Platforma për zbatimin e Agjendës Reformuese në fazë testimi, nuk dihet saktë kur do të vihet në funksion
Ka kaluar një vit e katër muaj që kur autoritetet paralajmëruan ndërtimin e platformës për ndjekjen e zbatimit të Agjendës Reformuese, por e njëjta ende nuk është vënë në funksion të plotë. Nga Ministria për Çështje Evropiane (MÇE) për Portalb.mk bëjnë të ditur se platforma tashmë është zhvilluar dhe ndodhet në fazë testimi, megjithatë nuk japin datë konkrete se kur do të jetë plotësisht funksionale.
Sipas përgjigjes së MÇE-së, platforma IT për ndjekjen e Agjendës së Reformave i është dorëzuar institucionit dhe tashmë është instaluar, ndërsa aktualisht po zhvillohet faza e testimit dhe trajnimit të përdoruesve.
“Gjatë muajit shkurt u mbajtën trajnime për përdoruesit e MÇE-së, ndërkaq në periudhën e ardhshme do të trajnohen edhe përdoruesit e ministrive kompetente dhe institucioneve të tjera”, thanë nga Ministria.
Megjithatë, edhe pse platforma ka hyrë në një fazë më të avancuar, ajo ende nuk është gati për publikun dhe institucionet në tërësi. Nga MÇE sqarojnë se arsyeja për këtë lidhet me kompleksitetin e vetë procesit, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një mekanizëm të ri të lidhur me Instrumentin për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, i cili bazohet në rezultate konkrete.
Sipas tyre, ky mekanizëm kërkon procedura specifike për zbatim, ndjekje dhe raportim të reformave, çka ka bërë të nevojshme përcaktimin e saktë të proceseve dhe bashkëveprimit ndërinstitucional përpara funksionalizimit të plotë të platformës.
“Duke pasur parasysh që Instrumenti për Reforma dhe Rritje është mekanizëm i ri i bazuar në dhënien e rezultateve, i njëjti parasheh procedura specifike për zbatim, ndjekje dhe raportim të hapave të Agjendës së Reformave. Nga këtu, ishte veçanërisht e rëndësishme të në mënyrë të drejtë të përcaktohen proceset dhe procedurat për bashkëveprimin midis përdoruesve dhe të sigurohej aplikimi efikas dhe efektiv i platformës. Në muajt e ardhshëm do të zbatohet testimi me qëllim që të përcaktohet a do të nevojiten përshtatje eventuale, përpara se i njëjti të vihet zyrtarisht në funksion”, thuhet në përgjigjen e MÇE-së.
Kjo nënkupton se platforma nuk pritet të jetë funksionale as në afat të shkurtër, pasi edhe pas disa muajsh do të vazhdojë faza e testimit dhe vlerësimit të saj. Pra, ndonëse projekti ka kaluar nga faza e konceptimit në atë të implementimit teknik, funksionalizimi i plotë mbetet ende i shtyrë pa një afat të qartë.
Nga ana tjetër, institucioni nuk jep një afat të qartë se kur platforma do të përfundojë së ndërtuari dhe të jetë plotësisht operative. Kjo do të thotë se, edhe pse projekti ka avancuar nga faza e konceptimit në atë të testimit, mbetet ende e paqartë se kur qytetarët dhe palët e interesuara do të kenë qasje të plotë në të dhënat për zbatimin e reformave.
Ndryshe, platforma ishte paralajmëruar si një mjet kyç për rritjen e transparencës në zbatimin e Agjendës Reformuese, duke mundësuar ndjekjen në kohë reale të progresit të reformave, projekteve dhe afateve të përcaktuara nga institucionet. Mbetet të shihet nëse, pas përfundimit të fazës së testimit, ajo do të arrijë të përmbushë këto pritshmëri.
Në fund të vitit 2024, ish-ministri për Çështje Evropiane gjatë një ngjarjeje në fund të vitit 2024, i pyetur nga Portalb-i, se si do të sigurohet zbatimi i kësaj Agjende dhe transparenca e zbatimit të saj, duke qenë vendi pati përvojë jo të mirë me Agjendën Evropa në Shtëpi, pasi nuk kishte aspak transparencë, ai tha se për këtë po zhvillohet një platformë online, e cila do të sigurojë transparencë të plotë në implementimin e Agjendës Reformuese.

