Dita 24: Një vlerë tradicionale që ta çmon edhe fqinj-“tjetri” historik. “Jemi betuar si shqiptarë.”- rrëfen për “Mondo” hendbollisti serb Momir Rniq i “Proleterit” të Zrenjaninit që në vitin 1991 kishte arritur finalen e Ligës së Kampionëve. Storja e suksesit kishte filluar pas dështimit në Lojërat Olimpike 1980 (vendi i pestë) në Moskë dhe pas kthimit në aeroportin e Surçinit: “…u mblodhëm ne lojtarët dhe si shqiptarët: Besa! Duart mbi njëri-tjetrin! Që sot e tutje, për sa kohë që luajmë bashkë, nga garat mund të kthehemi edhe pa këmbë, por pa medalje: jo.” Rezultatet e besatimit erdhën: kamnpion olimpik në Los Angeles (1984), në kampionatin botëror në Zvicër (1986). Besën tonë e dinë edhe të tjerët, sa e kultivojmë ne këtë vlerë? Sa besnikë kemi mbetur ne? Sa e kemi shoqërizuar këtë vlerë etike të llojit të vet.
Dita 25. Një radhë, në Universitetin Galatasaray, ku gjuha e mësimit është frëngjishtja, profesori i njohur İlber Ortaylı – që ndërroi këtë Ramazan – po lexonte dhe komentonte një tekst gjatë leksionit. Duke qenë se po lexonte pak ngadalë, një student arrogant e ndërpreu me ironi: — “Profesor, nëse doni ma jepni librin të lexoj unë, që ta bëjmë mësimin më shpejt.” Profesori, pa u prishur fare në fytyrë, e ftoi studentin në katedër. Kur studenti hapi librin, mbeti pa fjalë dhe u turpërua para të gjithëve: Libri ishte në gjuhën gjermane dhe profesori po e përkthente simultanisht në frëngjisht teksa lexonte. Mësimi: Njohja e gjuhëve të huaja është kapital, nuk të kufizon në literaturë, të hapë horizonte akademike. Në veçanti për mësimdhënësit superiorë, të cilët në asnjë mënyrë nuk duhet të mjaftohen me një gjuhë, amtaren, duhet të dinë gjuhë globale.
Dita 28: Gjatë ndjekjes së një ndeshjeje futbolli më pyet një 20-vjeçar pranë meje. Pse këta turqit kanë tatuazhe, ndërsa lojtarët e përfaqësueses së Serbisë jo, asnjëri. Çështje mendësie, kompleks inferioriteti; duan të europianizohen dukësisht, ultramodernizëm anadollak. Populli që ka imazh konservator por që në brendi shpërfaq prirje të fuqishme detradicionalizimi. Këtë e vërejmë edhe këtyre ditëve të bekuara, kur pa iu bërë “tër” syri hanë e pinë në çarshi të Shkupit si të mos ishte kohë agjërimi. Por, përgjithësimet janë gjithherë të rrezikshme. S’duhet harruar as faktin se çdo shoqëri ka shumë shtresa dhe botëkuptime. Është e drejtë e tyre, edhe për njërin edhe për tjetrin veprim.
Dita 29: Për çudi, mbrëmjen e arifesë në 19:46, porosia e parë telefonike ne urimit të bajramit na erdhi nga një jomysliman: Честит бајрам. E këndshme. Sfidë për predikuesit dhe indvidët që thonë se s’duhet uruar festat e përkatësve të feve të tjera. S’di çka humbim? S’di si dobësohemi besimërisht me dy-tre fjalë respekti, për të qenë të respektuar. Për të mbajtur të hapura urat e mirëkuptimit, bashkëjetesës me ata që i kemi fat sociologjik, që janë ngjyra të tjera të bahçesë kulturologjike të quajtur RMV.
Disa ditë pas: Duke shkruar parathënien e librit E ardhmja e fesë (Logos-A, 2026), rastisëm në një term interesant që ilustron fetarinë e së ardhmes, të brezave që vijnë. A la carte religiosity (ose fetaria à la carte), një koncept sociologjik që vjen nga menyja e restoranteve ku klientët zgjedhin vetëm pjatat që u pëlqejnë, duke anashkaluar pjesën tjetër. Disa e kanë quajtur edhe Pick-and-mix religion (Feja ‘zgjidh dhe zërziej’). Pra, në shekullin XXI, një pjesë e njerëzve në vend që të ndjekin një sistem fetar të plotë dhe të strukturuar (me të gjitha rregullat, dogmat dhe detyrimet), zgjedhin vetëm ato elemente që u përshtaten stilit të tyre të jetesës ose nevojave shpirtërore. Është një neologjizëm që përshkruan një religjiozitet kur feja është zgjedhje personale, një religjiozitet selektiv, sinkretist. Është kjo një gjendje kur institucioni fetar e humb autoritetin e tij “monopolizues”, kur individi bëhet “konsumator” i fesë dhe në tregun e fesë (Stark & Finke) dhe jo thjesht një ndjekës pasiv i principeve të saj.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.
- Lexo pjesën e parë të kolumnës: SHËNIME RAMAZANI (I)