Andamion Murataj: Nëse mbështetja për kinemanë shqiptare do të ishte në një hap me sukseset e saj, kinesatët do të ishin artistët më fatlumë
Për filmin “Burri i Shtëpisë” është dashur të punohet shumë për të krijuar ansamblin e duhur të aktorëve rreth personazhit kryesor, që ata të mbartin kiminë e nevojshme për të krijuar hapësirat dramatike dhe mundësinë për të shpërfaqur me mjeshtëri cilësitë e personazheve. Përjashtim bën Drita Kaba Karaga, pasi ky film është shkruar posaçërisht për të. Që nga ideja fillestare, kam qenë i sigurt se ky ishte një skenar për Dritën, sepse, që në fillim, kam qenë i bindur se tensioni i brendshëm që mbart ky karakter kërkon një nivel aktorial të tillë që përfshin një aftësi të rrallë për transformim të thellë psikofizik të domosdoshëm për këtë personazh tejet unik, diçka tejet e vështirë për tu mishëruar në nivelin që Drita e realizon në personazhin e Franit. Kështu shprehet regjisori dhe skenarist i filmit, Andamion Murataj në një intervistë për Portalb.mk.
Portalb.mk: Si lindi ideja për “Burrin e Shtëpisë”? A është një histori e bazuar në ngjarje reale apo është fiksion?
Andamion Murataj: Vite më parë, ndërsa punoja për filmin e mëparshëm ‘Falja e Gjakut’, në takimet e shpeshta me disa burrnesha shqiptare, vura re që kishin një lidhje të veçantë me djemtë e familjeve të tyre. Gjithashtu, ishte e qartë që një gjeneratë e tërë fëmijësh kishte të paktën një prind në emigrim dhe rritej pranë anëtarëve të tjerë të familjes-më së shpeshti gjyshërit. Pikërisht mbi këto vëzhgime nisi skenari i ‘Burri i Shtëpisë’. Në këtë kuptim, mund të themi se filmi bazohet në një realitet shqiptar, dhe jo në një familje specifike ku dokumentari dhe fiksioni takohen diku në mes, duke e kthyer atë në një farë mënyre në një pasqyrë antropologjike të një momenti historik të shoqërisë rurale shqiptare.

Portalb.mk: Çfarë mesazhi përcillnit përmes këtij filmi?
Andamion Murataj: Mesazhi im për shikuesit është dy pika: “Emigrantë mos i lini fëmijët pas, se ju bëhen burra shtëpie!”, sigurisht që bëj shaka. Unë nuk punoj kurrë me një mesazh të definuar në kokë, ndaj e mirëpres që gjithkush të ketë refleksionin e tij personal mbi filmin i cili është herë kulturor e herë social. Për mua, me rëndësi është që filmi të shpërfaqë sa më plotësisht një botë filmike me karaktere emocionale dhe me probleme relevante që më kanë preokupuar personalisht. Shpresoj që emocionet që kam ndjerë gjatë krijimit të filmit, që nga skenari deri në përfundim, të mbarten dhe tek shikuesit.
Portalb.mk: Pse zgjodhët këtë titull për filmin “Burri i Shtëpisë”? Çfarë simbolike përfaqëson ai për ju?
Andamion Murataj: E kam zgjedhur këtë titull sepse filmi është i mbushur me burra dhe gra të forta, por sfida e vërtetë është të kuptosh se cili prej tyre është vërtet “Burri i shtëpisë”. Në qendër të filmit në mënyrë konstante qëndron një pyetje thelbësore: Çfarë e bën dikë të jetë ‘burrë shtëpie’? Është tradita? Autoriteti? Dashuria? Apo guximi për t’u përballur edhe me frikën më të thellë, për të jetuar jetën që ke zgjedhur dhe në mënyrën që e ke zgjedhur?

Portalb.mk: Sa kohë ju desh për ta realizuar filmin nga koncepti deri te premiera? Cilat ishin sfidat me të cilat u ballafaquat gjatë xhirimeve?
Andamion Murataj: Nuk mund të vë një masë të mirëfilltë kohore pasi zhvillimi i këtij filmi ka kaluar nëpër disa etapa të vështira, dhe, siç e dëshmojnë të gjithë pjesëmarrët, sfidat nuk kanë munguar deri në ditën e fundit të xhirimeve.
Do të duheshin netë dimri pranë zjarrit për t’i përshkuar të gjitha, por që mbetet në mendje është shija e një pune kolosale nga një staf i përkushtuar dhe një grup aktorësh që ia dolën në krye, midis sakrificash të panumërta emocionale dhe fizike. Ky film mbetet i shënuar edhe nga humbja e Diana Rakipit-një burrneshe e vërtetë dhe bashkëpunëtorja më e afërt e projektit që nga ditët e hershme të zhvillimit të tij. Ajo ndërroi jetë gjatë xhirimeve, dhe zbrazëtia që la pas ishe e vështirë për të gjithë stafin por veçanërisht për dritë që duhet të gjente forca të tejkalonte shokun e vërtetë që i la humbja jo vetëm e partneres në disa skena kryesore të filmit po edhe një mikes së vertetë që kishte frymuëzuar krijimin real të karaterit të Franit në film.
Portalb.mk: Si e përshkruani qasjen tuaj regjisoriale në këtë film?
Andamion Murataj: Të jem i sinqertë, nuk jam i ndërgjegjshëm për ndonjë “qasje” të veçantë. Gjith sa përpiqem të bëj këtë film është të mbaj një distancë delikate, duke krijuar rethanat e duhura që aktorët të ndjehen në territorin e përshtatshëm për të eksploruar në thellësi dritë hijet e karaktereve që mishërojnë. Për çdo gjë tjetër, përpiqem të mbështetem me sa mundem në lokacionet dhe karakteret reale, në mënyrë që filmi të mbartë identitetin e tij organik.

