RMV, janë regjistruar dy raste të kollës së keqe, ministri bëri thirrje për vaksinim

Në stinën e infeksioneve respiratore është e zakonshme që numri i kontrolleve të jetë më i lartë. Megjithatë, në vend është regjistruar edhe kolla e mirë, e njohur në publik si kolla e keqe. Është konfirmuar tek një foshnjë gjashtë muajshe, e cila ndodhet në spitalin e fëmijëve në Kozle. Ky është rasti i dytë, transmeton Portalb.mk.

Për momentin nuk ka informacione nëse dhe kur do të mblidhet Komisioni për Sëmundjet Infektive pas rasteve të fundit.

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti ka bërë thirrje sot për vaksinim.

“Ne bëjmë thirrje për vaksinim sepse vaksinat shpëtojnë jetë”, tha Mexhiti i pyetur nga një gazetar se a është shfaqja e kollës së keqe në vend nga fakti se fëmijët nuk janë të vaksinuar.

Pertusis është një sëmundje akute infektive dhe shumë ngjitëse e shkaktuar nga bakteri Bordetella pertussis. Bakteri shkakton sëmundje vetëm te njerëzit. Mund të shkaktojë një formë të rëndë sëmundjeje në të gjitha grupmoshat, por është më e rrezikshme për të sapolindurit dhe foshnjat në dy muajt e parë pas lindjes dhe deri në momentin e marrjes së dozës së parë të vaksinës së kollës së keqe. Tipari kryesor i sëmundjes është kollë që mund të zgjasë për javë të tëra. Përveç kollës, bakteri mund të shkaktojë komplikime të sistemit të frymëmarrjes dhe nervor që mund të lënë pasoja të qëndrueshme në funksionin e trurit dhe zhvillimin neurologjik te fëmijët.

Burimi i infeksionit është një person i sëmurë. Bakteri transmetohet përmes pikave, përmes pështymës dhe aerosoleve që i sëmuri nxjerr jashtë kur kollitet dhe teshtin. Indeksi i infektivitetit është shumë i lartë, rreth 80%. Infektiviteti është më i madh në fillim të sëmundjes, kur ende nuk shfaqen shenjat karakteristike të sëmundjes dhe mund të zgjasë deri në 4 javë nga fillimi i sëmundjes. Me diagnostikimin e hershëm të sëmundjes dhe trajtimin e duhur, kohëzgjatja si e ngjitjes ashtu edhe e sëmundjes te personi i sëmurë reduktohet. Personat që kanë simptoma të lehta të sëmundjes dhe nuk kanë kollën karakteristike të sëmundjes janë më të rëndësishmit sepse përhapin infeksionin në mjedis pa e ditur. Foshnjat më së shpeshti infektohen nga vëllezërit e motrat, prindërit ose kujdestarët që (nuk) e dinë se e kanë sëmundjen. Në popullatat me përqindje të lartë vaksinimi, sëmundshmëria dhe vdekshmëria nga sëmundja janë shumë të ulëta, sepse me vaksinimin e rregullt në popullatë mbrohen kategoritë më vulnerabël si foshnjat dhe të moshuarit e dobët tek të cilët kolla e mirë ka ecurinë dhe ndërlikimet më të rënda të sëmundjes.