Maqedonia e Veriut, inovatore në zhvillim, por në nevojë për përmirësime

Inovacioni luan rol thelbësor në avancimin ekonomik të një vendi. Prej tij përfitojnë konsumatorët dhe bizneset, pra ekonomia në përgjithësi. Nënkupton krijimin e produkteve, shërbimeve të reja, apo zbatimin e ideve inovative për përmirësimin e tyre por edhe implementimi e risive në proceset, metodat e prodhimit, integrimin e teknologjive të reja, etj. Ndaj edhe përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh që synojnë rritjen e produktivitetit dhe konkurrencës së bizneseve.

Duke u nisur nga kjo tashmë përveç ekonomive më të zhvilluara në botë edhe vendet tjera, kanë përfshirë politikat për inovacion në strategjitë e tyre kombëtare. Kjo ka nxitur që organizatat e ndryshme ndërkombëtare të krijojnë institucione dhe mekanizma për vlerësimin e nivelit inovativ të shteteve. Kështu, Komisioni Evropian ka krijuar të ashtuquajturën European Innovation Scoreboard (EIS) i cili bën vlerësim krahasues të performancës së kërkimit dhe inovacionit midis vendeve evropiane. Raporti i detajuar bën evaluimin e kapaciteteve dhe arritjeve inovative të shteteve, duke marrë parasysh faktorët të ndryshëm si: investimet në kërkim dhe zhvillim (R&D), përkrahja institucionale, investimet në kapitalin njerëzor, impaktet etj . Ka për qëllim të ndihmojë shtetet e rajonit që të identifikojnë pikat e tyre të forta dhe të dobëta në suazat e inovacionit, duke potencuar mundësitë për përmirësimin e tyre. Sipas metodologjisë së përdorur dhe performancës së tyre, vendet e BE-së në këtë raport klasifikohen në 4 kategori: Liderët e Inovacionit, Inovatorët e Fortë, Inovatorët e Moderuar dhe Inovatorët në Zhvillim.

Indeksi i vendeve inovative, foto nga Komisioni Evropian
Indeksi i vendeve inovative, foto nga Komisioni Evropian

Dy kategoritë e para janë të koncentruar kryesisht në Evropën Veriore dhe Perëndimore, ndërsa Novatorët e Moderuar dhe ata në Zhvillim janë shtetet në Evropën Jugore dhe Lindore. Dhe kjo ndodh për vite me radhë. Maqedonia e Veriut është pozicionuar në grupin e 4, pra Inovatore në Zhvillim ku kryeson Kroacia.

Maqedonia e Veriut në këtë listë renditet e 34ta (nga 38 shtete). Performaca e Maqedonisë së Veriut (46.3) ka pasur një përmirësim të dukshëm krahasuar me vitin e kaluar, duke ngushtuar diferencën e performancën në raport me mesataren e BE-së. Megjithatë, përsëri renditet ndër më të ulëtat.

Indeksi i vendeve inovative, foto nga Komisioni Evropian
Indeksi i vendeve inovative, foto nga Komisioni Evropian

Sipas EIS, Zvicra mbetet lidere e Inovacionit me performancën më të mirë në Evropë dhe jo vetëm. Në vitin 2023, u vu re që edhe Danimarka arriti rezultate të jashtëzakonshme, duke tejkaluar kështu Suedinë, gjithashtu një nga shtete me performancë më të lartë ndër vite.
Në fakt, Zivicra konsiderohet si lidere e Inovacionit në nivel botëror edhe atë 13 vjet me radhë, kjo sipas Indeksit Global të Inovacionit (GII).

Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale e OKB-së (WIPO – World Intellectual Property Organization), nëpërmjet Global Inovation Index (GII), po ashtu çdo vit publikon listën dhe pozicionimin e tashme 132 ekonomive nëpër botë.
Sipas GII 2023, Maqedonia Veriore u rendit e 54. Krahasuar me vitet e kaluara, vërehet një përmirësim i dukshëm në renditje. Kështu, RMV ishte e 57-ta në 2020, 59-ta në 2021 dhe 66-ta në 2022.

Indeksi i vendeve inovative, foto nga OKB
Indeksi i vendeve inovative, foto nga OKB

Pavarësisht dallimeve, të dy raportet nxjerrin në pah aspekte të ngjashme për Maqedoninë e Veriut ku nevojitet përmirësimi, shpenzimet për R&D si në sektorin e biznesit ashtu edhe në atë publik, mbështetja e qeverisë për biznesin, bashkëpunimi mes universiteteve dhe industrisë, etj.
Kjo nënvizon domosdoshmërinë e përpjekjeve më të mëdha për të përmirësuar pozicionin e brenda komunitetit të inovacionit të BE-së. Për të nxitur dhe promovuar inovacionin në mënyrë efektive, nevojiten masa strukturore si: rritjen e shpenzimeve për kërkimin dhe zhvillimin (R&D), investimi në arsim, lehtësira për nxitjen, nisjen e bizneseve të reja dhe mundësimin e daljes së tyre në treg.
Për më tepër, kompanitë mund të kontribuojnë ndjeshëm në nxitjen e inovacionit duke investuar në fuqinë e tyre punëtore dhe duke u angazhuar në iniciativat e tyre kërkimore dhe zhvillimore.