Është koha e teknologjisë, koha e modernizmit, koha e interesit individual dhe jo shoqëror. Është ajo epokë ku individi shpesh nuk vlerësohet për atë që është, por për interesin që përfaqëson apo për qëllimin që shërben. Jetojmë në një realitet ku gjithçka lëviz me shpejtësi marramendëse. Çdo ditë zgjohemi me njoftime të reja, me trende të reja, dhe me lajme të reja. Teknologjia na e ka lehtësuar jetën, por jo domosdoshmërisht na e ka bërë më të qetë. Dhe shpesh pyes veten: A jemi vërtet më të lirë, apo thjesht më të zënë?
Jeta dinamike, siç na pëlqen ta quajmë, është kthyer në normë. Të jesh aktiv, i përfshirë, i dukshëm, është bërë standard shoqëror. Por dinamizmi ka edhe anën e tij të erret, mbingarkesën. Ndjesinë se duhet të jesh gjithmonë online, se duhet të reagosh, të komentosh dhe të jesh i pranishëm. Se nuk duhet të mbetesh pas. Dhe pikërisht këtu fillon ankthi.
Teknologjia ka hyrë në çdo sferë të jetës sonë, përfshirë punën, edukimin, komunikimin, madje edhe mënyrën si e ndërtojmë identitetin tonë. Sot nuk mjafton të jesh, por duhet edhe të dukesh. Nuk mjafton të dish, duhet ta shfaqësh dijen. Nuk mjafton të kesh vlera, duhet t’i paketosh ato në një imazh të pranueshëm për publikun. Në këtë botë të filtruar, dukja ka filluar të mbizotërojë mbi thelbin. Zëri i arsyes shpesh humbet në zhurmën e algoritmeve. Mendimi i thellë zëvendësohet me reagimin e shpejtë. Ndërsa autenticiteti sakrifikohet për pëlqime.
Në këtë epokë është bërë jashtëzakonisht e lehtë të krijosh imazh të rremë – të dukesh më i suksesshëm, më i informaur, më i rëndësishëm sesa je në të vërtetë. Rrjetet sociale kanë krijuar një kulturë ku vlera matet me ndjekës dhe ndikim, ndërsa përmbajtja e thellë shpesh mbetet në hije. Modernizmi, në vend që të nxisë zhvillimin intelektual, rrezikon ta mbytë atë në sipërfaqësi. Kjo ka prodhuar një formë të re ankthi, një ankth të heshtur, por të përhapur. Ankth që buron nga nevoja për të qenë gjithmonë i pranishëm dhe i vlerësuar në hapësirën digjitale. Antkh që lind nga frika se, nëse nuk jemi të dukshëm, nuk ekzistojmë.
Nëse nuk arrijmë ta kontrollojmë ne teknologjinë, rrezikojmë që ajo të na kontrollojë ne. Marrëdhëniet bëhen sipërfaqësore. Komunikimi humb thellësinë emocionale. Imazhi i ndërtuar për publikun fillon të zëvendësojë identitetin real. Dhe ndoshta sfida jonë më e madhe sot nuk është të ndjekim ritmin e teknologjisë, por të ruajmë humanitetin tonë brenda saj. Sepse teknologjia është mjet. Por nëse nuk jemi të kujdesshëm, ajo bëhet matës i vlerës sonë.
Ruajtja e humanitetit në epokën digjitale nuk është vetëm zgjedhje personale, por përgjegjësi kolektive. Është guximi për t’u shkëputur nga ekrani dhe per t’u rilidhur me veten dhe me tjetrin pa filtra, pa maska dhe pa interes të fshehur. Sepse në fund, ajo që na bën njerëzorë nuk është sa dukemi, por sa jemi. Dhe ndoshta pikërisht në këtë zgjedhje të thjeshtë, për të qene dhe jo vetëm për t’u dukur, qëndron shpresa për të mos humbur veten në epokën që vetë e krijuam.
Mirhat Aliu
Student Doktorate: Gjuhe dhe Letersi Angleze