disa javësh. Ai tha se do të kthehet në Bruksel, duke pasur parasysh arsimimin dhe përvojën e tij në institucionet atje. Mendoj se do të ishte një mundësi e mirë që ai të jetë një lloj i dërguari special në kuadër të Parlamentit Evropian, në administratën e Brukselit”, tha Mickoski.

Largimi i Arben Fetait nga qeveria tani e disa javë ka bërë bujë në opinion, ndërsa së fundmi bashkëpartiaku i tij, njëherit ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se Fetai nuk merr pjesë në mbledhjet e qeverisë. Lidhur me këtë, vetë Fetai nuk është deklaruar ende publikisht.

Sa i përket rikonstruimit, Mickoski tha se aktualisht është i fokusuar në organizimin e brendshëm të VMRO-DPMNE-së dhe se ndryshimet në Qeveri mund të ndodhin në gjysmën e dytë të majit ose në fillim të qershorit. Ai paralajmëroi mundësi për ndryshim të resorëve dhe të disa emrave në përbërjen e ardhshme të Qeverisë.

Një emër tjetër, fati i të cilit nuk dihet se çfarë kahje dhe pozicioni do të merr me rikonsrtuimin e qeverisë është ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani. Ai ka aktivitete të rregullta si ministër, por sipas deklaratave të bashkëpartiakëve të tij, për Limanin nuk ka vend në koalicionin VLEN i cili më 9 maj pritet të shndërrohet në parti dhe pas së cilës pritet edhe rikonstruimi i Qeverisë.