VMRO: Lotaria Shtetërore e drejtuar nga ithtari i Grubit për vetëm dy javë dha 12 milionë euro për aparate bixhozi

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski tha se Lotaria Shtetërore e drejtuar nga Perparim Bajrami ithtar i Artan Grubit vetëm në janar ka dhënë 12 milionë euro për terminalet e lojërave të fatit, 12 milionë euro për aparate bixhozi, transmeton Portalb.mk.

“Ish-shefi i kabinetit të Grubit, tani drejtor i Lotarisë Shtetërore, më 4 janar dha mbi 6 milionë euro për aparate bixhozi, më 11 janar 11 milionë e 200 mijë euro, më 18 janar mbi 3,5 milionë euro për aparate bixhozi, apo gjithsej 12 milionë euro nga 4 janari deri më 18 janar. Për vetëm dy javë lotaria e shokut të Grubit ka dhënë 12 milionë euro për pajisje të lojërave të fatit”, tha Stoillkovski.

Ai shtoi se në kurriz të gjithë kësaj po shkurtohen pagat në FSSh, po rriten faturat e rrymës, nuk ka para për studentët dhe fermerët.

Kujtojmë se hulumtimi i Instituti për Demokraci dhe Analiza Ekonomike-IDEA tregoi se në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë përafërsisht 1.416 pika në të cilën qytetarët mund të luajnë lojëra të fatit, apo mesatarisht 18 pika për çdo komunë, duke përjashtuar lojërat e fatit online. Ky numër tregon për prezencë jashtëzakonisht të madhe të pikave ku mund të luhen lojëra të fatit, njëkohësisht edhe ekspozim të vazhdueshëm dhe qasje shumë të lehtë për secilin qytetar në lojëra të fatit.

Sa i përket të hyrave, hyrat totale të 56 kompanive për vitin 2021 ishin 556,115,216 euro, ndërsa ato u rritën në 690,885,917 euro në vitin 2022, apo një rritje prej 21%. Përkthyer në ditë, kjo i bie që për çdo ditë gjatë vitit 2022, 56 kompanitë e lojërave të fatit kanë realizuar nga 1.7 milion euro.