Kuvendi i Maqedonisë së Veriut refuzoi themelimin e dy çmimeve të reja shtetërore, njëri prej tyre për albanologun nga Tetova

Propozimi për themelimin e dy çmimeve të reja shtetërore – “Bllazhe Koneski” dhe “Remzi Nesini” nuk mori mbështetjen e nevojshme në seancën e sotme të Komisionit kuvendor për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, raporton MIA.

Propozimi ishte paraqitur nga ana e opozitës, por nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave për të kaluar në lexim të mëtejshëm.

Me propozimin kërkohej themelimi i këtyre dy çmimeve për shkak të rëndësisë së dy personaliteteve të kulturës. Çmimi “Bllazhe Koneski” sipas propozimit, duhej të ndahej më 19 dhjetor, ndërsa çmimi “Remzi Nesini” në gjysmën e dytë të dhjetorit. Fondi i përgjithshëm i shpërblimeve për të dy çmimet duhej të ishte rreth 830 mijë denarë.

Bisera Kostadinovska-Stojçevska, e cila e arsyetoi propozimin, tha se për shkak se propozimi ka implikime financiare, grupi i tyre parlamentar ka paraqitur një amendament për rebalancin me të cilin kërkohet ndarja e mjeteve për këtë qëllim, në mënyrë që çmimet të ndahen deri në fund të këtij viti.