Ukraina merr dritën jeshile për të prodhuar raketa Patriot

Ditën kur Rusia bombardoi Kievin për herë të tretë brenda një jave, presidenti ukrainas ndodhej 1.200 kilometra larg, duke kërkuar leje për të prodhuar armët që mund të ndalonin, ose së paku të zbusnin, sulmet shkatërruese të Rusisë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Ukrainës i duhen shumë gjëra ndërsa përpiqet t’i rezistojë pushtimit të plotë rus, që ka hyrë tashmë në muajin e 52-të.

Por, mbi të gjitha, asaj i duhet një mënyrë për të zmbrapsur armët shkatërruese që Rusia po përdor kundër saj: raketat balistike.

Deri vonë, sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot konsiderohej mënyra e vetme e besueshme për të interceptuar raketat balistike.

Por, rezervat ukrainase të raketave interceptuese për këtë sistem po shterojnë, e edhe Shtetet e Bashkuara kanë më pak rezerva, pasi shumë prej tyre janë përdorur nga forcat amerikane në Lindjen e Mesme për t’u mbrojtur nga sulmet iraniane.

Për këtë arsye, Kievi kërkon t’i prodhojë vetë raketat interceptuese për sistemin Patriot.

Por, për ta bërë këtë, i duhet miratimi i Uashingtonit.

Më 8 korrik, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mori atë që kërkonte.

“Do t’ua japim të drejtën të prodhojnë Patriot”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, i ulur pranë Zelenskyt në margjinat e samitit të NATO-s në Turqi.

“Do t’ju japim licencën për të prodhuar Patriot. Kështu nuk do të mund të ankoheni se nuk po ju japim mjaftueshëm. Do t’ju them: ‘Prodhoni vetë’”, shtoi Trump.