Kërcënon Lëvizja Antibixhoz: Nëse deputetët nesër nuk e votojnë Ligjin për lojërat e fatit, do ta bllokojmë shtetin dhe zgjedhjet

Lëvizja Antibixhoz ka kërkuar që deputetët e Kuvendit të RMV-së të përkrahin Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese i cili nesër është në rend dite në seancën plenare të Kuvendit. Antibixhozi thekson se nëse deputetët nuk votojnë në favor të ligjit, do të ndërmarrin masa radikale, si protesta madje edhe bllokimin e zgjedhjeve, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse propozim-ligji nuk plotëson të gjitha kërkesat e Antibixhozit pasi ata kërkojnë që të mbyllen të gjitha lojërat e fatit në vend, Jushi Emërllahu nga kjo Lëvizje thekson se përkrahin këtë nismë, pasi nga diku duhet të fillohet.

Ne ju bëjmë apel deputetëve të RMV-së që mos ngurojnë nesër që ta votojnë këtë ligj pasi është nismë ku do fillojë me 500 metra nga shkollat e mesme dhe fillore dhe në fund do mbarojë me mbylljen e të gjithë lojërave të fatit”, tha Emurllai.

Ai theksoi që në veçanti i bëjnë thirrje VMRODPMNE-së pasi siç tha nga fillimi deri sot e ka penguar këtë ligj,

“Edhe pse 3 deri në 4 vite e ka mbajtur ligjin në sirtarët e komisionit për financa dhe u detyrua pushteti ta sjell me flamur evropian. Ka ardhur momenti që nga diku të fillohet. Prandaj ne bëjmë thirrje që të fillojmë nga diku që të arrijmë deri te qëllimi final i Lëvizjes Antibixhoz që të gjithë lojërat e fatit të mbyllen në RMV”, tha Emurllai.

Në pyetjen e Portalb.mk se çfarë do bëjnë më tutje nëse ky ligj nuk kalon, ai tha se do detyrohen të dalin në protesta, të bllokojnë shtetin dhe do të bllokojnë edhe në ditën e zgjedhjeve që të mos zhvillohen zgjedhjet në mënyrë të rregullt.

“Prandaj si qytetarë ju bëjmë thirrje që ky ligj të kalojë të mos përballen me incidente dhe sfida më të rënda”, tha Emurllai.

Sipas propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në një bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.

Lëvizja Antibixhoz disa herë ka organizuar protesta për largimin e objekteve të lojërave të fatit nga vendbanimet, por pavarësisht ngritjes së zërit, autoritetet nuk i kanë zbatuar kërkesat e tyre.