Sali: Srebrenica mbetet kujtesë e dhimbshme për pasojat e urrejtjes
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka përkujtuar sot viktimat e gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995, gjatë një ceremonie të mbajtur në Parkun e Çairit, shkruan Portalb.mk.
Sali theksoi se kujtimi për viktimat e Srebrenicës nuk është vetëm një akt nderimi, por një detyrim moral dhe njerëzor për të mbrojtur të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut.
“Srebrenica nuk është më vetëm emri i një qyteti. Ajo është simbol i gjenocidit më të rëndë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore dhe një kujtesë e përhershme për pasojat tragjike të urrejtjes, kur bota zgjodhi të heshtë”, u shpreh Sali.
Ai kujtoi se në Potoçari mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen e Europës dhe të gjithë njerëzimit, duke theksuar se mbi tetë mijë burra dhe djem të pafajshëm u vranë vetëm për shkak të identitetit të tyre.
Sipas tij, paqja, drejtësia dhe kujtesa janë përgjegjësi e secilit, ndërsa vetëm përmes mos-harrimit mund të ndërtohet një e ardhme ku krime të tilla të mos përsëriten.
“Lavdi dhe lutje viktimave. Kurrë më Srebrenicë. Kurrë më gjenocid”, ka shkruar zëvendëskryeministri Bekim Sali.