ANALIZË: Mali i Zi dhe Shqipëria, të motivuar për reforma, RMV-ja mbetet prapa me ndryshime thelbësore në sektorët kryesorë
Afate të humbura për reformat thelbësore, ndryshime ende të parealizuara në jetën ekonomike, për të ndërtuar kompani konkurruese dhe financa publike transparente. Afatet për realizimin e objektivave të reformave nga Agjenda e Reformave 2024-2027 po kalojnë, ndërsa ndryshimet ende nuk janë të dukshme, thonë ekspertët e konsultuar nga Portalb.mk. Qeveria është e bindur se rezultatet do të arrihen.
Reforma në gjyqësor, financat publike, klimën e biznesit
Informacioni se vetëm 30% e reformave të synuara në Agjendën për Reforma të vendit nga Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor janë përmbushur, sipas ekspertëve, konfirmon se vendi në mënyrë deklarative dëshiron të jetë pjesë e komunitetit të BE-së, por në praktikë, detyrat e shtëpisë nuk janë marrë seriozisht.
“Është e nevojshme të mobilizohet më shumë mbështetje politike dhe të forcohet kapaciteti për harmonizim dhe zbatim, të tregohen rezultate pozitive që do ta rikthenin besimin dhe motivimin për të vazhduar në atë rrugë, në kushte kur procesi i pranimit formalisht është i bllokuar. Këtu rol për të luajtur kanë edhe autoritetet tona, të cilat duhet ta udhëheqin procesin, dhe BE-ja, e cila duhet të ofrojë mbështetje të konsiderueshme”, thotë Ana Kërstinovska, eksperte e politikës së jashtme.
Sipas analizës së fundit nga Instituti për Demokraci, përveç në gjyqësor, Maqedonia ende nuk ka bërë ndonjë përparim në reformat që duhet të hapin rrugën për një ekonomi konkurruese, zhvillim të qëndrueshëm dhe, mbi të gjitha, rritje të transparencës në shpenzimin e parave të qytetarëve, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.
“Deri më tani është miratuar vetëm një ligj, konkretisht ndryshimet në Ligjin për Shoqëritë Tregtare në seksionin për numrin e anëtarëve të këshillave drejtuese, dhe aktualisht po punohet për Ligjin për Shoqëritë Tregtare dhe Ndërmarrjet Publike në Pronësi Shtetërore, për të cilin afati i fundit ishte dhjetori i vitit të kaluar”, tha Anamarija Velinovska nga Instituti për Demokraci.
Vendi po ngec me reformat, veçanërisht ato në sektorët më të rëndësishëm si gjyqësori, ekonomia dhe transparenca, thotë analisti Mersel Bilalli.
“Ne çdo vit po shkojmë mbrapa. Ende nuk kemi arritur reforma thelbësore për një ekonomi të tregut të hapur, investime të përshtatshme, përdorim të burimeve, mundësi dhe qasje të barabartë, drejtësi, gjyqësor funksional, mekanizma demokratikë jopartiakë, demonopolizim, procedura të thjeshtuara dhe mbi të gjitha, një sistem të bazuar në merita”, tha Bilalli për Portalb.
Sipas vlerësimeve të Qeverisë, megjithëse ka një vonesë edhe me të ashtuquajturën “periudhë tolerance” për zbatim, Maqedonia po jep rezultate, e një nga arsyet për “ngecjen” ishin zgjedhjet lokale në vitin 2025.
“Ato që nuk mund t’i realizojmë, objektivisht tregojmë pse nuk mundemi, sepse nuk do të donim të ishim një qeveri që u premton një gjë partnerëve tanë në bashkësinë ndërkombëtare, e bën diçka tjetër prapa skenave. Atë që mund ta bëjmë, do ta bëjmë, atë që nuk mundemi, do t’i japim argumentet tona pse nuk mundemi dhe jemi gjithmonë të gatshëm për dialog dhe bisedë të sinqertë me partnerët tanë nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht me partnerët tanë nga BE-ja”, tha kryeministri Mickoski.
Sipas Kërstinovskës, ndërkohë që ende nuk ka konsensus të brendshëm politik në vend se cili duhet të jetë kursi drejt integrimit në BE, rajoni tashmë po ec në rrugën që të çon në Bruksel.
“Është normale që Mali i Zi dhe Shqipëria do të përparojnë më shpejt se ne kur kanë negociata të vazhdueshme dhe motivim, gjegjësisht qëllim, të qartë – anëtarësimin deri në vitin 2030. Në vendin tonë, ky motivim është i vështirë për t’u ruajtur dhe ne, si vend, duhet të bëjmë përpjekje shtesë, për t’i kuptuar reformat si diçka që e bëjmë për veten tonë, e jo për BE-në. Kjo nuk është aspak një detyrë e lehtë në kushtet kur, nga njëra anë, kapaciteti i administratës publike po zvogëlohet, dhe nga ana tjetër, legjitimiteti i reformave tradicionalisht justifikohet dhe shpjegohet me anëtarësimin në BE”, thotë Kërstinovska për Portalb.
Ligjet për reformat në gjyqësor, si një nga shtyllat kryesore të një shteti ligjor, janë tashmë në procedurë parlamentare pasi më parë ishin tejkaluar afatet e agjendës së përcaktuar. Një përpjekje e re është duke u zhvilluar për të ndryshuar Kodin Zgjedhor me qëllim që të sigurohet një sistem zgjedhor i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i drejtë.