Me Mirë për Tetovën: Saubermacher do t’i rrisë çmimet e faturave të mbeturinave (Dokument)
Parashikohet që në Tetovë të rriten çmimet e faturave të mbeturinave nga ndërmarrja ‘Saubermacher’. Kështu kanë paralajmëruar sot nga nisma ‘Më Mirë për Tetovën’, ata thonë se rreziku për të cilin kanë paralajmëruar, tani po ndodh. Kryetari i Këshillit Komunal thotë se e kanë pranuar kërkesën dhe se kanë vërejtje, raporton Portalb.mk.
Në mbledhjen e radhës të Këshillit Komunal, e cila do të mbahet ditën e hënë, më 27.04.2026, si pikë e 20 e rendit të ditës, nga udhëheqësia komunale është pranuar propozimi i Saubermacher për çmimore të re, për të cilën këshilltari Agron Arifi thotë se do e rrit ndjeshëm çmimin e shërbimit për grumbullimin e mbeturinave si për persona fizik dhe ato juridik.
“Sipas propozimit të rendit të ditës dhe materialit që kemi pranuar, parashihet që shërbimet nga “Saubermacher” të rriten 30% për amvisëritë (shtëpitë dhe banesat) dhe 50 deri 100% për bizneset, me çka dëmtohet drejtpërdrejtë buxheti i tetovarëve”, tha Arifi.
Ai shton se ky është rreziku që i kanoset qytetarëve kur komuna lidh marrëveshje për Partneritet Publiko-Privat.
“Privati gjithmonë ka interes përfitimin financiar, ndërsa komuna, e cila nuk është e aftë të ofrojë shërbimet e duhura dhe të jetë në shërbim të qytetarëve, i ikën përgjegjësisë duke lidhur marrëveshje të dëmshme që zhvasin banorët e Tetovës. E hëna do të tregojë se kë do e mbrojnë këshilltarët komunal, interesin e qytetarëve që ua dhanë votën për ti përfaqësuar apo biznes interesat që lidhen ngushtë me klane partiake”, tha Arifi.
Kjo është propozim-çmimorja që e kanë pranuar këshilltarët komunal.
Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Jusuf Abduli tha se e kanë pranuar kërkesën e Saubermacher për rritje të çmimeve dhe se kanë vërrejtje.
“Po është bërë kërkesë nga ana e Saubrmacher për rritjen e çmimeve, në bazë të kërkesës ka një rritje prej 30% për qytetarët ndërsa për kompanitë ka rritje, nuk është rritje aq sa këshilltari i pavarur e thotë. Ne si grup i këshilltarëve jemi në diskutim dhe kemi vërejtjet tona të cilat do t’i shpalosim në seancën e radhës, do mundohemi të gjejmë zgjidhje dhe që mos ketë rritje ose mos pranohet kjo kërkesë e Saubermacherit që të ketë një rritje që nuk do ndikojë në ekonominë e qytetarëve”, tha Abduli.
Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermacher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.
Si rezultat i kësaj, u ndryshua edhe metodologjia e pagesës. Nga atëherë disa qytetarë u dërguan te noteri për mosshlyerje të faturave, ndërkohë që vetë qytetarët ankoheshin se nuk kishin pranuar fare fatura.
Në ndërkohë në Gjykatën e Tetovës ka dhjetëra lëndë në këtë drejtim.
- LEXO: Një vit nga Saubermacher në Tetovë: Ka përmirësime por pastërtia nuk është ende në nivelin e dëshiruar, problem mbetet (mos) pagesa e faturave
- LEXO: Ultimatum 5-ditor për bizneset dhe OJQ-të në Tetovë, ose kontratë me Saubermacher ose gjoba deri 98 mijë euro
- LEXO: Rexhepi: Kontrata 15-vjeçare me Saubermacher në Tetovë po zhvat qytetarët me miliona euro