Ish-shefi i Wagnerit, Prigozhin u varros në ceremoni private

Udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin u varros të martën me një ceremoni private që i dha fund një udhëtimi jetësor të tij nga një pjesëtar bandash në rrugët e Shën Petersburgut, në udhëheqës mercenar, të financuar nga Kremlini, njofton Zëri i Amerikës.

Zëdhënës të tij konfirmuan të martën mbajtjen e ceremonisë mortore, prapa dyerve të mbyllura, më pak se një javë pasi ai vdiq nga përplasja e një avioni, pak muaj pasi që kishte sfiduar autoritetin e Presidentit rus, Vladimir Putin.

Ata që dëshironin t’i thonin lamtumirë 62 vjeçarit u ftuan përmes një postimi në rrjetet sociale, që të shkonin në varrezat Porokhovskoye, në vendlindjen e tij, në Shën Petersburg.

Mbetet e paqartë nëse udhëheqësi i grupit “Wagner”, Prigozhini ishte varrosur, por disa media cituan burime të paidentifikuara se Prigozhini ishte varrosur të martën, pa publicitet, duke respektuar dëshirën e familjes.

Detajet rreth varrimit të Prigozhinit ishin mbajtur sekret, ndonëse një zëdhënës i Putinit njoftoi se presidenti rus nuk do të merrte pjesë në varrim. Presidenti rus e kishte quajtur kryengritjen e armatosur në qershor të Prigozhinit si “tradhëti” dhe “thikë pas shpine.”

Fshehtësia që rrethoi varrimin e Prigozhinit dhe të bashkëpunëtorëve të tij kryesorë, është tregues i mëdyshjes me të cilën përballet Kremlini mes spekulimit se përplasja e avionit ishte hakmarrje për kryengritjen që ai kishte organizuar kundër Putinit në fund të muajit qershor.

Ndonëse Kremlini u mundua të distancohej nga ceremonia me nderime për të, autoritetet ruse mund ta përballen me reagime nëse e denigrojnë atë. Sipas njoftimeve, ai ishte dekoruar me medaljen më të lartë të Rusisë, priu pjesëtarët e grupit “Wagner” në Ukrainë dhe adhurohej nga mbështetësit e luftës në Rusi.

Komentet e Putinit mbi vdekjen e Prigozhinit pasqyruan këtë qëndrim të kujdesshëm. Ai deklaroi javën e kaluar se udhëheqësit e grupit “Wagner” “kishin dhënë kontribut të rëndësishëm” në luftën në Ukrainë dhe e përshkruan Prigozhinin si “sipërmarrës të talentuar” dhe “njeri me fat të vështirë” që kishte “bërë gabime serioze në jetë”.

Analisti i afërt me Kremlinin, Sergei Markov, tha se Prigozhini ishte bërë figurë e përmasave legjendare për mbështetësit e tij, të cilët gjithnjë e më shumë po kritikojnë autoritetet ruse.

“Varrimi i Prigozhinit nxori në pah çështjen e komunikimit ndërmjet një sistemi burokratik të qeverisë ruse, që nuk ka shumë potencial politik, dhe një segmenti patriotik e politikisht aktiv të publikut rus,” thotë Markov.

Agjencia kryesore ruse për hetimin e aktiviteteve kriminale, i njohur si Komiteti Hetues, konfirmoi zyrtarisht të dielën vdekjen e Prigozhinit.

Komiteti nuk e identifikoi shkakun e përplasjes së avionit të Prigozhinit më 23 gusht, disa minuta pasi ishte nisur nga Moska drejt Shën Petersburgut. Pak para rrëzimit të avionit, Prigozhini besohet të jetë kthyer nga një udhëtim në Afrikë, ku po zgjeronte aktivitetet e grupit “Wagner”.

Po ashtu të martën, në varrezat në veri të Shën Petersburgut u zhvillua funerali i shefit të logjistikës të grupit Wagner, Valery Chekalov, i cili ishte në mesin e 10 personave që mbetën të vrarë si pasojë e përplasjes së avionit. Edhe komandanti Dmitry Utkin, një ish punonjës i shërbimeve inteligjente, i dalë në pension, që i vuri emrin grupit Wagner sipas emrit që përdorte në luftë, mbeti gjithashtu i vrarë.

Sipas një vlerësimi paraprak të shërbimeve inteligjente të Shteteve të Bashkuara, rrëzimi i avionit u shkaktua nda një shpërthim i qëllimshëm dhe zyrtarët perëndimore kanë vënë në dukje se një listë e gjatë kundërshtarësh të Putinit, janë vrarë.

Kremlini ka hedhur poshtë akuzat e Perëndimit se pas rrëzimit të avionit qëndronte Presidenti Putin, duke i cilësuar si “gënjështra absolute”.