Portalb.mk: Si u bë përzgjedhja e aktorëve, veçanërisht e rolit kryesor ku prezantohet aktorja nga Maqedonia, Drita Kaba Karaga?
Andamion Murataj: Në këtë film është dashur një punë e madhe për të krijuar ansamblin e duhur të aktorëve rreth personazhit kryesor, që ata të mbartin kiminë e nevojshme për të krijuar hapësirat dramatike dhe mundësinë për të shpërfaqur me mjeshtëri cilësitë e personazheve.
Përjashtim bën Drita Kaba Karaga, pasi ky film është shkruar posaçërisht për të. Që nga ideja fillestare, kam qenë i sigurt se ky ishte një skenar për Dritën, sepse, që në fillim, kam qenë i bindur se tensioni i brendshëm që mbart ky karakter kërkon një nivel aktorial të tillë që përfshin një aftësi të rrallë për transformim të thellë psikofizik te domosdoshëm për këtë personazh tejet unik, diçka tejet e vështirë për tu mishëruar në nivelin që Drita e realizon në personazhin e Franit. Një ndihmesë të jashtëzakonshme jep në këta aspekt aktorja 9- vjeçare Alesia Ruçi e cila në çdo hap përshatet, plotëson dhe zgjeron diapazonin e gjerë interpretativ të Dritës. Së bashku pëbëjnë një dyshe të shkëlqyer sa unë ndihem thjesht me fat që pata rastin të punoj me to.
Portalb.mk: Filmi prek tema si autoriteti, familja dhe identiteti gjinor. Si i qaseni këtyre temave si regjisor?
Andamion Murataj: Përplasja e identitetit unik gjinor të një burrneshe me rolet tradicionale në familje përbën thelbin dramatik të këtij filmi. Rizbulimi, mund të themi, i ndjenjave mëmërore, pa komprometuar statusin që ajo ka zgjedhur, shërben si motivi kryesor i një ekslorimi të jashtëzakonisht të ndjeshëm psikologjik. Ky është një udhëtim i një karakteri që tashmë ka bërë një zgjedhje tjetër në jetë, duke shtypur çdo gjë feminine që përfaqëson.
Portalb.mk: Filmi është përzgjedhur në programin e konkurrimit të Festivalit të Filmit në Sarajevë 2025. Si ndiheni për këtë sukses?
Andamion Murataj: Të jem i sinqertë, jemi falenderues por nuk ishte aspak surprise, pasi i kemi refuzuar një sërë ftesash nga festivale të tjerë deri më tani. Bazuar në interpretimet e shkëlqyera të aktorëve; që nga Drita Kaba Karaga tek aktorja e re Alesia Ruçi, nga Bislim Muçaj tek Astrit Alihajdaraj, nga Basri Llushtaku tek Adem Karaga, nga Klod Hoxha tek Armond Morina dhe Valina Muçolli, të gjithë sëbashku krijojnë një ansambël të fuqishëm filmik, sa jam i bindur se do të nderohet çdo festival që do ti mirëpresë.
Veç kësaj është një grup pune i përberë më së shumti nga gra e vajza në role kreative kryesore që nga drejtorja e fotografise austriake, tek kompozitorja franceze, nga kostumografja shqiptare tek grimerja kroate nga producentja austriake te montazherja italiane e zërit e të tjerë e të tjerë. Veç të tjerave ky film shënon gjithashu produksionin e parë të gjelbër të çertifikuar zyrtarisht nga një nga institutcionet më të rëndësishme europiane.

Portalb.mk: Si e shihni kinemanë shqiptare sot dhe çfarë nevoje ka për t’u zhvilluar më tej?
Andamion Murataj: Kinematografia shqiptare në rajon- dhe me këtë term unë kuptoj kinemanë shqipfolëse- nuk ka përjetuar kurrë më parë ditë më të shkëlqyera. Një plejadë e tërë regjisorësh dhe regjizoresh nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, por edhe Italia, Greqia, Kroacia, po shkruajnë faqet më të bukura të historisë së kinemasë shqiptare.
Tashmë prej disa vitesh, në thuajse të gjitha festivalet kryesore të filmit në botë, ka prani të filmave shqiptarë. Për më tepër, vlen të theksohet se karakteret dhe temat shqiptare janë tashmë në qendër të vëmendjes, jo vetëm te autorët tanë, por edhe te ata të kombeve fqinje-duke përfshirë filma si “Nëna”, në Maqedoni dhe “Nera”, në Mal të Zi. Dhe kjo për shkak të përkushtimit dhe sakrificave të panumërta të vetë autorëve dhe filmbërësve shqiptarë në rajon.
Çfarë ka nevojë për t’u zhvilluar më tej?
SHUMË MË SHUMË MBËSHTETJE, të të gjitha formave. Nëse mbështetja për kinemanë shqiptare do të ishte në të njëjtin hap me sukseset e saj, kinesatët shqiptarë do të ishin artistët më fatlumë! Por ne jo vetëm që jemi shumë larg nga kjo, por edhe mbështetja që merr kinemaja shqiptare, si përqindje e GDP-së, është shumë më e ulët se në vendet e tjera të rajonit. Nëse institucionet nuk reagojnë me shpejtësi me masa mbështetëse për industrinë kinematografike siç ndodhë gjerësisht në europë, herët a vonë, kjo do të reflektohet te rezultatet e ardhshme të kinemasë.