Kjo platformë do të mundësojë qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve të interesit në informacionet për reformat, datat e ekzekutimit dhe projektet përkatëse. Lista dhe hapat e implementimit do të jenë të disponueshëm në mënyrë të vazhdueshme për publikun. Edhe pse nuk ishte përcaktuar ende një datë e saktë, Murtezani atëkohë siguroi se puna për ndërtimin e platformës është në proces dhe ajo do të ishte e gatshme sa më shpejt të jetë e mundur.
“Absolutisht zbatimi i Agjendës reformuese do të jetë transparente. Ne tani si Ministri për Çështje Evropiane jemi duke punuar në një Platformë online ku do të ketë qasje i gjithë opinioni dhe grupe të caktuara. Për arsye se Agjenda e reformave është dokument publik dihen saktësisht reformat dihen saktësisht datat dhe dihet saktësisht lista e projekteve. Lista ose hapat e implementimit do jenë publike dhe opinioni do ketë qasje në mënyrë të vazhdueshme. Kur do jetë platforma gati, atë nuk mund t’ua them saktë, por aktualisht po punohet në ndërtimin e idesë, por do jetë gati në afat sa më të shpejtë të mundur”, tha Murtezani kur u pyet nga Portalb.mk në fillim të muajit nëntor 2024.
Ndërkohë, Agjenda Evropa në Shtëpi, e cila duhej të monitorohej nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Sekretariati për Çështje Evropiane, dikaster ky që u kthye në Ministri të Çështjeve Evropiane, ishte paraparë të jetë transparente, por nuk ndodhi kështu.
Për këtë dokument, i cili përmbante reforma të rëndësishme për integrimin evropian të vendit që në fillim të prezantimit të tij, u tha se do të jetë në monitorim të vazhdueshëm dhe transparent rreth zbatimit. Qeveria, në çdo seancë të saj, duhej të shqyrtojë se çfarë është bërë dhe çfarë jo lidhur me këtë dokument, megjithatë, pas përfundimit të çdo seance nuk kishte informacion të bollshëm se sa dhe çfarë konkretisht ka diskutuar mbi këtë dokument.
Ndryshe, dokumentin “Agjenda-Evropa në shtëpi”, Qeveria paraprake e Maqedonisë së Veriut e shpalosi më 9 mars 2021, në të cilin ishin hartuar qëllimet, hapat dhe veprimet për reformën zgjedhore, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe fusha të tjera. Ky dokument përveç se ka përmbledhur aksionet dhe reformat që duhet të zbatonin institucionet kompetente, nuk konsiderohet ndonjë risi e veçantë. Ajo që pritej të shihej nga kjo Agjendë është nëse do të respektoheshin afatet për përmbushjen e këtyre qëllimeve që kanë filluar nga marsi deri në dhjetor të këtij viti. Por, që duket se këto afate po mbesin vetëm në letër.
Nga ana tjetër, Agjenda e fundit e reformës e Maqedonisë së Veriut u miratua më 23 tetor 2024 nga Komisioni Evropian, e njëjta është e orientuar drejt adresimit të sfidave thelbësore që pengojnë konvergjencën socio-ekonomike të vendit me Bashkimin Evropian (BE). Nga e njëjta, varet edhe lëshimi i parave, fonde të BE-së, për vendin tonë.

Ky miratim i hapi rrugën shfrytëzimit të Fondit për Reforma dhe Rritje të Bashkimit Evropian, fond ku janë planifikuar 6 miliardë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
Në prill dhe maj 2024, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin 6 miliardë euro nga Brukseli, dy miliard do të jenë para pa kthim, ndërsa tjerat në formë të kredive.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë do të jetë shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.
- LEXO: 750 milionë euro në rrezik: Pse Maqedonia e Veriut heziton t’i përmbushë reformat thelbësore të Planit për Rritje?
- LEXO: Agjenda e Reformave me “këmbë breshke”: Sektori civil i përfshirë në monitorim, por institucionet të mbyllura ndaj saj
- LEXO: Maqedonia e Veriut larg parave evropiane me zbatim të dobët të reformave, ka përmbushur vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuara