Zgjedhjet lokale në RMV që do të mbahen më 19 tetor do të kushtojnë dhjetë milionë euro, pjesa më e madhe për reklama partiake

Zgjedhjet lokale në Maqedoni do të kushtojnë rreth 10 milionë euro, dy të tretat nga këto para, janë para të destinuara për median dhe reklamat politike të paguara. Kjo sipas llogaritjeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), i cili ka filluar aktivitetet në lidhje me procesin zgjedhor që do të mbahet në tetor. Sot u shpallën zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor (raundi i dytë më 2 nëntor). Kryetarët e komunave dhe këshilltarët do të zgjidhen në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Sipas numrit të pjesëmarrësve, administratës zgjedhore, përfshirë punonjësit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), zgjedhjet lokale janë më të mëdhatë dhe më masivet. Një tipar karakteristik i këtyre zgjedhjeve është se diaspora nuk do të mund të votojë, dhe nëse ndonjë nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut dëshiron të ushtrojë të drejtën e tij, do të mund të votojë vetëm nëse udhëton në vend.

Siç raporton agjencia MIA, duke cituar informacione nga KSHZ, përgatitjet për zgjedhjet e teta lokale kanë filluar prej muajsh. Menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve, KSHZ-ja do të mbajë seancë publike në të cilën, në përputhje me Kodin Zgjedhor, do të publikohet kalendari me të gjitha afatet për aktivitetet zgjedhore, si dhe të gjitha të drejtat dhe detyrimet për organet zgjedhore, pjesëmarrësit në zgjedhje dhe mediat.

Afatet dhe rregullat

Deri në fund të muajit, KSHZ-ja do të përfundojë përzgjedhjen rastësore të anëtarëve të këshillave zgjedhore nga radhët e administratës, sipas të dhënave nga Ministria e Administratës Publike. Për 3,500 qendra votimi, 21,000 persona nga administrata duhet të zgjidhen për të qenë në këshillat zgjedhore (KZ), të cilët do t’i nënshtrohen trajnimit të plotë për zbatimin e zgjedhjeve gjatë shtatorit dhe do t’u jepen manuale. Përveç kësaj, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe VLEN, si partitë me numrin më të madh të votave në zgjedhjet e kaluara, duhet të nominojnë 14,000 anëtarë për këshillat zgjedhore. Përbërja e këshillave zgjedhore po ndryshon sepse mandatet e anëtarëve të tyre kanë skaduar.

Kontrollimi i Listës zgjedhore fillon 15 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve dhe zgjat 20 ditë. Kjo është periudha në të cilën votuesit me të drejtë vote do të jenë në gjendje të kontrollojnë të dhënat e tyre dhe, nëse kanë ndonjë koment dhe kërkesë për korrigjime, t’i paraqesin ato në KSHZ elektronikisht ose në zyrat rajonale të Komisionit.

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Fisnik Xhelili, Portalb.mk
Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Fisnik Xhelili, Portalb.mk

Buxheti për zgjedhjet lokale

Buxheti total për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2025 është 9 milionë e 760 mijë euro, nga të cilat dy të tretat janë para të destinuara për median dhe reklamat politike të paguara. Përveç këtyre parave, është edhe shuma për shpërblimin e anëtarëve të këshillave zgjedhore dhe transportin dhe shpërndarjen e anëtarëve të KZ-së dhe materialit zgjedhor nga Komisionet Komunale Zgjedhore – KKZ në qendrat e votimit ku do të mbahet votimi, pasi ato sigurohen nga vetëqeverisjet lokale.

Partitë politike dhe koalicionet, si dhe qytetarë të tjerë, kanë njoftuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Iniciativat qytetare kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e partive, me qëllim hapjen e rrugës për pjesëmarrje në zgjedhje.

Një parti e përbashkët e quajtur “Të pavarurit së bashku” do të formohet nga iniciativat qytetare “Shans për Qendrën”, “Të pavarurit për Karposhin” dhe “Të Gjelbrit e Gazi Babës”. Një parti e veçantë do të formohet gjithashtu nga iniciativa qytetare “Qyteti i Gjelbër Human” (QGjH). Për të formuar një parti, kërkohen 1,000 nënshkrime nga i gjithë territori i vendit.

Kandidaturat, ose listat, në përputhje me Kodin Zgjedhor konfirmohen 30 ditë para zgjedhjeve, dhe fushata fillon 20 ditë para kësaj.

Që nga shpallja e zgjedhjeve, Ministria e Financave është e detyruar të publikojë të gjitha pagesat buxhetore, përveç pagave të rregullta, pensioneve dhe shpenzimeve të shërbimeve, publikisht në një faqe interneti në një bazë të dhënash të veçantë për shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore. Dy javë pas shpalljes së zgjedhjeve, Ministria paraqet një raport financiar parazgjedhor që do të përfshijë një pasqyrë të përgjithshme të të gjitha të ardhurave dhe shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara nga Buxheti sipas zërave në periudhën nga fillimi i vitit fiskal deri në ditën e dorëzimit të raportit, i cili publikohet në faqen e tyre të internetit.

Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Albina Ramadani, Portalb.mk
Zgjedhje në Maqedoni, foto nga Albina Ramadani, Portalb.mk

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Vetëqeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Brenda Qytetit të Shkupit funksionojnë 10 komuna, të cilat kanë kompetenca të përbashkëta me Qytetin. Zgjedhjet shpallen nga Kryetari i Kuvendit me miratimin e një akti që publikohet në Gazetën Zyrtare. Zgjedhjet mbahen më herët 70 dhe më së voni 90 ditë nga dita e shpalljes së zgjedhjeve. Zgjedhjet lokale në Maqedoni u mbajtën në vitet 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.

Ndryshe, në zgjedhjet e ardhshme lokale, BDI-ja në disa komuna do të garojë me kandidatët e vet, ndërsa në disa komuna tjera do të mbështesë kandidatët e koalicionit të opozitës shqiptare.

Fatmir Dehari do të jetë kandidat për në Komunën e Kërçovës, Erkan Arifi në Komunën e Likovës, Suat Shaqiri në Çashkë dhe Ejup Abazi në Studeniçan. Në Bërvenicë do të mbështesin kandidatin e pavarur, Enver Pajazitin.

Bartës liste në Komunën e Dibrës do të jetë Artin Spahiu, në Saraj do të jetë Iljaz Veseli, në Vrapçisht do të jetë Evzal Arsllani.

Kryetar i partisë politike “Lëvizja Populli” Skender Rexhepi – Zejd do të jetë kandidat për kryetar të Qytetit të Shkupit nga radhët e “Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim”. Arbër Ademi, sqaroi që në vazhdim do të vendosin për kandidatët e Bogovinës, Dollnenit, Pllasnicës dhe për bartësin e listës në Tearcë dhe Haraçinë.

BDI-ja në Gostivar, Vrapçisht, Tearcë dhe Saraj do të mbështesë kandidatët e propozuar nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, ndërsa në Strugë, Dibër dhe Haraçinë do të mbështet kandidatët e propozuar nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës.

Edhe Koalicioni VLEN publikoi kandidatët e disa prej komunave me të cilët do të garojë në zgjedhjet lokale. Bilall Kasami do të jetë kandidat për Tetovën, Izet Mexhiti për Çairin, Fatmir Liman në Kërçovë, në Qytetin e Shkupit – Bashkim Bakiu, në Dibër – Fisnik Mela, në Saraj – Muhamed Elmazi, në Likovë – Nexhmedin Sadiku, në Haraçinë -Daut Beqiri, në Zhelinë – Blerim Sejdiu, në Tearcë – Daut Memishi, në Bogovinë – Feti Abazi, në Bërvenicë – Haqim Ramadani dhe Dollnen do të jetë Blerim Islami.

Në Strugë VLEN-i e mbështet kandidatin e pavarur Mendi Qyra, ndërsa ende nuk ka vendim për kandidatët për Komunën e Gostivarit, Vrapçishtit, Studeniçanit dhe Çashkës.

Zgjedhjet e fundit lokale në Maqedoninë e Veriut u mbajtën në dy runde në tetor 2021. Rundi i parë u mbajt me 17 tetor dhe rundi i dytë me 31 tetor. Të drejtë votimi kidhin 1.824.864 banorë të RMV-së. Në zgjedhjet e rundit të parë me 17 dhjetor votuan 51,4%, ndërsa në rundin e dytë votuan vetëm 49,65%.

Atëkohë VMRO fitoi 39 komuna, LSDM – 16 komuna, BDI-10, Aleanca për Shqiptarët – 3 komuna, Besa – 2 komuna, GROM – 1 komunë.PLD/DOM – 1 komunë dhe të pavarurit- 3 komuna.